
Poezi nga Hysen Grajçevci
Shkëputur nga vëllimi poetik ” Shpresë e pëlotur
BIOGRAFIA IME
Emrin ma thonë Alban
Vetë jam Dardan
Baba kam Ilirin
Nënë Arbërinë
Motër Furtunën
Vuajtjen Stuhinë
Gjithçka tjetër Atdheun
Dritë Lirinë
Desha kështu të shkruaj
Një poezi
Dhe ngado që e sjell
Më del BIOGRAFI
AFORIZËM POETK
Në mungesë të guximit
Shpresat dhe ëndrrat
Mbesin iluzione
Në truallin e përgjakur mbillet amullia
Që udhëton me hove dhe ritëm
Të itinerarit përcaktuar nga frika
Dhe për pasojë
Robërimi mëton i patrazuar
Në mungesë të reflektimit
Intriga përkundet
Në djepin e Mjerimit.
AKTUALITET
Çdo ditë
Në të njëjtën rrugë
Me të njëjtin itinerar
Për çdo ditë të njëjtat mbishkrime
Në të njëjtat pllakata
Te së njëjtës rrugë
Çdo ditë përsëritje dite
Muaji
Viti
O Zot
Teoria mbi materien ka rënë
Apo
Kjo këngë monotone
Në këtë çmenduri
Të vetëkënaqësisë
Me muzikë funebër
Mban të gjallët
Në këtë rreth vicioz.
AMANETI I HOMERIT
Sot flas me Homerin
Gjuhë kam Pellazgjishten
Ndryshe si ta lexoj Iliadën
Flas me gurë me varre
Hieroglifet më thërrasin
Toka ime thesar
Historia mua më mbeti në vepra
Shkronjat shumë herë m’i vranë
Dëshmi kam Artanën Vushtrrinë
Prizerenin
Shkodrës Rozafa roje i bën
Dhe kudo që shkel ngado që shkoj
Marr me vete dëshmitë
Lezha Kruja Durrësi Butrinti
Apollonia Berati
Janë këto disa që më bëjnë historinë
Homeri nuk më pa
Po dora i punonte
Dhe me të shkruar të asaj gjuhe
Shumë amanete na la.
ATJE DHE KËTU
Në rrugëtim motesh sodis mendimin
Damarëve në shekuj ua shtrydhë vitet
Këtu
Në tokën time kanë mbetur vetëm
Hieroglifet mbetjet arkeologjike
Atje
Në labirinthet laboratorike copëza
Mishi të prishur
Në epruveta gjak i mpiksur
Për kombinime historike
E vërteta tretet
Atje nuk ka diell as dritë nuk ka
Ka një kuzhinë me një përzierje
Që kundërmon
Ka sajesa për servime të rrejshme mitike.
BREDHJE NË KOHË
Duke bredhur shtigjeve të kohës
Kërkuar të kem në rrjedhën e lumit
Në lindjen e diellit
Zogun ta kam dërguar për lajm
Se trupi më është tretur udhëkryqeve
Drita nga sytë më ikën si hije
Dhe dy rrudha në ballë më shumë më janë qëndisur
Heshtja ka zënë vend tek unë
Në monolog bie me vetveten
Ditët kështu më kalojnë
Në krye të mendimit takohem me agimin
Ti nuk je shpresë e humbur
As këngë monotone
Ti je si një vullkan i heshtur
Që shpërthen në këngë
E rritesh me blerimin e syve
Ty të kam takuar në prill
Dhe fytyrën tënde do ta skalisja në mermer
Por i frikësohem Mikelangjelos
Përndryshe do të pikturoja
Dhe mbase Dante s’do të hidhërohej
Do të ngritja një Poemë
Sikur mos të ishte Homeri
Në këtë statuja mijëvjeçare
Nis e hapëroj me kohën.
( Botuar në “Bota e Re”, tetor 1985)

Vëllimi poetik ” Shpresë e përlotur”