Poezi nga Tulla Barnasa
Piktura nga: Shipra Bhattacharya
Kështu të dashuroj
Kështu të dashuroj
sepse ke flatër zjarri
vetullës së majtë, posht
dhe netët i ndez
errësirash të shoh.
Ti copton
hënën kur pi,
kur kam etje
gishtat shkallmon.
Në qerpikun tënd
gjen rrënjët, vet rruga
dhe drita zgjatimet
Sa herë zemra jote
barkut tim pulson
tejhapin fshikëza
farërat e botës
dhe hedh rrënjë brenda meje
pafundësia.
Ndoshta, hëna ka faj
për tejzgjatjen e sqepit
dhe mungesat pickon.
Le të rjedhë koha
rri pres, mbështetur qëndroj
me veshin drejtuar oqeanesh
derisa kurmi yt
honesh të më tejçoj.
Dëgjomë,
kam të lidhur gishtash
tërë zogjtë…
ata që çukisin gjuhës
shifra përndritjesh.
I liroj të të gjejnë
dhe nga bishti kap
detit manushaqe
deri sa të lulëzojë dashuria
lule të pamat.
Sa të rris vështrimi
gjithë hijet,
sa sypetëlat
të rrëzojnë yjet.