Poezi nga Rudina Mërkuri
PRES
Pres,
edhe kur fjala dhemb,
Deri në grykë të shpirtit,
dhe kur fryma bymehet,
e dot tingull të mos nxjerrë,
Pres,
edhe gumëzhitjen e xhamit,
të veshur me avull të nxehtë.
Jam vardisur kohë-stinës,
që mbiu në tru,
si botë jaranësh.
Sa do larg të jetë bashkimi,
do pres,
aty në kafshimin e buzës,
në fshehjen e diellit,
që hesht…
FJALA-U QËNDIS NË DET
Nëse kjo ditë u dogj,
kape brendinë të ulesh,
mes vapës dhe akullit,
do ketë piskamë,
do brehet fryma lebetitse,
orgjira momentale,
botë cikatritse,
zhubrosje plasticiteti,
ka ende insekte të fryra,
shtrat-ngrehosura,
ka gardhe në sundim shpirti,
në duar qielli pa fre.
Vetëm se…
grryerja do mbetet kujtesë rrëke shiu,
se brumi në tru,
u qëndis në det.
SYRGJYN-GJALLË
Po plakesh,
zemër kallkanosur,
në hije,
gjethetharë,
çdo ditë të mpaket gjaku,
njeri i shplarë.
Ti laborator me miza, ti errësirë e rrugëve në fjalë,
dritën e përgojove,
agimin e dërgove,
syrgjyn -gjallë.
KAM FRIKË TË PREK
Kam frikë të prek fytyrë e bukur,
kam frikë se vjedh,
aty mes pishave,
mes rrënjëve të një malli,
zilinë me gjethet,
rri e pres.
Aty u prek murgu i ri,
zemrën ia mbuloi e puthura,
trupi i mbeti në arrati.
Mos ki frikë,
nuk lyp ditët e tua,
se ato janë perëndi,
të verdhë fustan ta ngjeu dielli,
të verdha flokët nasqeri.
TI-PAS NJË TË HUAJE
Ti ngelesh qelq,
i pelegranazhit që vezullon,
i trokitjeve dhe hyrjeve,
në mbremjet e lagura,
i pashaportës të mbeshtjellë fortë,
pas xhepit të ngrohtë.
Si raki e fortë pas një tryeze,
Përkthen dashurinë,
pas një të huaje.
A e di!
vete zhurmat e hapave të tua,
japin shifra pagjumësie,
rrokje të numrave të bardhë,
ngjyra marrëzie,
çaste të verdha pas një vrapi të çmendur,
në riciklimin e shkronjave të mia…
LINDI NDRYSHE
Lindi ndryshe ajo,
zjarr në terr ujqrish,
moderne në kohë mesjete,
Krahë tipografike,
në botime preludesh,
ankth fytesh që bërtasin,
në presione simfonie.
Ngele këmbë magnetike,
aty në prillin e thyer.
Sikur ajri të ishte gjithmonë i ngrohtë,
akull-zjarr,
do luteshin “në thyerje guackash”…
Vargu i lire nuk eshte edhe aq i lire sa duket, ndaj dhe levrohet shpesh nga shume individe qe rreken te shprehen poetikisht.
Dua te them se vargu yt me pelqeu shume; kishte stisje te goditura fjalesh qe te benin per vete teksa ravijezonin dicka nga jeta jote. Poezia e pare “Pres” me pelqeu shume.
… Sa do larg të jetë bashkimi,
do pres,
aty në kafshimin e buzës,
në fshehjen e diellit,
që hesht…
Temat dashurore jane te shpeshta, por te gjesh nje pikeveshtrimi te atille per te thene ate qe eshte e “pergjithshme” kerkon aftesi e talent, te cilat ti i ke Rudina.