“MENDIM ESTETIK MBI LETËRSINË BASHKËKOHORE, AUTORË VLONJATË” / MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues, bibliograf

“MENDIM ESTETIK MBI LETËRSINË BASHKËKOHORE, AUTORË VLONJATË”

 

 Parimet dhe struktura, konceptualiteti i autorit Eqerem Canaj  në formulimin e librit studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore”.

 

 

Albert abazaj

MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues, bibliograf

 

 

Setenca e gjeniut të letrave Johan Volfgang Gëte: “Më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi” duhet të çeli syth te shkrimtari dhe  esteti Eqerem Canaj me zhvillim në librin “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”

Ky libër është një studim i mirë, që i rrit vlerat autorit në kontributet e tij letrare dhe i shërben qytetit. Kjo vepër realizon një shërbim për Vlorën, një ndihmesë për shkollat e mesme, sepse pikërisht “Mendimi estetik mbi letërsinë bashkëkohore: autorë vlonjatë – është regjistër vlerësues për krijimtarinë e sotme letrare që prodhohet në Vlorë. Ky fakt meriton vëmendje sepse bëhet fjalë për “një letërsi shqipe në miniaturë, pjesa jugperëndimore e saj”, siç shprehet me dashamirësi prof. Zeqirja Neziri, i Katedrës së Letrësisë Shqipe, Shkup. Gjykojmë, se ai ka patur parasysh që në Ndërtesën Letrare Shqiptare katër dhoma të katit të parë i kanë patur të zotët nga Vlora dhe konkretisht: Ali Asllani – dashnor i poezisë së vesuar, Petro Marko – kalorës i lirisë, rebel me tufanet, Shevqet Musaraj – shkrimtar i angazhuar i spikatur për humorin e tij, Fatos Arapi – krijues i poezisë moderne shqiptare, fitues i çmimit të parë në Europë për poezi vitet e fundit dhe në fillim të tyre e në themele të Ndërtesës  Letrare Shqiptare, eruditi biblik Eqerem bej Vlora, i famshëm për bibliotekën e tij jo vetëm në Shqipëri, por në tërë gadishullin e Ballkanit. Në Ndërtesën Letrare Shqiptare dhe në Kat të Parë dhe në katet e tjera kishte dhe ka dhoma të tjera më të vogla me zotër nga Vlora. Një nga këta zotërinj është edhe miku i Letrave Eqerem Canaj, që po i bëjmë sot këtë respekt të merituar.

Ndër parimet që ka ndjekur autori në ndërtimin e librit do të veçoja:

1 – Trajtimin global të autorëve që kanë botuar libra mbas viteve `90 të shekullit të kaluar deri më sot, të cilët kapin shifrën 99 tituj për 93 autorë.

2 – Për të studjuar dhe për të shpjeguar mendimin e tij estetik për veprat, ai ka përdorur një kërleshje të metodës analitike me atë sintetike.

3 – Struktura e kësaj dhomëze letrare të Eqerem Canajt ka këtë përbërje të brendshme: Është e ndërtuar me 7 kapituj, që janë vendosur të lidhur sipas një rregullsie llogjike: Pjesa e parë rrok poezinë popullore të 19 autorëve të shkallëzuar që nga bejtexhinjtë, rapsodët, poetët popullorë e deri te Perandori i Polifonisë Labe Lefter Ҫipa apo zotëria i vargut të  ëmbël Nertesi Asllani.

 

 

Albert Habazaj dhe Eqrem Canaj nderojnë Petro Markon

Albert Habazaj dhe Eqerem Canaj 

 

Pjesa e dytë, përfshin poezinë moderne të 37 autorëve, ku natyrshëm bën hije të freskët zbukuruese edhe Hiqmet Meçaj, i krahasueshëm për artin e fjalës së tij me Xhevair Spahiun, Tomorrin e Poezisë Shqipe. Trajtohen Miljano Stefa, Alisa Velaj, Anastas Bita, Xhemil Lato, Seit Seitaj Albert Habazaj, Idajet Jahaj, Kristaq Xhaho, etj.

Pjesa e tretë trajton prozën dhe konkretisht tregimin e 17 autorëve, ku spikatin dhe emra të njohur si Shefqet Tigani, Astrit Hajdini, Astrit Xhaferri, Leka Skëndaj, Pali Shtëmbari, Skënder Hasko etj. Ky kapitull është dhe më i begati, sikur të mbush me më shumë frymë artistike. Kapitulli IV ka novelën e 5 autorëve dhe kreu V romanet e 7 autorëve të  tjerë. Disa nga shkrimtarët e këtyre dy xhanreve të fundit, esteti Canaj i ka pikasur që kanë qenë jo të shëndetshëm në realizimin artistik të veprës, por janë shfaqur si ndërtues të vobektë. Studiuesi e ka thënë fjalën e tij me guxim qytetar, me përgjegjësi profesionale, duke zbatuar një kriter të domosdoshëm që, pa ndershmëri intelektuale nuk ka kulturë serioze. Synimi i autorit ka qënë dashamirësia. Këto vërejtje të mos keqkuptohen, as të keqinterpretohen, sepse Canaj i bën për të mirën e Shëndetit Letrar të Shkrimtarëve të Vlorës sot.

Kapitulli VI trajton letërsinë për fëmijë, ku përfshihen 9 autorë. Në këtë letërsi Vlora ndihet më mirë deri në rang kombëtare dhe kritika e Canajt e pasuron më tepër vlerën e vjershave  dhe fabulave për moshën fëmijërore të autorëve të dëgjuar vlonjatë që nga i paharruari Ferhat Ҫakërri, Sazan Goliku, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Velo. Një gjedhe e kësaj lënde apo kreu 7  trajton: “Një zë të veçantë në Letërsinë Bashkëkohore”, ku përfshihen 4 shkrime nga autorë të tjerë për poezinë -Hajk, për novelën dhe për romanin e vetë zotërisë Eqerem Canaj.

Natyrisht, që autori i këtij libri e di që Estetika = teori e së bukurës + artit dhe nuk e ka harruar fjalën e urtë të nobelistit Indian të vitit 1913 Rabindranath Tagore (07.05.1861-07.08.1941): “Yjeve nuk u vjen turp të duken si xixëllonja dhe, ne i afrohemi Diellit të madh, kur jemi të mëdhenj në thjeshtësi…”

Ndër kriteret e punës në laboratorin e tij krijues esteti Canaj nuk ka bërë përzgjedhje të veprave të autorëve, por ka trajtuar vetëm një libër të një gjinie, pavarësisht se autori mund të ketë botuar, ta zëmë dy libra me poezi, nëntë novela apo 37 romane!… Ta zëmë, ë? Se dhe bën vaki!… Studiuesi trajton në këtë botim vetëm 1 vepër për zhanrin përkatës që lëvron shkrimtari.

Vepra letrare ka dy pole: polin artistik + polin estetik: 1.- Poli artistik është teksti i krijuar nga autori. 2.- Poli estetik është realizim i polit artistik nga lexuesi. Bashkëveprim i tekstit me lexuesin e sjell veprën letrare në jetë. Këtë kriter autori e ka respektuar dhe, aq më tepër, me përgjegjësinë serioze të penës së tij emërton mesazhin njerëzve që harxhojnë lekë e prishin letër, se kilogramë me gërma janë harxhuar kot, prandaj me ato para që kanë më mirë të bëjnë një çezmë, të mbjellin pesë ullinj apo diçka tjetër të dobishme të bëjnë, të lënë një gjurmë, që të kujtohet për mirë e me respekt. Eqeremi e shikon një libër, i pari i këtij lloji në Vlorë. Punoi, harxhoi kohë, harxhoi mendim dhe me dashamirësi e fisnikëri mbolli një pemë në kopështin e letrave me këtë studim të mirë. Ndonjë kritizer mund t`i kujtojë Konicën që thoshte: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur, kur s`kemi gjë për të thënë…” Ndërsa nesër do të thonë për Eqeremin, se të ikshëm nga kjo jetë jemi të tërë. “Ky pluhur ishte burrë dikur”, sipas një fjale të artë të Uollt Uitmanit (Wollt Witman: 31.05.1819-1892).

Eqerem, ke bërë punë të mirë, me vlerë, ke shfaqur mjeshtërinë artistike me një stil lakonik. Mos u tut, se edhe Fridrik Niçe (Friedrich Nietzsche: 15.10.1844-25.08.1900), te “Kështu foli Zarathustra”, shkruan: “Vetëm kur të më mohoni të gjithë, do të dua të kthehem tek ju”.

Këtu te ne, i nderuar Eqerem Canaj, letërsia është si një republikë ku çdo kush mundohet të bëhet mbret. Ti, me përkushtimin tënd të palodhur bëre radioskopinë e letërsisë së sotme, të autorëve që janë dhe banojnë në Vlorë. Nesër do të duhet të bëhet një.

Le të bëhet dritë për lexuesit, për nxënësit dhe për studentët ky libër, që të njihet ecuria drejt ngritjes e personaliteteve krijuese të Vlorës. I urti Firdensi ka një visar për ne: “Mos e nga milingonën që mbart kokrra drithi/ sepse ka shpirt dhe shpirti është i ëmbël dhe i dhembshur

Duke të uruar shëndet të plotë, u bekofsh nga e shenjta thjeshtësi dhe po e përfundoj këtu fjalën time më një kujtesë vëllazërisht poetike: As ti, as unë, as të gjithë krijuesit të mos e harrojnë këtë fjalë të urtë italaine: “Chi va piano, va sano” = (Kush ecën ngadalë, ecën i sigurtë).

Albert R. Habazaj

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve

“Petro Marko”, Vlorë

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s