Psikologia / Tregim nga Melaize Gropa

melazie Gropa

Tregim nga Melaize Gropa

 

 

Psikologia

 

Qyteti i zymtë atë  ditë shkurti  ia shtonte edhe më  shumë ankthin e  frikën se dielli  s’do të  shkëlqente kurrë më. Makina rrëshqiste mbi akullin e hollë në rrugën thuajse të zbrazët.  Shalli  i butë mbështjellë qafës sa s’ po i merrte frymën. Sytë e saj të lodhur prej pagjumësisë  ishin enjtur e gati po i mbylleshin. Takimit me psikologen po i vinte ora. Hodhi sytë  mbi kroskot, aty ku ishte ora elektronike dhe vuri re që  ishte çerek ore para. Sa e përhumbur kish qenë ato kohë  Nuk dinte çfarë  e kush ishte. Zhgënjimi i kish mbërthyer çdo qelizë të trupit aq sa i mungonte dëshira për të jetuar. S’ kishte më forcë as për  të marrë  frymë. E tmerronte fakti se  duhej  të  falte e s’ kish forcë ta bënte. Nuk arrinte ta besonte që  ndodhej në atë  situatë. Shpresonte që psikologia do ja lehtësonte sado  pak atë  barrë të  rëndë, që po e torturonte aq shumë, por besimi ishtelëkundur shumë më tepër nga sa e paramendonte. Pasi bëri një xhiro përreth qytetit u kthye sërish tek hyrja. Parkoi makinën e u nis drejt klinikës. Trokiti në  derën gjysëm të hapur, nga ku  dukej  një  tryezë, disa letra mbi të e dy duar të vogla që vinin rregull në atë mori shkresash.

“Hyr”, – u dëgjua një zë potent.

Ajo shtyti derën dhe pas atyre duarve të brishta u shfaq një grua imcake. Hodhi sytë  përreth dhe nuk pa askënd tjetër në dhomë veç saj. Zëri i saj ishte në propocion të  zhdrejtë me trupin e vockël e fytyrën e ëmbël.  Pasi u përshëndetën  psikologja e ftoi të ulej në kolltukun përballë  tryezës. Ajo e dëshpëruar deri në kockë nuk dinte nga t’ ia niste e çfarë ti thoshte, por psikologia nisi bisedën sikur të kishin qenë  mike që në  fëmijëri. E pyeti për  çdo aspekt të  jetës  së saj, derisa me delikatesë e mjeshtërii hyri atje, në skutën më të largët të shpirtit të saj, aty ku plaga i rridhte vrer në vend të gjakut. Biseduan gjatë ashtu si nuk besonte se do kish biseduar me askënd. Pas çdo pyetje që i behej ajo ngashërehej në lotë, në lotë që peshonin shumë, lotë që mbartnin me vete dhimbjen e madhe të saj. Pas çdo  fjale të psikologes pesha e madhe që i shtrëngonte kraharorin po i zbutej.

“Sa mirë që u takuam” – ishte fjala që do donte të thërriste fort ato çaste.

Koha kish fluturuar pa u kuptuar dhe trokitja në derë e pacientit tjetër i kujtoi që bisedës së tyre i kish ardhur fundi. Ajo fshiu lotët që  i zbrisnin faqeve e i bashkoheshin në mjekrën që i dridhej. U përshëndet me gruan e imët me një përshëndetje të ngrohtë dhe u largua për te makina. Jashtë, dielli kish hedhur rrezet , ndërsa moria e kujtime të bukura filloi ti ndriçonte qenien e saj. Çuditërisht ju rikujtuan emocionet e dikurshme.  Dëshira për ti përjetuar sërish u bë më tunduese dhe sikurse rrezet pranë detit u kujtua, se ajo ishte gjallë dhe duhej të  ndihej e tillë.  Askush dhe asgjë  nuk ishin më të rëndësishëm se “Ajo”.

“Faleminderit”, pëshpëriti me zë të ulët, duke kaluar në mend bisedën me psikologen dhe  i dha gas makinës, për t’ u kthyer në shtëpi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s