Kur poetja ec rrugës së lirisë / Nga: Rami KAMBERI

 

Kur poetja ec rrugës së lirisë

 

 

rami kamberi 1

Nga: Rami KAMBERI

 

Në poezinë e sotme shqipe, në këtë fushe të larmishme e të shumëllojtë nga pikëpamja e ngjyrave kombëtare dhe letrare e estetike si dhe me filozofi mendimi, janë të rrallë poetët ose më mirë thënë krijuesit, që kanë realizuar një estetikë ngjyre, ku llojet dhe mënyrat më të ndryshme të thirrjes për vetëdije mbi Atdheun e kanë fjalën e çiltër dhe, japin porosi si për plagët, dhimbjet, përgjakjet, gjeografinë e varreve, shtatët pas grilave si dhe ecjet e më tejme në jermi ku dita ditës robëria ndryshon ngjyrë mbi tokën, që një popull e ka atdhe.

Them kështu ngase vetëm një krijues që shtatin e ka të veshur me lëkurë prej atdhetari mund të krijoj poezi ku pena emërtohet Penë e Atdheut dhe, kjo Penë e Atdheut lirshëm mund të themi se është poetesha Shahadije Neziri – Lohaj me dy vëllimet poetike: “Ëndrrat për Atdheun” dhe “Cunamët ua solla unë”.

Ndaj më duhet të pranoj se ndjenjat e një poete, ku poezia Atdhe me një porosi të madhe jo vetëm që ishte njëra ndër shtytjet e para dhe besa e vetme, që më detyroi të them fjalën time mbi poezinë e poetes Shahadije Neziri – Lohaj, por, edhe ngjyrat e poezive më përvetësuan dhe ma rikthyen kujtesën e ecjes nëpër kohë, ngase është vetë gjuha, që kombinon kreativitetin poetik dhe atë të patriotit me ndjenjën për një ndërgjegjësim të thellë dhe, një përgjegjësi të madhe para kohës në përshkrimin dhe, përjetimin e gjendjes së botës shqiptare, shtrirë në gjeografi Atdhe dhe ecje kah rruga e lirisë edhe pas “lirisë”.

 

Dije lohaj

Dije Lohaj

 

Është ajo më shumë se poezi, që shprushi shpirtin tim për të ecur mes poezive të librave “Ëndrrat për Atdheun” dhe “Cunamet ua solla unë”, që të bëhem pjesë e pa ndarë e një shpirti, që Atdheut i dha guximin dhe artin e shkruar për një liri, që duhet të sfidoj robërinë dhe “lirinë”, që poetes i rinë në qerpik të syrit nga moti në mot.

“Me këmbë të stërlodhura

Zhurmojmë

Në këtë zgavër të errët

Të lirisë,

Nga kataklizmi i kohës

Gulçojmë.”

A nuk është porosi e madhe për të kuptuar ngjyrat “liri” dhe liri, mbi lëkurën e tokës, që duket e regjur edhe pse nëpër shekuj e vaditëm me gjak e ikje që nuk u kthyen më, a nuk na mësojnë këto rreshta të poezisë “Psalm për lirinë” të ciklit “Vargje të zeza”, që jetësohen në librin “Cunamet ua solla unë” dhe, në ecje nga cikli në cikël e nga libri në libër, ku mëtojnë ta thuan fjalën e shpirtit poetik poezi e poezi, që herë-herë me ngjyrat shpresë e herë-herë me ngjyrat guxim e porosi na trokasin në sy, që shikimet ti kemi sa më të çiltra e zemrat sa më të guximshme.

“Sytë tu ndiznin yjet,

Kur e puthnin hënën.

Puhia e lirisë vinte në gjumë

Horizontin…”

Me sa dashuri ëndërronte lirinë poetja motit të robërisë, sa fisnikëri e guxim kishin sytë e rinisë shqiptare asaj kohe, që poetja na e përshkruan me poezinë kushtimore për dëshmoren e kombit Hyrë Emini.

Me sa dhimbje e shpresë poetja e kujton miken e saj, që lirisë i dha dashurinë, nusërinë e ardhmërinë jetike për një liri, që i mungonte dhe i mungon Atdheut.

Kjo ngjyrë e poezisë “Ëndërr lulesh”, brenda ciklit “Dielli i mori me vete” të librit “Ëndrrat për Atdheun”, që na rikthen në kohë e, kërkon të kuptojmë se liria nuk falet, por merret nga robëria me jetë, që përjetësia ti flet kohës dhe motit se edhe ne ditëm dhe dimë të bëjmë liri.

“…Fjalë shtatëzëna që pjellin poezi.

Kujdes, në qeli

Edhe grilat kanë veshë,

Të thoshin bashkëvuajtësit.

Ishte tepër vonë…”

Një dritare jete e një gjuhe shprese, për një dashuri më shumë se dashuria i rreshtonte të rinjtë thirrja për lirinë e Atdheut, ku guximi përballej me ndëshkimin nga forca e robërisë. Xixat e kësaj shprese treteshin pas grillave.

Plagët rendonin mbi shtate. Shtrohej tmerr e frikë mbi guxim. Shkohej aq larg saqë edhe një fjalë e vetme mbetej nën torturën e vëzhgimit nga veshët e stërzgjatur të robërisë.

Me dhimbje e shpresë poetja e përshkruan vetveten pas grillave, në poezinë “ Qeli për poetin” të ciklit “Bota pa qiell”, cikël që e madhështon edhe më shumë librin“Ëndrrat për Atdheun”, jo për të thënë se Atdheut i dha rininë të kalbej pas grillave, por, për të na e rikujtuar se si dukej moti me robëri kur ecjen rinia e kësaj pjese të Atdheut donin ta kishin shqip e të frymonin lirshëm edhe për një dashuri jetike, që lindjet tu kishin hije.

“Vetëm unë t’i njoh këto plagë,

Se muranat e tua i lava me lotin tim,

Sillesha si korb varr më varr

E zonjës mëmë i fshija lotët

Nga rrudhat e faqeve të saj..”

Është ky, mesazhi gjithëpërfshirës i poetes që mëton ta rikthej shikimin e syve kah rruga e vërtet e lirisë, duke shpërthyer mes vargjeve poetike, si tek poezia “Plagët e reja të Atdheut” të ciklit “ Eshtrat pikojnë gjak” të librit “Cunamet ua solla unë” sa për ta rikujtuar motin “liri” se ecjen nëpër kohë nuk do ta vazhdojmë me këtë natyrë mbi dheun e Atdheut.

Është ky, i gjithë potenciali i fuqisë së poetes Shahadije Neziri – Lohaj prej atdhetareje e prej artisteje të fjalës së shkruar, të shpirtit poetik e, njeriut shqiptar për të paralajmëruar të ardhmen e duhur dhe, për të treguar drejtimin, në të cilin duhej ecur, për të qenë ato që duhet të jemi, jo pre e vesit të tradhtisë e rirobërimit të Atdheut, por qenie të ndershme e të arsyeshme, fytyrë e virtytit të kombit, që një ditë të lulëzoj liria, të ndaloj ika, të shihemi sy më sy me madhështinë e sukseseve të kombit.

Brenda librave në fjale, poezia ka dhe dashurinë jetike, që diti të na mbajë gjallë ndër shekuj, kurrë të mos shterojmë, por nga moti në mot sido qofshin ngjyrat jetë të përkundim djepat e lindjeve.

Do të doja të thosha edhe më shumë se kaq për gjeografinë e kësaj poezie, por, më shumë dua që poezia të flet vetë mes lexuesve me shpirtin që e ka sa ndaj Atdheut po aq edhe ndaj dashurisë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s