Një libër me vlerë për sot e për të ardhmen. Nga : Nikollë LOKA

Një libër me vlerë për sot e për të ardhmen.

 

 

nikolle loka
Nga: Nikollë LOKA
Libri “Rrëfime për Sheben dhe shebasit” i autorit Mark Rica vjen me synimin për të dhënë historinë e fshatit dhe banorëve të tij mbështetur në dokumente historike dhe trashëgiminë gojore, të mbledhura me kujdes dhe për një kohë të gjatë. Pavarësisht se libri është shkruar kohët e fundit, grumbullimi dhe sistemimi i të dhënave ka zgjatur në kohë, duke bërë që trajtimi të jetë interesant në funksion të synimit të autorit për ta vendosur Sheben si fshat në përbërje të Kthellës dhe të gjithë Mirditës me të përbashkëtat dhe veçanësitë e saj.
Libri ka disa të dhëna për Mirditën në përgjithësi dhe bajrakun e Kthellës, aq sa duhen për të kuptuar më mirë fshatin për të cilin shkruhet. Gjejmë këtu logjikën e ftohtë të studiuesit, pavarësisht se autori është një shebas që ka mbresat, kujtimet dhe dobësitë e tij për vendlindjen. Duhet theksuar se, në këtë libër, ndryshe nga shumë libra të këtij lloj, të shkruara për një fshat të vetëm, kemi disa risi që duhet t’i theksojmë.
E para, kemi një fotografim besnik të ngjarjeve dhe njerëzve, pa paragjykime dhe synime të caktuara. Shebja vjen ashtu siç është, edhe pse siç ndodh në jetë, kontributet fisnore, familjare dhe personale nuk janë të njejta. Këtu vërehet një autocensurë vetëm përsa i përket familjes së tij dhe Markut personalisht, që për mua meriton një falenderim, sepse duke mbajtur atë qëndrim e ka bërë librin më të besueshëm dhe më shumë dinjitoz. Studiuesi Rica u ik përsëritjeve, inflacionit të lëvdatave, zmadhimit të kontributeve dhe futjes në hollësitë e panevojëshme. Me gjakftohtësinë e studiuesit, ai nuk mban asnjë qëndrim ndaj periudhave të ndryshme historike, përveç periudhave të pushtimeve të huaja, duke i ikur politizimit dhe ka siguruar gjithpërfshirjen në trajtimin e personave dhe ngjarjeve. Në librin e Markut, Shebja dhe shebasit vijnë siç kanë qenë, pa u gjykuar, hyjnizuar apo qortuar. Fundja, kjo është historia, ato që kanë ndodhur, të cilat vendosen në kohë, duke u bërë të besueshme.

 

14316905_10209142966442539_2727799132883892587_n

 

Në këtë libër zbulohen vlera që ishin në prag të fshirjes nga kujtesa e banorëve të zonës. Me shënimet e marra ndër vite dhe zbulimin e thelbit të çdo dëshmie gojore, Marku e ruajti të kaluarën e fshatit të vet nga dukuria e harresës që vepron natyrshëm dhe nuk pati nevojë që të bëjë trajtime të përgjithëshme që nuk sigurojnë njohje të plotë.
Shebja në librin e studiuesit Mark Rica del një periferi Kthelle dhe pothuajse një periferi Mirdite, por e paprekur nga dukuritë e vonesave në zhvillim që zakonisht prekin periferitë, për faktin se duke qenë në mes të Mirditës, Matit dhe deri diku Lurës, që kanë shkëmbyer të mira materiale dhe përvoja njerëzore, ka kaluar në një qendër takimesh njerëzore, sepse nganjëherë pozicione të tilla i kanë bërë periferitë më të pasura se qendrat e krahinave, të cilat në njëfarë mënyre kanë qenë më të mbyllura. Si rezultat i pozicionit të vet gjeografik dhe rrugëve të komunikimit që kalonin nëpër fshat, Shebja është kthyer në fshatin që sheh Matin dhe nga ku matjanët shohin Mirditën.
Për hir të pozicionit të vet, Shebja është bërë vendi ku është ndalur lakmia e pushtuesve dhe ambicia e pashallarëve ambiciozë. Ky fshat heroik mbrojti traditën e vet në përbërje të Kthellës, por u bë dhe vendi i parë mbi të cilën ra zemërimi i pashallarëve të Matit, për të arritur te lufta e Shebes, për të cilën poeti rilindës Zarishi shkroi një vjershë të bukur që fillon me vargjet lapidare: Mori Shebe moj mizore”. Duke analizuar poezinë e Zarishit, del se me pak vargje ai i ka thënë të gjitha: Krenarinë, egërsinë, mosnënshtrimin dhe heroizmin e atyre njerëzve.

 

14319212_10209149785133002_5197579253415787426_n

 

Siç del në librin e studiuesit Rica, Shebja ka disa veçori të vetat që në zanafillën e krijimit të fshatit të sotëm. Marku flet për gjashtë fise me vjetërsi 500-600 vjeçare dhe për katër të tjera që duhet të jenë po aq, në mos më të vjetra, të cilat u larguan, por lane në Shebe emrat e tyre. Popullsia e Shebes sipas traditës vjen nga treva të ndryshme, siç ka ndodhur me shumë fshatra të Kthellës dhe të Mirditës, por dukuria e përzierjes, asimilimit dhe përshtatjes, në Shebe ka vepruar disi më ndryshe nga fshatrat e tjera, sepse çdo grupim fisesh vëllezër ka ruajtur shumëçka nga trashëgimia e vet; një kishë të pagëzuar me emrin e shenjtorit, ditën e veçantë të festës, si dhe varret e veta të veçanta. Në Shebe ka shumë kisha si në vendbanime të tjera të Mirditës, por dhe më shumë se një varrezë, padyshim një dukuri e re që nuk ndeshet tjetërkund.
Në këtë libër, historia vjen që nga Mesjeta. Në asnjë libër të botuar deri më sot në Mirditë, nuk janë trajtuar me aq hollësi fiset e një vendbanimi në një hapësirë kohore prej 12-14 brezash që duke u llogaritur në kohë shkojnë deri në vitet 1580-1640. Familja Kuka e Shebes na vjen me dokumente historike që në periudhën e Skendërbeut, 200 vjet më parë se familjet e tjera mirditase. Me librin e Markut, Shebja është fshati me gjenealogjinë më të studiuar në Mirditë e më gjërë.
Në librin e autorit Mark Rica gjemë edhe një mentalitet tjetër të shebasve që ka ardhur si rezultat i marrdhënjëve që kanë patur me trevat e tjera jashtë Mirditës. Shebasit kanë emigruar më shumë se mirditasit e tjerë dhe kanë krijuar një koncept disi të ndryshëm nga ata për jetën. Nga ana tjetër, shebasit kanë treguar një koncept tjetër të jetës në bashkësi. Ndue Mardoçi, personi i parë i shkolluar, në mënyrë autodidakte, interesohet që të shkollohen jo vetëm bijtë e tij, siç ka ndodhur edhe në fshatrat e tjerë, por edhe fëmijët e kusherinjëve dhe të bashkëfshatarëve. Pavarsisht se nuk e thotë drejtëpërdrejtë, Marku e le të nënkuptuar avantazhin kryesor të shebasve, shkollimin e tyre. Në Shebe shkollimi dhe angazhimi në detyra e profesione të ndryshme nuk mbeten monopol i familjeve të veçanta, gjë që bërë një shpërndarje të kapitalit të dijes në fise dhe familje të ndryshme. Në periudhën para vitit 1944, arsimi ka qenë privilegj i atyre që kishin mundësi ta vazhdonin shkollën dhe për shumë faktorë, të shkolluarit nëpër zona të ndryshme numëroheshin me gishtat e dorës. Nisur vetëm nga tregues sasiorë, del se Shebja, një fshat i veçantë, për periudhën që flasim, ka patur po aq djem të shkolluar sa çdo njëra nga nga zonat mirditase me dhjetë a më shumë fshatra. Nëse Konvikti i Oroshit ndikoi që oroshasit të marrin masivisht arsimin fillor, shohim se angazhimi i tyre në strukturat shtetërore të kohës ishte i vogël dhe nxënësit pasi mbaronin shkollën, kryenin punë të rëndomta. Ndryshe ndodhi me Sheben ku kemi një vijimësi shkollimi në hallkat e tjera më lart. Krijimi herët i elitave intelektuale ka bërë që shebasit ta trashëgojnë intelektualizimin në brezat e pas vitit 1944 duke na dhënë specialistë të aftë në disa fusha.

Ky zhvillim kulturor i veçantë e bënë Sheben të veçantë edhe në mënyrën e jetesës duke e kthyer në vend të kullave dhe të një mentaliteti të tjetër për kushtet e jetesës.
Me këte libër për Sheben, studiuesi Mark Rica kundërshton me fakte paragjykimin se Mirdita ishte e mbyllur, konservatore, fanatike dhe refraktare ndaj ndryshimeve dhe të resë. Shebja si fshat mirditas njohu zhvillim të mirë për kohën, sepse siç thotë Marku “qe e hapur ndaj vlerave të tjetrit, e vlerësoi progresin por ruajti me kujdes vlerat e veta”.
Duke jetuar në një trevë të thyer me pak tokë dhe duke luftuar për mbijetesë, shebasit treguan me vepra se është e rëndësishme të kesh pasuri që të jetosh mirë, por po kaq e rëndësishme është të dish se si ta shfrytëzosh e ta vesh në shërbim të njerëzve pasurinë që ke.
Libri i studiuesit të njohur Mark Rica është një testament për sot e për të ardhmen dhe misioni i tij jetësor. Marku na kujton se duhen ruajtur vlerat, për tu integruar me dinjitet në shoqërinë bashkohore, siç kanë bërë shebasit ndër vite në qytete të rëndësishme të vendit tonë ku u dalluan si mirditas të mirë e krenarë.
Ne jemi këta që jemi për shkak të së kaluarës sonë. Marrëdhëniet e njeriut me kohën dhe me njerëzit përpara tij përcaktojnë dhe raportet që do të ketë ai me të ardhëmen e tij. Libri “Rrëfime për Sheben dhe shebasit” lidhet qartësisht me të ardhmen dhe u vihet në dispozicion lëxuesve të sotëm si vlerë në shërbim të ardhmërisë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s