Cikël me poezi nga Josif Gegprifti

 

Josif Gegprifti

Cikël me poezi nga Josif Gegprifti

 

 

Kujtoj një mbrëmje….

 

Kujtoj një mbrëmje plot hare,
me vajzën ecja përqafuar,
ishte natë e bukur pranvere,
putheshim poshtë një peme lulëzuar.

Por një ditë siç bëja përherë,
vetmuar kalova në atë rrugë,
pemën nuk e pashë, ishte prerë,
ndjeva puthjet e vajzës në buzë.

 

 

Ne vijmë si flladi i pranverës

 

Ne jemi pjesë e liqenit,
e valëve të tij të kaltra,
pjesë e lindjes së diellit,
dhe rezeve të tij të arta!

Ne jemi pjesë e luleve,
që zbukurojnë qytetin tonë,
ashtu si qielli prej yjeve,
zbukurohet natën vonë.

Ne jemi pjesë e jetës,
e natyres plot bukuri,
ne vijme si fllad i pranverës,
plot ngjyra e plot dashuri….

 

 

Stuhi e marrë ndjenjash…

 

Kjo stuhi e marrë ndjenjash,
që s’ka për të pushuar kurrë,
do gjëmojë zjarr vetëtimash,
do rrjedh përherë si lumë…

Në këtë rrjedhë ndjenjash me furi,
që zhurmon si valët e detit,
si pulbardhë me shfaqesh ti,
mes kaltërsive të qiellit dhe detit.

 

 

Ti ishe në sytë e mi!
(Mikut tim të paharruar Selam Malaj)

 

Selam,Selam,
Ti je lart në qiell
Unë, ku më ke lënë jam.
Dje,
Në dasmën e djalit tënd,
Të kisha në vështrimin e syve të mi.
Më pe,
Më buzëqeshe dhe ike,
Ike në qiell përsëri.
Pastaj,
Djali që të martohej,
Më përqafoi e më tha;
Të të puth edhe një herë
Si të puthja babanë
Dhe lotët nga sytë na rranë.
U pamë Selam,
Në dasmën e djalit tënd u pamë.

 

 

Ikën si zogjtë në fluturim.

 

Ikën djemtë e vendit tim,
Ikën larg në mërgim,
Ikën si zogjtë në fluturim,
Tufa,tufa muarrën arratinë.

Për t’iu larguar dimrit të ftohtë,
Ikën larg,shumë larg në perëndim,
Për një jetë më të mirë,
Ikën djemtë e vendit tim.
Ikën si zogjtë në fluturim.

 

 

Vala e Liqenit.

 

Pogradeci, qyteti i kaltëruar,
të bukur e ndërtuan perënditë,
dhe poetët në vargje i kënduan,
atij dhe liqenit plot dritë.

Sa herë që shkoj atje,
një dashuri më pret gjithmonë,
ajo dashuri që mbeti e re,
dhe e quajtëm“Vala e liqenit tonë”

 

 

Mimozës…!

 

Mimozën do ta pres,
Të çeli përsëri,
Mbi barin me vesë,
Do ulem të rri.
Kur të bier mbi mua,
Mimozë flokrverdha,
Do më thotë të dua,
Pritmë se të erdha.

 

 

Ditë e trishtuar.

 

Fryn një erë
Një erë e marrë,
Mbi liqen
Kalërojnë ca valë.
Në qiell
Retë e zeza vrapojnë,
Pika shiu të ftohta
Në krahët e shelgut lëshojnë.
Rrugët boshatisen,
Vetëm
Shelgu i gjelbëruar,
Lëkundet i dëshpëruar.
Erë dhe shi
Dita gri duket e trishtuar.

 

 

Dritarja e re.

 

E vjetër
Është tashmë
Dritarja e ëndrrave të mia.
Dua të krijoj një dritare të re
Dhe pastaj nga kjo dritare,
Të arratisem në një botë tjetër.
Shpresoj
Që ajo botë të jetë ndryshe,
Të ketë më shumë paqe e dashuri.
Bota që shoh
Ka shumë trazira,
Ah sa marrëzi ka në të…
Dritarja e re me ëndrra të reja.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s