Poezi nga Sokrat Habilaj

Sokrat habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

 

Dikur ishte kështu

 

Në gërma, i kam kthyer dikur gratë,
Dhe gërmat në gra i ktheja më herët.
Ndoshta doja që të fshihja çdo mëkat,
A shpikja flirte, ndryshe nga të tjerët.

Në gërma, gratë dikur i mbaja pezull,
Më pas u bënë si gra, të gjitha gërmat.
Po erdhe ti dhe më prishe çdo rregull,
-Jam gërma!Jam gruaja! Leri ëndrrat!

 

 

S’ JE IMJA E GJITHA

 

Ti, nuk mund të jesh imja, e gjitha,
Ndryshe do ishe një grua, si të tjerat.
Që kafshojnë pa zë, germa të trishta,
-Jam e tij!-dhe i harrojnë dhe emrat.

Ti s’mund të jesh imja në çdo detaj,
Ndryshe bëhesh hartë me hieroglife.
Ku do firmosja në fund:-Burri i saj,
E pastaj do të mbyllja në një shishe.

Ti s’mund të jesh imja në çdo pjesë,
Ndryshe si barbarët që nisen në luftë.
Do t’i vringëllija armët mes për mes,
Të pushtoj një pllajë, kodër, a skutë.

Ti, nuk mund të jesh imja, e gjitha,
Ndryshe ti do ishe veç një gënjeshtër.
Vërtet s’mund të jesh imja në grimca,
Po asnjë grimcë jotja, s’ka zot tjetër!

 

 

TI NUK SHKRUAJE VJERSHA

 

Unë doja të të bëja si veten, në rini,
Si unë të grimcoheshe në çdo rresht.
Dhe të lutesha që të shkruaje poezi,
Nëse ndihesh plotë, s’ke pse hesht.

Nëse ndihesh plotë, s’ke pse hesht,
Të përrallisja në atë kohë, e moshë.
Ndërsa të fshihja, faktin e thjeshtë,
Poetët shkruajnë kur ndihen bosh.

Poetët shkruajnë kur ndihen bosh,
E trilloja se vargjet rindezin flakët.
I ulur përball teje, ëmbël të të josh:
-Shkruaj e në grua, m’i kthe fjalët!

-Shkruaj e në grua, m’i kthe fjalët,
Po ti ishe ndryshe, nuk ishe si mua.
Ku dija se poetët janë ca të mangët,
Ç’dreqin kërkoja, të të ribëja grua?!

Ç’dreqin kërkoja, të të ribëja grua?!
Ti ishe frymë e të ktheja në rreshta?!
Në djall vjershurinat, tani më si dua,
S’të bëra dot si unë, më bëre si vetja.

S’të bëre dot si unë, më bëre si vetja,
E shpirtin ma mbushe pak nga pak.
Gratë e bukura, s’shkruajnë vjersha,
Vjersha shkruajnë burrat dështakë!

 

 

DRUHEM

 

Druhem se ca sherre, do i lë në mes,
Ndoshta një kohë tjetër, duke pritur.
Po nëse rri e pres,çastin kur do vdes,
Kur të vijë vdekja, unë do kem ikur.

Druhem se kam plotë gjëra të tjera,
E mbase s’ them, asnjë gjysmë zëri.
Po nëse unë pres, vdekjen tek dera,
Do të jem i kthyer në heshtje, i tëri.

Druhem se s’kam as besim tek vetja,
T’ua përplas në fytyrë, e të iki tutje.
Po nëse pres ditën kur të vijë vdekja,
Do jeni ju, që do më ngrini mbi supe.

E mbi supet tuaj, s’ju mbaj më inat,
Më mirë që s’fola, ja si vijnë punët.
Kur të më lëmoni brinjët me lopatë,
Do të shkelni syrin, se më mundët!

E pastaj në tavolinë, të ulur përball,
Ju do më kafshoni kujtimet të gjitha.
Nëse nuk më mundët, kur isha gjallë,
Thua se do më mundni, tani që ika!?

 

 

TANI QË MËSOVA…

 

Tani që kam mësuar se poezia, më tepër,
Është grua e trishtë, e zhytur në mjegull.
Mos duhet të mendoj qoftë edhe në letër,
Se ikona pa fund grash më rrinë pezull!?

Tani që mësova se mua, gjithmonë vargu,
S’më shqitet nga vetja pa marrë një trofe.
Mos duhet të mendoj se më tutje, së paku,
Diçka do më mungoj, po ty do ta fsheh!?

Tani që mësova se kur unë hedh një rimë,
Sikur po kërkoj shtigje të tjera në rreshta.
Mos duhet ta mendoj vargun, pa kuptim,
Që s’më lë të vij tek ty, udhëve të vjetra!?

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s