Një tregim për Sejfulla Malshovën / Nga : Etien M. Dilo

 

Një tregim për Sejfulla Malshovën

 

 

etien_dilo2-283x300

Nga : Etien M. Dilo

 

-Ku e njeh ti? –më pyeti një ditë Viktoria, halla ime, kur pa që u përshëndeta me Sejfulla Malëshovën.

Qe gushti i vitit 1955, kur e pashë për herë të parë në Ballsh. Isha 17 vjeç dhe isha emëruar atje si mësues, larg shtëpisë, i përndjekur. Sejfullai mbushte 55 vjeç. E dija që qe cilësuar ‘’oportunist i pandreqshëm’’. Për vite me radhë, kam kujtime pa fund, meqë më mbante afër për arsye që i dinte ai. Të them vetëm ca grimca, po që janë grimca floriri se kanë brenda poetin martir.

Një ditë në pazarin e Ballshit shkëmbeu bisedë me një fshatar. Sa u ndanë, thirrën fshatarin dhe e pyetën : ‘’Ç’të tha?’’ ‘’Kot më mbajnë këtu, tha , -u përgjegj fshatari. Unë jam i 44-rës, i 46-ës.’’ ‘’Hë! –u kërcënua hetuesi, ai është një, po, po ta lësh të lirë, bëhet 100, 1000…Është i zgjuar, po Partia është më e zgjuar’’. Kur dëgjova unë, rashë në mendime. Isha futur dashje pa dashje në shumëzimin aritmetik të Lame Kodrës së shkretë.

Nuk e harroj ditën e parë kur zbrita nga makina e Kamberit dhe vura këmbën në Ballsh. Me tim atë ngjita shkallët prej dërrase të kalbur të hotelit. Im at s’po gjente shkrepsen për cigare. Unë gjeta rast të çvishja pantallonat, fshehtas të ndërrohesha. Një dorë i zgjati babait një shkrepëse. Qe me kapele të madhe republike. Sejfulla Malëshova ,-më foli babai nën vesh. ‘’U, ai oportunisti’’,-ia prita unë jo pa djallëzi. Im at më kërcënoi me shënjë. I porsaardhuri u nis drejt restorantit të vogël. M’u regjistrua koka e rruar, sy të zez shprehës, hunda e rregullt, pantallonat sport e këmbët zbathur në sandale verore. Trup mesatar me ecje të veçantë, energjik apo krenar. Tundte në ecje pak kokën e lëvizte duart harmonikisht me trupin. Im at më tregoi ç’i kish folur, kur mori vesh që ishim nga familja e “patriotit sheperiot  të martirizuar”: ’’Mos  para fol me mua hapur, se gjen belanë!’’…

Qe një koridor i ngushtë, hotel me dy  dhoma dërrasash erë myk. Pashë një dhomë me derë hapur. Tre krevatë, në mes një tavolinë e vogël mbushur libra, ca fletë të shkruara me laps. Një karige e shtrembër. Selia e poetit syrgjyn. Hotelisti nuk na bëri vend aty, edhe pse rrinin krevatët  bosh! Qe Lame Kodra!

Në tavolinën e restorantit, Sejfullai me një pjatë, me ca rrush e me ca djathë. Deshi të na jepte një vesh rrush, po ia zgjati në fillim një majori që qe aty, pastaj dhe neve. Se kush i bëri shenjë atij, majorit dhe ai iku si i lemerisur duke lënë dhe bukën në mes. Vumë re që Sejfullait iu pre oreksi, përtypi vetëm ca kokrra rrushi të lagta, me trishtim, si të lagte gojën. S’foli më.

Qe magazinier i një magazine rrushi. Mbushte faturat, pasi ngarkohej një makinë. E shihja aty për herë të parë dhe s’u besova syve. Ulur në tavolinë, sapo e njihja. U afrova. Pashë firmën –magazinieri- S. Malëshova. Ato ditë kishte një telash të madh. I kishin vjedhur çelësin dhe ai qe i detyruar të lidhej aty, se i rrinte hapur dhe, po t’i vidhnin sado pak, e burgosnin. Rrinte i strukur në shi, në erë, në terr. Vetëm. Kruspull. I thanë sekretarit të komitetit për këtë anomali. Le ta vjedhin, tha ai indiferent, armiku vidhet dhe përgjigjet! Për çudi, asnjë nga të vegjëlit apo nga populli nuk e vidhte! Bile, në ca raste, kur kishte ndonjë nevojë, ikte dhe ua linte njerëzvet me mirëbesim dhe askush s’e prekte mallin. Më tha veçan: nuk janë ngritur kooperativat akoma që njerëzit të mësojnë vesin e të vjedhurit! U habita se nuk e kuptova ku qëllonte. Sejfullait i pëlqente shumë shahu. Edhe mua. Dhe loznim tok. Stimul vinim nga një ‘’pufkë’’që ai e donte shumë. Kur e mundja nga ndonjë gabim i tij thelluar në teori, më thoshte ‘’ti luan partizançe!’’ Veçan hapte ca libra shahu rusisht e frëngjisht, kalonte kohën. Më vinte prapë. Më vinte përpara, sidomos kur vija re fytyra vëzhguesish kërcënues në drejtimin tim. Dridhesha dhe mundesha lehtë. Sejfullai gëzonte. Nisnim prapë. Që ta ngatërroja, i recitoja vargje të përkthyera  të tij. Ia  thoshja ndryshe. Ai ngrinte kokën  nga unë duke më koregjuar dhe unë e mundja. E shihte veten të humbur. Kështu humbet njeriu në jetë, thoshte pastaj. Lajthit! Veçanërisht humbiste kur i recitoja nën zë si me vete, vjersha që i kisha mësuar në klasën e katërt fillore: “Natë e errët mbi Shkumbin e mbi Bujanë/ Dhe mbi Vjosën valetrumbull në çdo anë…’’! Humbte edhe ai larg në atë errësirë, që i kishte rëshqitur. Më ngjante filozof i humbur. Pastaj më vinte keq që hutohej dhe i mërmërija: “Unë e dua Shqipërinë, për një stan në Trebeshinë…” apo, ia thoshja ndryshe, “unë s’e dua Shqipërinë për një stan në Trebeshinë, për një dele një manar, për një Balo një zagar…”.. Bëhej menjëherë prapë fëmijë dhe vazhdonte poezinë: ‘’për një shkrapë e për një gur…’’. Ktheheshim te loja, e harronim kush e kishte radhën.

Një ças hyn instruktori i komitetit: ‘’Sejfulla, në atë tënden mora pesë në provim, shkëlqyeshëm!’’  Sejfullai qeshi. I kishte rënë ‘’oportunizmi i Sejfulla Malëshovës’’. Qe takim i grupeve të shkollave në festival. Një shkollë këndoi këngën: ‘’vajzë mali, nuse djali, larg në breg!….’’ Juria e dogji se qe këngë me vjershë të Sejfullait. Grupi u dogj, edhe pse u paraqit mirë. I ziu mësues, ngulte këmbë se qe e Lame Kodrë (siç e dinte sinqerisht). Kur e mori vesh Sejfullai, i tha diku mësuesit. ’’Të kam një borxh të madh, por me ato që më kanë dhe mua, do t’ju laj më pas!’’. Mësuesi hapi sytë dhe bëri sikur nuk dëgjoi gjë.

Në një pushim shahu, më thërret në dhomë dhe më lexon përkthimin e Nekrasovit: ‘’Kush rron mirë në Rusi’’ I ndritnin sytë. Dua ta bëj shqiptar, – më thoshte. Nisi të më lexojë përkthimin e fundit. Vëreja në fillim shkrimin e tij të rregullt, të lexueshëm qartë, në fletë të pavijosura, ikur shtrembër nga e djathta, pastaj më tërhoqi  zeri i tij, diku ulej e diku ngrihej, e bënte të gjallë atë që lexonte.  Për një çast shtanga. Më tërhoqi çifligari i Nekrasovit që s’e mbante dot peshën e krimit. Përpëlitej në gjumë. S’e linte të qetë ndërgjegjja. Kishte shuar shumë jetë njerëzish, vrarë mizorisht…

Sipas një ëndrre që kishte parë në gjumin e keq që bënte, të shpëtonte, duhet të priste me po atë hanxhar që kishte prerë sa e sa koka njerëzish, një rrap buzë një rruge. Ngrihet në mëngjez, shkon në binca të gjejë hanxharin. Hanxhari qe ndryshkur. E merr e niset. Shpejton ta gjejë e të presë rrapin shpëtimtar. Mbëriti në vend. Po ç’shikon! Një rrap 12 pashë i gjerë!  Si mund të pritej me atë hanxhar të ndryshkur!  E, megjithatë, i vihet punës,  përpiqet…

Aty kalon një tjetër çifligar hipur në kalë, që e shikon i  çuditur: “Sa kam vrarë, sa do të vras akoma! –i  thotë me qesëndi”. E tronditin këto fjalë. I hipën gjaku në kokë… unë që kam vrarë aq e aq të pafajshëm… unë të të lë… Nuk godet më rrapin, po me hanxhar godet  çifligarin, që rrëzohet  i vdekur nga kali. Në atë çast, rrëzohet edhe rrapi që ngrihej madhështor e i pamposhtur.

-Oh, kjo s’mund të botohet! –i them. Jo. Poetët janë të dënuar si Homeri në errësirë. Ai më vështroi me dashamirësi dhe nuk më ktheu përgjigje. Pastaj më foli për fatin e disa përkthimevet të tij, që ”s’mund të botoheshin, s’kishte ardhur koha…” ose “mund të botoheshin, po pa emrin e tij.” Gjithë zëmërim i kishte futur në çantë. -“Kur të vijë koha!” –u kishte thënë atyre të redaksisë”. O Perëndi! Po do të vijë koha. Kur? –desha të pyesja, po heshta dhe ai heshti. Kishte kohë që kishte heshtur dhe, me përkthimet që bënte, luftonte tiraninë, që aq shumë urrente.

Një ditë kaloi në Ballsh Mehmet Shehu. Syri i kishte zënë Sejfullanë, që ecte si e kishte zakon, me nxitim,  këmbëzbathur në sandale verore, pantallona sport deri në gju, kërcinjtë zbuluar, në kokë, kapelen e madhe republike. “Ju e shihni kështu dhe qeshni, u kishte thënë disa ballshiotëvet që e shoqëronin, po ne kemi nevojë për të.’’ Kjo fjalë u hap. Ne, mësuesit, e patëm më të lehtë të flisnim me të. Ai deshi të na mësonte rusishten, po nuk e lejuan.

Një fshatar pyet në rrugë se ku është samarxhiu. Ai është, i tha shoku, duke i treguar Sejfullanë me shpoti. Po, tha Sejfullai. Unë jam. Mos luaj –dhe iu afrua  t’i merrte masën për samar…Më tej një i ri e pyeti lirshëm se sa gjuhë dinte. Sejfullai i përmendte duke numëruar gishtat. Erdhi tek gishti i nëntë dhe po i mbarohej dora. Më mirë thuaj sa nuk di, ia priti shoku me simpati.Gëzonte se e çuan në Fier. Sikur do të vesh në Paris, i thashë unë tek po gëzonte. – Parisi është harruar tani, ma priti. Ka dalë Pekini!    E munda në shah. I qeshur, më tha: “Është fatkeq ai mësues, të cilit nuk ia kalon nxënësi”. I mbura Sheperin tim duke ia krahasuar me Malëshovën e tij, me ata që përdornin midis tyre dogançen, atë të folmen që të mos i kuptonin dot të tjerët. Ma priti: Ka nxjerrë e ka nxjerrë ai Sheperi yt, po ka nxjerrë dhe… Ishin njerëz me pozita me rëndësi në shtet. Sigurisht nga ata që do ta kishin spiunuar tek Enveri.  Ata që, kur Sejfullai u vinte për ndonjë vizitë në shtëpi, uleshin këmbëkryq para tij  dhe i recitonin: “Këmbëkryq përmbi selishte/ ia marr këngën pleqërishte/ Ndez çibukun e këndoj…” kushdi ç’kishin qëndisur prapa krahëvet. Sejfullai karaktere të tilla nuk mud t’i duronte dhe nuk i falte.

 

Sejfulla-Malëshova-v

Sejfulla Mashova ( Lame Kodra ) 

 

Pas një viti do të takohesha me tim atë në Sheper dhe më pa të kënaqur nga njerëzit në vendin ku punoja. Një gjë mbaj mend nga tya në Ballsh, më tha. Para se të vinim në atë vend, qëndruam në Vlorë. Zumë një dhomë në hotel “Sazani” dhe të porosita që, kur të zësh hotel, zgjidh hotelin më të mirë, shko në restorantin më të mirë, mos kurse; kurse në gjëra të tjera. Në Ballsh u mërzita se nuk kishe as hotel, as restorant të mirë.” Rëndësi ka të ketë njerëz të mirë, më the.” Po aty kishët dhe Sejfullanë. Nga njerëzit e mëdhej, fiton;  e kishit dhe rrufepritës; ai goditej; nuk e di si do të jini këtej e tutje;  këta duan luftë, atje ku nuk ka luftë.”

-Mbete pa shahist, -më tha dikush . Befas ai më njoftoi: Tani të erdhi shahist i vërtetë. Prite, miqësou. Dali Ndreu!

E pashë për të parën e të fundit herë para restorantit. Sa vezulloi. Një burrë i gjatë, me flokë të drejta, të bardha. Shumë i menduar. Aty ulur, duart i mbante lidhur prapa qafe. Kisha lexuar një tregim në librin e këndimit kur isha nxënës i klasës të katërt të fillores që e pikturonte si luftëtar të madh dhe e pashë me admirim. Sot ai kërkonte leje këmbëngulës, se kishte diku larg vajzën të sëmurë. S’i jepnin. Qenë orët e pasditës. Erdhi një gaz ushtarak. Sa mirë, thashë, e çuan tek vajza. Tek dera i hodhën hekurat. Zgjati duart në heshtje tepër krenar dhe u fut vetë brenda. Më pas u habita, kur lexova në gazetë që Dali Ndreu e Liri Gega u arrestuan në kufi dhe u dënuan me pushkatim.

Në Fier Sejfullanë e shihja me një biçikletë shkatërraqe. Kishin ndodhur ngjarjet në Hungari. Paraqitej në degë në një orë fikse. Shpesh, pa gdhirë, vinte në radhën e qumshtit. I tregoja një shishe para times. Hapte sytë. Është jotja, i thoshja duke qeshur (i zija radhën). Gëzonte. Mirrte shishen e qumshtit dhe futej midis fëmijësh (fëmijë s’pati kurrë) dhe ikte në dhomën e varfër. Nëna e kishte lënë.Kishte një motër, zonjë grua, po e kishte larg e rrallë i vinte. Megjithatë, s’ia pashë kurrë jakën të papastër. Rruhej për ditë, deri në kokë me brisk.(Më kujtonte Thoma Papapanon). Një ditë, diku, i kërkuan një autokritikë. Po ç’e doni? -u përgjegj. Ju fituat!  Kishte ardhur Hrushovi në Shqipëri. E pyesnin për politikën, si i dukeshin ndryshimet. Sejfullai mblodhi buzët, pastaj dikujt i tha: “Ju do të bëni atë që kam thënë unë. Është e domosdoshme. Sidoqoftë, ju e dini, e zbuti ca mendimin”. Në magazinën e Fierit erdhi me goditje…një nga ata, me pozita. Në një mbledhje, ai i thirri kolektivit, duke menduar të ngrihej prapë: “Shokë! Mos harroni, vigjilencën, se midis nesh kemi dhe armiq si Sejfulla Malëshova! Sejfullai iu përgjegj: Që unë jam armik, e di Enver Hoxha. Po ti je i rrezikshëm, se ai nuk të di akoma. Salla ngriu. Sejfullai shkonte votonte i qetë. Kur tallet populli me 99..99 për qind, pse të mos tallet dhe Sejfullai, -më tha nën zë.            Kur ecte  rrugës, as shihte si kurreshtar, as ndalonte. Ndalte vetëm kur u hidhte topin në lojë fëmijëvet.

S’po e shihnim. S’dilte në radhën e qumshtit, do të jetë i sëmurë, më thoshte gruaja. Pastaj i shihja fytyrën në dritare, i zbetë, i lodhur, si nga një botë tjetër. Diç u lutej fëmijëvet nga lart. Shkoi në ambulancë. Rrugën 20 minuta e bëri 1 orë. Vetë mezi ecja nga reumatizma që më kishte zënë keq.

S’di pse udhës Sejfullai anonte në ecje nga ana e majtë.

U shtrua në spital. I thanë të operohej nga apandesiti. Ai nuk donte. Donte të vdiste.

Vdiq, e mori karrua e komunales dhe e varrosen dy punëtorët e komunales.

Vdiq, një njeri i madh, si gjithë ata, që vdesin dhe mundin vdekjen.

U pikëllova, kur dëgjova. Sejfullai atë vit mbushte të 70-tat. Në mendje më vinte “Zgalemi”… mbi të thinjët shesh të detit, era fryn e mblidhen retë…” lajmëtari i furtunës, “si e zezë vetëtimë…”, që ai aq bukur e ka bërë të flasë shqip dhe më pëlqente çdo herë e më shumë kur ua komentoja nxënësvet. Para syve më dilte Sejfullai zgalem, zogu trimosh qievet të atdheut, detit të trazuar, gjithnjë në fluturim, që vuan e habit  brezat.

Ato kohë në fshat m’ u arrestua xhaxhai dhe e qepa gojën më keq.

U shtrova në spital, në dhomë më prunë një “të sëmurë rëndë”. Pas ca ditëh u bë qiqër. I pëlqente të bisedonte me mua për Sejfullanë. ”Dy trima ka Shqipëria, më thoshte: Sejfulla Malëshovën dhe Ismail Kadarenë me “Dimrin e vetmisë së madhe” dhe “Kronikë në gur”. Për fat, i kisha mësuar mirë dhe “oportunizmin e S. Malëshovës” dhe parimet e realizmit socialist, prandaj, kur u largua, më tha që, po të flisja kështu, s’kisha për të pësuar gjë…

-Edhe Sejfullai nuk diti cilët qenë shokët e tij, nuk diti me cilët të bashkohej, -më foli  Viktoria e menduar. Të gjithë njerëzit e mëdhej, kanë nga një të metë; gabojnë rrallë, por, kur gabojnë, gabojnë rëndë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s