
Poezi nga Fejzi Murati
PUTHJET
U putha me agun
kur dielli puthte gonxhet,
u putha me gonxhet
kur gonxhet u bënë lule,
u putha me lulet
kur lulet puthte vesa,
u mora aromën
dhe u lumturova,
në çdo puthje luleje
buzët t’i shijova!
HËNA DHE TI
Hëna del fshehtas që pas malit
dhe zhytet nudo në det,
ti ndjek notimin e saj
dhe puthjet e detit gjithë epsh,
befas zhvishesh nudo si hëna
dhe drejt thellësive të tij rend.
Të ndjek pas
me frikën se mos mbytesh,
por deti të fut në gjirin e vet;
të dyjave ju përkëdhel nën yje,
të dyjave me gjuhë dashurie ju flet.
Unë
ngelem i vetëm në errësirë!
As hëna e as ti nuk më përfillni si më parë!
Nuk do t’ia dijë më as miku im, deti!
Sonte më trajton si rival!
ENIGMË
Herë më futesh në gji si një ëndërr,
herë më ikën larg gjithë krenari,
herë më tretesh në shpirt si një këngë
her-herë më trajton si fëmi.
Ç’farë do nga unë, nuk e di!
Shpesh më bëhesh valëdeti e kaltër
ku zhytem i hutuar gjithë frikë,
herë notoj mbi gjinjtë e tu të bukur
dhe nga sytë e tu marr jete e dritë .
Veç përherë mes tyre rri me frikë!
Amazonë më bëhesh herë të tjera
shigjetat në zemër m’i drejton,
duke qeshur shpesh më mbyt me puthje
dhe me gjirin tënd më mëkon!
Kurrrë nuk e mësova ç’më kërkon!
DY DRINËT
U takuan ditën e parë të krjimit,
duke sfiduar të gjithë lumenjtë e rruzullimit;
Drini i Zi me mallin e Strugës e të Tetovës,
Drini i Bardhë, me mallin e Fushkosovës.
Të përqafuar që nga krijimi i botës,
derdhin në Shqipëri dhimbjen që lanë kohët.