Poezi nga Xhemile Adili

xhemile adili - 1

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

NOSTALGJI PËR AJRIN

 

Nuk di si bëhet më e zezë nata
Dhe më përvëlues dielli që nuk më prek.
Deri te ti unë vij orë e çast
Dhe kurrë aty nuk mbes,
Kthej sërish në gropën e zjarrtë ku rri.
Pse krahët e pëllumbit, dallandyshes, korbit të zi,
Pse një palë krah të ndritur nuk më jep,
Kur po më ik shpirti për pak dritë, për pak mallë?
Pse nuk më ndih? Po tretem, po shkrihem, po vdes!
Si kokërr rëre trupi im i shuar, dua lëng për jetë!
Dua zambakun në ujë, lulkën e shegës në dru,
Degën e jargavanit në ëndrrën e secilit nesh!
Dua fishkëllimën e trenit larg të më shpjerë,
Krrakatjen e zogut të madh lart, petlën e lules në mal
Edhe puqjen e dy buzëve tërë nektar
Të atij dhe asaj që duhet dhe do. Si unë çdo çast.
Dua gëlimin në tavernë, në degë peme, mbi urë,
Edhe në lumë e plazhit më të gjatë!
Dua dorën ngjitur dorës time, zjarri që m’bën shkrumb
Edhe muzgun e bukur, kur kullon mjalt ajri, toka gëzon!
Dua kukullën në prehër vajze, oborrin, shtëpinë që qesh
Edhe nuk pushoj të rënkoj për sytë e futures,
Sa shumë sheh, udhëton e përjeton!
Dua, dua… pse më nxirrosi i mallkuari djall pa shpirt,
Kur ulurojnë fletët e pemëve, fijet e barit, gjithçka rreth
Dhe unë për të tëra shkrihem e mbytem, dua shteg!
Nostalgji dhe për ajrin, dua rrugë,
Paçka të bëhet dhe njëqind herë tërmet!

 

 

 

DUHET TROKITUR PORTËN E NATËS FORT-FORT

 

Mos, mos ma vrisni gjethen e vetme,
As ujët e pakët të lumthit të shpirtit,
Frymë merr në mua gurgulli i një jete,
Duan të lidhin nektar e petla luleje.

Secilën natë me ty udhëtoj shtigjesh pa fund
Unë jam nur i një dashurie që s’do perëndojë kurrë.
Ylberi më byzëqesh, hëna më bënë rojë,
Jemi të dy bashkë, jo, – dot të na ndajnë.

Unë di për perëndi syrin që njohu veç lotë,
Zemrën që notoi shkrumbit pa kufi, për fe e di.
Unë po shoh, duhet bërë copëra pelerinën – natë,
S’prish punë, për mua merak mos u bëni,
po shuaj etjen ujit që po shtrydh shkëmbin!

Thonjt ngul tim gjoks. Zjarr, prush, dhembje pa fund.
O lodhe kështu, o Zot? Ku shkon kështu, o jetë?
Mos më torturoni deri në dhimbje! Nuk duroj, nuk pres!
Ëndrra është për të gjallët, triumfi është për njerëz!

E dua atë puthje, atë zjarr, atë prush, atë flakë!
Gëzimin më bëtë Sahara që lëvrit diçka tim shpirt!
Kaq kohë, trishtim, – nën sa kurora gjembash!
Kudo ku prekni, ku hedhni sytë, bëhet veç plagë.

Kam sa mallë e dhimbje! Një det helm ha çdo ditë e natë
dhe e dua atë puthje të një qielli pa skaj e anë,
Po pres, jo s’pres! Po vdes, jo s’vdes! Ҁ’fuqi ti më jep!
Bota qenka furnelë e vogël për skarë, dashuria sa mamute!

 

 

 

TË FALEM, YLLI IM!

 

Në të rënë muzgu dhe nata sa fillon të mbuloj me tis të zi
Retë dhe era, sa shungullim! Ti kthehesh, tamam si di.
Në një yll tërë shkëlqim, notoj ninëzave tuaja, i miri im!
Vetëm syve të mi mos u mungojë drita, vrapo, më çik!
Mban premtimin që më dhe… Kapitulli i errësirës do ik.

Në të rënë muzgu dhe nata sa fillon të mbuloj me tis të zi,
Flokët e pabesisë shtrihen si stuhi, shtrigash ushqyer.
Gjithë kohën perdet e stisura nga pluhuri i ligësisë,
Hapen e mbyllen, luhet teatër – cili më shumë të vrasë.
Askund s’dua të ik, pa buzëqeshjen tënde që më zhurit.

Në të rënë muzgu dhe nata sa fillon të mbuloj me tis të zi,
Në dhomë s’dëgjoj gjë, veç një frymëmarrje, si hungurimë
E drurëve në zjarr që flaka e pamëshirshme i gllabëren,
Kështu po tretem, po ik e kthej, feniks i lashtë mbes,
Kostume mëkatesh më të bukura, po vesh time pranverë.

Në të rënë muzgu dhe nata sa fillon të mbuloj me tis të zi,
Zemra sa s’më del kraharorit, dëgjoj hapa të rëndë.
Pse veç unë këtë fat? Kaq keq, kaq gjatë?!
Me lotët e mi mbush qiejt, bjerë, o shi, përmbytë gjithçka!
Ngre zërin përzier me lotë, lutem, përgjëroj: më pushto!

Në të rënë muzgu dhe nata sa fillon të mbuloj me tis të zi,
Dua të të shoh! Dua imazhin tënd! Buzët me verë të bardhë,
Flokët e mi të shprishur, ngjyer me lotë mosdurimi.
Sa mesazh i përsëritur! Shkit, hija ime, prek të dashurin,
Kthyer në lumenj jete, o ç’e do të përmbysurin filxhan?

Në të rënë muzgu dhe nata sa fillon të mbuloj me tis të zi,
Me një hov të fundit që vajti në theqafje secili imazh këtu,
Duhet të kap kthesën domosdo, treni dha fishkëllimë,
Biletën më preu perëndia, të falem, o qiell i dashurisë!
Të falem, o vertebër e vuajtjes! O gjak, o lot, o imi yll!

 

 

 

TI, DASHURI, MË HAP PORTAT ANEMBANË!

 

Jam bërë si fije bari, vetmitare në shkretëtirë,
Pa anë e fund pellgu i zi i kërcënimit turfullon
Dhe kërcëllen dhëmbët e secilit moment.
Kësaj nate nuk ndjej ngushëllim në asgjë
Shpirti digjet në zjarr humbëtire kohe të shkret.
Shkret pranvera, gëzimet shkret… pa ty s’mundem dot.
Është syri yt që pres ta puth, po ku është?
Mungesa jote më prushon, hi më bën deri në pike.
Puthjet e tua i dua si horizont që më thërret,
Se ç’më duket! Të njoha mijëra vite më parë,
Ty, valëvitje kallinjsh të pjekur në arë.
Ty, lozje doçkash të fëmijëve pas fluturës së bardhë,
Në një stinë ëndrre prore të bukur, në një lulemal,
Nën një diell të ngrohtë tërë behar përzier me aromë bliri,
Ah, në ç’flakë, në ç’ zjarr, prush, prush, vresht i zi,
Më tmerrove, më dhe udhë malli paanësisë ndër qiej
E kur ti sje me mua, nuk kam ajër, nuk shoh asgjë.
Në çdo tik-tak të orës dëgjoj rrahjet e thirrjes tënde
E mbështjellur jam me këtë frymë, shikoj rrugët
E pres nga do të vish, edhe pse larg je, por të dua pranë.
Ah, sa afër, sa larg të kam, por jetoj për çastin tonë,
Krahët hapur mbaj, gjoksi po m’çahet, kafka po m’plas.
E dua atë përqafim magme me magmë, sytë tuaj pranë.
Dua një cep buze, thonjt ngulur në mishin tim,
I dua këto rrezesh mbi selvi, mbi oborrin tim, mbi çati,
Mbi dhomën time – përbindësh i vetmisë!
Të më mbulojnë e të më miklojnë flokun e gjatë
Me fije vuajtjesh nga ari.
Po mbyll sytë, dëgjoj hapat e tu si po afrojnë drejte meje,
Njoh kaq vuajtje , vite, dekada palosur katranit të madh,
Edhe pse akoma s’kam mbeshtetur kokën mirë
Mbi atë që mund të quhet fat i mbarë, – ç’është ky?
Ah, sa e dua atë vend, ku dua të ik, prehje jete të has,
Vend që kur të jem unë aty, dhe mbi gur lulja të çel,
Sa mallë kam e qindra gjartpërinj po më shqyejnë!…
Të ndjej, si merr frymë,
Sepse shpirtin tënd tashmë ke brenda meje
Si puhizë e lehte me ledhaton madhor ky fakt
Shoh dritën e syve si vezullon, ku je? Ku jam?
Ç’dua kaq shumë, o perëndi, dashuria pse s’triumfon?
Ah, sa i dua ato sy, t’ua shuaj dhimbjen e gjatë shumë!
I dua me çdo çmim, i kërkoj me pishë, me thonj,
Perëndia do jetë urë mes nesh, do të takoj patjetër
Kjo pashmangshëm dashuri brafullimi të çdo bime
Në natyrë e në rënkimin njerëzor do të jetë.
Dashurija është horizont i buzëqeshjeve të botës së tërë,
Gjithnjë – forcë e mbinatyrshme.
Ku shkatërron mure, s’njeh sfrate, as ledhe, kufij.
Kësaj nate të pres, zjarrin e gjithë jetës time kam ndez
Veshur me lëkurën e qiejve ,
Me lëvoren e drurëve të vuajtjes për më hyjnoren e kohës,
Edhe trikon e thurrur me thirrje, durimin e humbur tashmë.
Kam veshur besimin e paparë prej yjesh
E me vello të argjendtë hëne të bërë nuse për njv tjetër jetë,
Për të mos humbur kurrë, kurrë brenda zemrës sime…
Të gjitha rrugët shpiejnë në flakën e tmerreve
Si më djeg shpirtin, për të t’i puthur sytë e shpirtit ty.
Me rit të lashtë lavdërimi e mbrojtjeje, ti, Apostull i vrerit,
Ti, dashuri, që më fale forcë t’i bëj ballë
Hungurimës së tërmeteve,
Që më hap portat anembanë fatit të panjohur një jete,
Shqyej këtë cipë të trashë errësire, lidhur pse më mbanë?!
Shqyej kurthet, frikën dhe helmin
E më jep rrezeve bekimin e mbarë!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s