Poezi nga Konstandin Kavafi.
Pa fjalë…
-Një poezi e pabotuar…
‘’Dhe nëse për dashurinë time, nuk flas dot –
nëse s’fola për flokët e tu, për buzët, për sytë
ama, fytyrën tënde e mbaj brenda shpirtit,
përditë
tingujt e zërit, i mbaj brenda mendjes,
si dritë
ditët e Shtatorit, perëndojnë brenda ëndrash
që s’flenë
fjalët dhe fjalitë tek shtohen, i japin ngjyrim
çdo teme që zgjedh, çdo ideje që them!’’
Itaka
Nëse një ditë do të të nisesh për Itakë,
lutu të të qëllojë rruga e gjatë…
përplot me aventurë e mbushur dije.
Lestrigonëve dhe Ciklopëve,
mos ju tremb, as Poseidonit zemërak
këta në rrugën tënde, s’do t’i hasësh kurrë,
nëse mendimi që ti mbart, mbetet i lartë,
nëse, një krejt i veçantë emocion,
të rrëmben trupin e shpirtin të pushton.
Lestrigonët dhe Ciklopët, s’do t’i hasësh,
s’do të ndeshësh, as të egrin Poseidon,
poqe, se brenda shpirtit nuk i mbart
aherë, përpara teje, shpirti s’i lëshon!
Lutu, të të jetë e gjatë rruga!…
Mëngjezet pranveror, të shumtë dhe të paparë
kur përdëlluar gazit, gjireve të hysh,
nëpër limane, q’i shikon për herë të parë!…
Pranë të Fenikasve të ndalosh tregkaike,
pazaret më të mira të sigurosh,
sedef, korale, qelibar, pse jo dhe ebanoz
dhe errëza hedonike, gjithfarlloj
bli sa më shumë, errëza hedonike.
Në të Egjyptit qytete si të shkosh
mëso nga të shkolluarit në më dëgjon!
Veç gjithmonë në mendje, mba Itakën.
Se arritjen aty, do të kesh destinacion.
Por rrugëtimin, mba mend, mos shpejto!
Qoftë shkruar, për shumë vite të zgjasë, pa kufi…
I thinjur dhe plak në ishull zbarko
i pasur, me ç’ka rruga të fali, mos kërko,
madje as mos prit, që Itaka, të të fal pasuri.
Itaka, të fali një udhëtim të mrekullueshëm!
Pa Atë në rrugë, nuk dilje për kurgjë.
Andaj, ndjeje Itakën, nuk ka ç’të falë më!
Dhe, nëse e varfër të duket… Itaka s’gënjen dot.
I ditur tek je bërë, me kaq eksperiencë,
besoj t’a kesh kuptuar, Itakas çfarë do të thotë!
Duke pritur barbarët
– Çfarë presim, mbledhur tok, këtu në mes të tregut?!
Barbarët, miku im, sot pritet të mbërijnë.
– Përse brenda Senatit, kjo heshtje kaq e thellë?!
Përse s’hartojnë ligje, por Senatorët rrijnë?!…
Barbarët, miku im, sot… do të mbërijnë.
Çfarë ligjesh të hartojnë, të gjorët Senatorë?!…
Barbarët me të ardhur, do të hartojnë ligje.
– Përse vet Perandori, kaq herët është ngritur
Në më të lartën portë të qytetit, pse qëndron
serioz, kurorën veshur kryesh dhe ulur përmbi fron?!
Sepse, të thashë: – Barbarët, do të mbërijnë sot.
Dhe… Perandori pret, që Kapon t’ju takojë.
Bile, një pergamen me tituj mbushur plot,
por dhe me emra, ka gati t’i dhurojë.
– Përse dy konsujt edhe pretorët tanë kanë dalë,
me pelerina kuq’ dhe togëza qëndisur,
pse veshën byzylykë, mbuluar me smeraldë,
bastune kaq të vlerë, në duar pse kanë marrë,
në serm e arrë larë, e enkas të skalisur?!…
Sepse të thashë: – Barbarët do të mbërijnë sot
dhe gjëra kaq të çmuara, j’u veshin sytë barbarëve!
– Pse mjeshtrit oratorë, nuk vijnë sikundër vinin
të thonë fjalën e tyre, të ligjërojnë siç dinë?!
Sepse barbarët sot, pritet që të mbërijnë.
Fjalën që rrjedh, s’e duan… Urrejnë oratorinë!
– Pse duhet të fillojë njëherësh gjithë ky makth.
(Serioze sa u bë çdo fytyrë e shqetësuar)!…
Përse zbrazen kaq shpejt, çdo shesh edhe çdo rrugë,
pse kthehen në shtëpi, të gjithë kaq të menduar?!…
Sepse u err… Barbarët, s’erdhën!…
kush nga kufijtë u kthye… tha:
Barbarë më, nuk ka!…
Po tani, çfarë do të bëhemi, të njerët, pa Barbarë?!…
Për ne ish vërtet zgjidhje, paçka se ish e marrë!
Shqipëroi: Vasil Çukalla