Poezi nga Genc Kastrati

 

14137872_1177297772329040_1539745651_n

Poezi nga Genc Kastrati

 

 

Udhëtim jete

 

Ecnim dhe vraponim të zbathur
Kur lëkura trashej me rritjen tonë
E tani këpucët na u rënduan pa baltë
Flokët na i mori era më vehte në gji
Dhe shikimet na mbetën të zbehura
Kur një fjalë mbeti në fyt pa u thënë
Në dëshirat e mendjes së lënë në vetmi
Në harresë truri dhe acari kur mbërdhiu
Theu ngadalë kristalet e shpirtit të mplakur
Në gjembat e tyre u përgjaken këmbët
Që ndër vite i pluhëruam rrugët
Dhe rrudhat e fytyrës nisën marshimin
Si krimbat në tokë pas shiut të rimtë
Pleqëria erdhi si trofe e vyshkur
Lakmuam si fëmijë të kthyer përsëri
Dhe do ikim me thesarin e zemrës.

 

 

Ti je

 

Ti je shumë e bukur shpirti im,
e bukur në ëndrra dhe në realitet,
endesh së bashku me mua
prej paqes ku shterojnë lotët e tu;
më bën të të mbaj në sytë e mi.
Si një flutur më merr
deri në horizontet e pakufishme
dhe kështu larg me ty
udhëtojnë mendimet e mia.

Ti je shumë e bukur shpirti im!
E ke dëgjuar këngën time
që shkruhet shkonjave në zemër?!
Si në pentagram je shndërruar në yll.
Ti më bën të fluturoj aq lart
dhe mbijetoj përherë në tokë,
gjithmonë shpirt, gjithmonë me ty.

 

 

Loti yt

 

E dashur është një pikë loti që tokën e ujit
Që i ka rrënjët dikund thellë në shpirt
Kur nga syri yt loti lind i trishtuar
Në faqe të rrjedhë si kroi i lëshuar
E sikur dita ikën e fshihet pas natës
Ti rri e mërzitur e asnjë fjalë s’e thua
Me një pikë loti s’të shuhet bukuria
Asnjë pranverë s’buzëqesh më ëmbël
Sa loti në faqen tënde si lumë dashurie
Nga brumi i dashurisë ti me lot ushqehesh
E kur sytë të skuqen si syri pagjumë
Vesa mbi lulet shtrihet si në shtrat dashurie
Dhe pret e dashuruar t’ikën me rrezen e parë
E kur shikimi yt këthjellët si moti pas vrenësirës
Kristalet vishen me shkëlqime
Në grunaja, gruri piqet i rreshkur
E në male ti shkrin edhe deborën si vapë vere.

 

 

Përjetësi

 

Mbrëmë të pash’ papritmas;
vallëzoje mbi ëndrrën time.
Erdhe si një vajzë e ikur,
për hir’ të dashurisë,
shtegut tim të hapur.
E, sa shumë rrugë hapa për ty;
hapa dhe krahët e mi,
sikur doja të fluturoja,
me ty në një pafundësi,
ku nuk prek këmba,
ku nuk gjuan guri,
ku nuk mallkon’ syri.
Mbrëmë pushtova botën,
gjersa flinte e djersitur;
unë dhe ti prekëm qiejt,
e pavdekshmërisë,
dhe takuam ëngjëjt,
tek bënin roje,
pellgut të dashurisë.
Tani aty kam ngelur,
tek mbrëmja e kaluar,
nga çasti kur erdhe ti,
qëndroj varur shpirtit tim,
lartësisë së pushtuar,
dhe më nuk dua të zbres poshtë,
këmbëve të mia.

 

 

Sa keq

 

Sa keq që s’mund ta ndaj tokën më dysh
e ta ribashkoj nga dy pllakat e prera,
me mua dhe ty në majë të dashuruar;
ç’bashkim urragan do të ishte e dashur!
Sa keq që me një shikim nuk zvogëlohet largësia
e të përpihet e tërë hapësira;
do të bëheshim bashkë nga një shkrepje syri!
Sa keq që çdo gjë është kalimtare
e lindur me frikën mbret në vete;
a thua vallë po të rrinim me shekuj pa ndarë,
mos do vinte prapë një çast i parë,
kur do të ndaheshim nga ai çast?!
Sa keq që zëri nuk ka fuqi burie
e të jehojë në çdo skaj të botës,
si në ditën lajmëtare të zgjimit të madh,
do të bashkoheshim vetëtimthi nga një tingull;
sa keq e dashur, sa keq!

 

 

Piktori

 

Malit mos ia tret deborën
Se e ka vello nusërie
E detit mos ia ndal valët
Se i ka krahë kur zgjohet
Fushës mos ia vyshk lulet
Se i ka paje të bukurisë
Pemëve mos ua këput gjethet
Se ndër hije u ëndërrojmë
Lumit mos ia shkurto shtratin
Se e ka rrjedhë jete
Diellit mos ja shuaj rrezet
Se me to ngrohim zemrat
Hënës mos ja humb natën
Se ajo vetë e ndriçon
Qiellit mos ja harro yjet
Se i ka vallëtarë të gjithësisë
Mua m’i zgjat duart
T’ua ledhatoj shenjtërinë.

 

 

Kur ecnim bashkë

 

Kur ecnim bashkë rrugës së lakuar
Gurëve ua falnim gjurmët e luleve ledhatimet
Zemrat zgjoheshin peshë në dyndjet e tyre
Për të afruar rrahjet e shpeshta në një tingull
Në ofshama të përbashkëta frymëmarrjesh
Gëlltitnim shikimet e buta plot mëshirë
Dhe i fusnim në mozaikun e kujtesës
Për dashurinë që po lëshonte zanafillën e saj
Si hap i parë fëmijë për rrugën në botë të re
Labirintheve të jetës në përpjekje sfidash
Zëri i fjalëve kumbonte si kembanë dashurie
E kur akrepet e orës flinin mbi njëri -tjetrin
Unë dhe ti dorë më dorë i lidhnim fjalët tona
Dhe në epshet e puthjeve të gjata ndalonim kohën.

 

 

Cila je ti

 

Cila je ti,
që ke hapur portat e zemrës
si dyert e parajsës
që hapen ngadalë
dhe më fton si një tregim i bukur,
në madhështinë e krijimit?!
Kam ngelur i varur për dyer
dhe shikoj me habi,
bukurinë e pafund.
Frikësohem mos jam ëndërr,
mos nuk shoh vetëm me sy
dhe prish shtratin e lumturisë,
porsa të filloj të shkel, në kopshtin
e sekretit të dashurisë.

 

 

Ajo rruga

 

E mbaj mend atë rrugën time,
e quaj “rruga e parë”,
që më hapi udhën
e njohjes
më të bukurën
dhe nganjëherë kaloj andej.
Ishe vendi kur u pamë
unë dhe ajo…
Sa e bukur më duket,
një sokak i vjetër
që më flet shumë zëshëm
qetësisë,
që e ka mbuluar
e harruar prej kohësh.
Ia numëroj gurët,
është mbuluar me bar,
duket që shumë pak shkelet,
dheu e ka pirë shiun
dhe ka gufuar
gjelbërimit.
Si gjelbërim ishte
dhe njohja jonë;
shelgja akoma qëndron aty,
ku u pat mbështetur ajo
dhe unë si i ri,
këmishën hapur gjoksit,
bëja bisedë malli,
tek shpalosja ëndrrën.
Më kutohet i flisja
për mrekullitë e jetës,
ajo mbahej me njerën dorë për shelgjen
e unë me cigare e tymosja
herë pas herë.
Ajo nuk kalon më
asaj rruge,
rrugë e gjatë e ka përpirë,
ka ikur shumë larg;
vetëm unë kthehem
nganjëherë
tek vendi i saj dhe i imi
e ajo nuk e di
që kjo rrugë për mua
është me vlerë
sa krejt toka
dhe pasuritë që ka.
Një shpirt i dashuruar kënaqet me pak,
me aq pak,
sa dhe vetëm me një rrugë,
që aq thellë derdh kujtesës dashurinë
edhe pse ajo ndoshta
më fare s’e kujton,
unë vazhdoj ta vizitoj dhe atë,
pikërisht nëpër këtë rrugë.

 

 

Të moshuarit

 

I kam dashur gjithmonë të moshuarit,
sepse tek ta shoh gjithnjë një kohë të gjatë,
aq të bukur dhe krenare, kohë tashmë e kaluar,
nëpër sfida me përpjekjet e vazhdueshme.
Krenaria tek ta është si nektari i çmuar
që bleta mbledh nëpër faqet e luleve
dhe derdhet si mjalta e ëmbël,
në gojëdhëna për sytë e njomë,
gjeneratë pas gjenerate.
Nëse e dashura ime mendon që agimet janë të zbehta
dhe më nuk ka se çfarë të thuhet nga ajo që nuk sheh,
atëhere kthe shikimin tënd nga të moshuarit,
të dëgjosh faqet e lexuara një romani të jetës.
Aty do të takohesh dhe me shumë mrekullira
se si lufta, paqja, dashuria dhe urrejtja
u mundën gjithëherë mbi pejzat e zemrës,
deri tek triumfi i pleqërisë dhe erdhi,
një pauzë e bukur për të reflektuar mbi të kaluarën,
siç qëndrojnë krenarisht çdo herë,
lisat nëpër fortunat e erës.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s