Poezi nga Sofia Doko Arapaj
***
Ah, t’ a dinit sa vuan
ky ishull,
si fërkohen dashuritë
ndizen zjarr,
si zjarri shtyn zjarrin,
të çlirohet,
si shkëmbinjve zemrën,
u ka çarë,
si llava e përgjakur,
lëngëzuar,
e lirë edhe magjishëm ,
dashuruar…
***
Të njoh ty kalimtar
edhe pse s’ të kam parë asnjëherë
ti je prej andej nga jam dhe unë
edhe frymëmarrjen t’ a ndjej
E di që tani po loton…
Mos loto!
S’ i sheh retë në qiell?!
Do tërbohen
do na qëllojnë me rrufe…
Më mirë hesht!
Nuk është faji ynë,
që nuk vdesim dot më …
Na munduan shumë,
aq sa na u mbaruan vdekjet….
Rri pakëz …, ndiz një cigare.
Ose… këndomë një këngë
cilën të duash ti…
Këndomë,
deri sa të dëgjohet
trokëllima e fantazmave…
…
Akoma jemi duke kërkuar dashurinë…