Qeni dhe lypësi / Tregim nga Fatmir Minguli

 

Fatmir-Minguli

Tregim nga Fatmir Minguli

 

 

Qeni dhe lypësi

 

Përse duhet vënë qeni përpara njeriut, madje që në titullin e kësaj rrëfenje?  Po në fund të fundit, rrëfenjë është dhe si e tillë pranon të qëna e të paqëna.

Por të vi atje ku dua të dal, e që pa hyrë po sorrollatem me problemin e radhitjes, qeni  apo lypësi?

E kam vendosur, qeni do jetë në fillim, por kjo nuk do të thotë se kur themi qeni do të nënkuptojmë lypësin, apo dhe të kundërtën. Ndoshta po të pranohej ky pohim atëhere titulli do të ishte vetëm “Qeni” ose vetëm “Lypësi”.

I shoh çdo mëngjes që vinë shend e verë nga “Shtëpia” e tyre dhe drejtohen në kazanet e plehrave.

Gëzimi, pronari simpatik i klubit të lagjes, kur po më shihte që  isha në siklet për  vendosjen e titullit më thonte:

-Po vendosi dhe kazanet e plehrave  në titull, se trinomi qen-lypës- kazan plehrash, është aspekti  më përfaqësues jo vetëm në lagjen tonë po në gjithë Durrësin.  I’a prisha Gëzimit, nuk kisha dëshirë t’ i shpirtëzoja kazanet e plehrave. Më mjaftonin shpirti i qenit dhe ai i lypësit.

Ata të dy i afrohen kazaneve dhe lypësi me një shkop tip krrabe nxjerr që nga barqet e kazaneve qeset me mbeturina dhe kërkon gjëra të ngrënshme, dhe jo për vete, por për qenin. Emrat e tyre nuk i di, por lypësi me një sjellje galante, mbasi e ka gjetur diçka ushqyese, i’a afron qenit te goja.

Eshte ora gjashtë e mëngjezit dhe mbi kazanet ka filluar beteja e qenve të rrugës për të gjetur ushqim nga hedhjet e natës. Beteja e mbledhjes së kanaçeve boshe ka mbaruar aty nga ora dymbëdhjetë e natës, pak orë para se të vinë makinat e komunales e të  zbrazin kazanet!

Qeni është ulur mbi dy këmbët e prapme dhe përtyp i lumtur ushqimin. Lypësi e sheh në dritë të syrit dhe sytë i shkëlqejnë. Të dy shohin njeri tjetrin me dashuri. Kur qeni e mbaron atë  ç’ ka i’u servir, lypësi nxjerr nga xhepi një letër buzësh dhe i fshin fytyrën qenit.

Para disa muajsh qeni ishte një qen rrugësh por  jo rrugaç si ata që vinin nga lagjet e tjera dhe fusnin hundët në kazanet e lagjes  tonë. Ishin sherrxhinj dhe shpesh, aty para kafenesë sonë shihnim beteja që përfundonin me shqyerje lëkure apo thyerje këmbësh.

Qeni, ky shok e mik i lypësit, është i bardhë, kuptohet një e bardhë e palarë dhe afër qafës ka një pullë të zezë. Ku t’a dish, mund të rridhte nga ndonjë racë e pastër qensh, njëlloj si lypësi që vinte nga një familje e dëgjuar qytetare, madje shumë e vjetër e Durrësit.

Lypësi nxjerr nga xhepi i xhakaventos ngjyrë kafe  dhe të zhubrosur, një leckë dhe e pastron me ngadalë nëpër trup,  pastaj  hedh sytë nga ne. Herë pas here Gëzimi i jep nga një kafe të mirë po jo me filxhan, me gotë plastike, ai e merr, i hedh sheqerin, e trazon dhe fillon t’a pijë duke i lavdëruar qenit veprimin bamirës të pronarit të kafenesë. Të dy, qeni dhe lypësi shohim me admirim nga ne. Ata nuk ulen në tavolinat e lokalit.

Ata të dy ikin, lypësi me një qese të hedhur krahëve kapur në  shkopin tip kërrabë dhe qeni i shkon pas si një fëmijë i bindur. Ikin dhe unë nuk e di se ku di, dita është e gjatë e deri sa të vijë ora gjashtë e mëngjesit tjetër  duhet të kalojë dhe një natë e tjetër  po kaq e gjatë.

Por mëngjesi tjetër vjen prap dhe ata të dy në të njejtën formë  shfaqin ritualin e tyre magjik, para kafenesë së lagjes sonë. Pastaj të dy ikin po aq krenarë sa dhe ditë  të tjera më parë.

 

 Durrës, në kafenenë e Gëzimit

10 gusht 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s