Poezi nga Genc Kastrati

genc-kastrati

Poezi nga Genc Kastrati

 

 

Të shkruaj

 

E dashur,

të shkruaj nga larg,

në letrën e djegur

me ngjyrë të padukshme,

me ngjyrën e shpirtit…

Tek ti më ikin shkronjat,

me fjalët që nga goja tingëllojnë,

tek ti më lindin në ngjyra,

si ylberi pas shiut.

 

 

Po të thërras

 

Po të thërras dhe nuk e di ku saktësisht je,

bota është jehonë e madhe,

toka është shtrat pjellor, hambar i gjerë;

trupi yt tani është i shtrirë në një vend,

diku ti pushon çlodhjes së re,

e humbur bukur mes gjumit dhe ëndrrës.

Po të thërras përzier me zërin e zogjve shtegtarë,

nëpër shushurimën e gjetheve valltare,

me kënget e perdeve të holla të natës,

që përbirohen dejve të errësirës.

Ti sikur nuk je, nuk lëshon asnjë zë,

qenka e pamjaftueshme vetëm ekzistenca jote,

kur thirrjet tretkan nuanca klithmash tek unë,

me begatinë e natyrës ato u digjkan

nëpër horizontin kaq përbindësh;

po të thërras e ti vazhdon të jesh diku,

e ndarë nga unë padrejtësisht.

 

 

Nuk më ke dashur asnjëherë

 

Nuk më ke dashur asnjëherë

sa kam dashur të më duash

e ky nuk është faji yt,

ti ke dhënë cdo herë më të mirën e mundur.

Nuk është as faji im,

vetëm se te unë bluante një llavë vullkani e zjarrtë

që shkonte gjer te pika e shpërthimit,

e kufirit të pafundësisë.

Jehona e zëshme brenda meje

brohoriste një ushtimë.

 

Duke mos dashur asnjëherë të anashkaloj

dashurinë tënde të madhe,

kuptoja përkufizimin e të pamundurës,

se sa e pamundur është të duash

gjer në pafundësi,

pa kaluar asnjëherë

kufirin e së mundshmes

që është përherë një vijë përgjimi

e padukshme mes bashkimit tonë.

 

 

Për fjalën

 

Ndenjëm një kohë të gjatë,

i shtruam të gjitha dëshirat

në tavolinën e pijes.

Mes gotash dhe shikime sysh,

i thamë të gjitha ç’kishim për të thënë.

Pastaj, si në çdo rast tjetër,

erdhi edhe koha të përshëndeteshim.

Të përcolla rrugës së drejtë

gjer te dera e largët e oborrit

duke folur për ndodhitë, brengat dhe synimet

sikur po vendosnim shtyllat e të ardhmes

dhe kur u ndalëm te dera,

mes përqafimesh dhe shtrëngime duarsh,

tek të thashë “mirupafshim, e dashur”,

ndjeva ftohjen e trupit tim.

Kuptova që nuk e dashkam atë fjalë,

duke parë përherë një reprizim mes nesh

të ndarjes çdo herë të gjallë.

 

 

Kështjellë

 

Në fytyrën tënde qëndrojnë sytë e tu si dritare kështjelle,

përmes tyre shoh botën paqësore dhe të dashuruar,

kur nga dera hyn dhe del si një flutur shtegtare

dhe puthjet nga goja jote ikin si tingëllima dyersh që sapo hapen.

 

Si kulm kështjelle, flokët e tua të mbulojnē qafën;

ato lëshohen shtatit tënd si bar i gjelbëruar mureve,

ku pushojnë dhe ushqehen gjethet me aromë gjelbërimi,

freskohen me flladin e fustanit valëvitur nëpër trupin tënd.

 

Me këmbët e tua rreth e përqark përshkon kështjellën,

në përkujdesje të së bukurës si princeshë e robëruar,

për ty në oborr pemët qëndrojnë gatitur;

të bëjnë hije kur ti mbyll sytë në dhomë të gjumit.

 

Për duart e tua era hap dushkun nga degët

që flenë natën në prag të derës, gjer në mëngjesin e ri,

kur zgjohesh e dashuruar dhe fillon ta mbledhësh

me gishtat e tu, si gardh i stolisur oborrit të kështjellës.

 

 

Buste

 

O ju, Buste zemrash të ngrira

që rrini të heshtur dhe vështroni,

botën përreth jush të nëpërkëmbur

e rëndoni dhe pastaj harroni.

Ç’keni që bëni sehir, sikur mendoni?

Ju nuk hani, as nuk pini

veç mburreni në lavdinë e kotë.

Heronjtë e vdekur të kohës jini!

Përpara jush ishin të tjerë,

por ndër kohëra të gjithë u rrëzuat.

Nuk bënë paqe, vetëm luftuan

duke përmbysur bustet më parë,

të revoltuarit ndër lashtësitë.

Unë kurrë nuk ju mora për idhuj,

kurrë nuk kërkova nga ju ndihmë,

se ju nuk dëgjoni, as nuk flisni.

Mbi mua është vetëm Krijuesi,

Ai që mbi ju lëshon herë shiun,

herë breshërin apo dëborën;

nganjëherë u mbulon me dushk

siç i mbulon vjeshta varret.

O ju, Buste të pashpirt,

asnjëherë nuk na ndihmuat

atëherë kur patëm nevojë,

asnjëherë as nuk na uruat

kur patëm edhe ndonjë gëzim.

Prandaj përherë rrini të vetmuar

O ju, Buste, ju zemërngrirë.

 

 

S’ ka vend

 

Sa herë që duam t’i lëmë dëshirat të pushojnë,

ato nuk janë që rehatohen lehtë;

sapo them mora vendim çlirues nga vetja ime,

ato përsëri vijnë dhe trazojnë

drita ngacmuese të shpirtit

që nuk shuhen dot.

 

Ne dhe po të duam të bëjmë pak pushim,

stolat në park presin dhe gjethet ftojnë

një melodie të lehtë flladitëse;

të jemi në shoqërimin e syve shikues,

gjithnjë për zemrat vetëstoliset një vend

që ngeh si një fushë magnetike,

ngado që të sillemi ne;

kur ja, prapë pushimi nuk qetësohet.

 

S’ka vend për mua dhe ty,

që do të rrinte në heshtje ftohtësise

nga klithmat e ofshamave që dalin prej nesh;

prishet tërë një qetësi përbrenda qenies,

akoma pa dëgjuar jashtë zhurmën

që natyra e luan pa e ndërprerë asnjëherë.

 

 

Nuk i dihet

 

Nuk i dihet asnjëherë

se çfarë sjell një ditë e re.

Prej qejfit kemi arritur deri këtu

e dashura ime të të tregoji

se si do jetë më tej.

Nuk do isha asgjë më tepër

veçse një fallxhor

i horoskopit të vdekur.

Mjafton që unë dhe ti

të kemi për synim dashurinë

prej nga burojnë puthjet

mes mpirjes së buzëve.

Nuk i dihet asnjëherë

se në ç’portë troket një ditë e re,

se ku presin tallazet e egërsuara

limanit të dashurisë

dhe se ku rebelohen shpirtrat

e nga cila valë e zemrës

do vërshojmë përsëri.

 

 

Pranë detit

 

Pranë detit të shoh në det,

në shtrat të gjerë e fjetur qetë,

je e shtrirë në ujë të kaltërt,

ti je kaltërsia e qiellit.

Kuvendoj me ty e ti nuk flet,

ti je buza, goja e detit vetë,

që shuan etjen e syve të mi

e pastaj zgjohesh në valë.

Ti ke dhe krahë te gjerë,

në brigje të detit të ndalen

e puth tokën dhe malet përreth

dhe ikën pas në shtrat me valën.

Në det ti je deti i trembur,

je si pikë uji e zhveshur lakuriq,

mbi ujë ngrihesh me ngjyrë trupi

dhe prapë noton e zhytesh thellë,

në ujë ti hap rrugë ylberi.

 

 

Botë

 

Botë, muzikë e lehtë, e rëndë,

sonatash të gjata, tinguj mbuluar shprese,

jeta është e gjitha kjo me ty,

ku luhen simfonitë e ëmbla

dhe nga më të dalldisurat.

 

Të qetë të mendova tani, sikur u ndale;

e shtrirë si një qilim për parakalimin e këmbëve;

as nata dhe as dita nuk të zgjojnë njësoj,

sa një mall zemre e lënë larg,

që diku pret.

 

Botë, ndezur zjarr mbi sytë që shikojnë,

përtej kodrinave të larta zë vend shtrati yt,

asnjëherë nuk u dogje më tepër maleve, as fushave,

sa shpirtrat e tu që të përshkojnë gjerë e gjatë,

duke shkruar shtatit tënd gjithnjë beqareshë,

gojëdhëna dashurie nga më të flakëruarat,

të ngujuara në legjenda dhe mite,

të farkuara në hijeshi dhe krenari,

si nuset që maten në karshillëk

me lulëkuqet e tokës,

përherë të njëpasnjëshme.

 

 

Mos vdis

 

Mos vdis për puthjen që sot nuk të erdhi,

për sytë e mbetur hapur në vështrim habie.

Epshi i dashurisë jeton edhe ditëve të tjera,

Hëna e dielli ndrijnë edhe mbi retë e zeza.

Dashuria nuk venitet nga një prerje kohe.

Ndryshku busteve nuk ua prish pamjen;

ata vetëm i rëndon gjer në shiun tjetër,

se çdo mbarim ka një fillim të ëmbël.

Ndërsa ti rri e mërzitur nga një zbrazëti shpirti

që për një çast të rrëmbeu si fllad i brishtë.

E gjatë t’u bë dita sot nga e djeshmja

e lodhshme t’u bë nata nga një gjumë i shkurtër

që mes vetullave të fali vranësirën.

Mos vdis për dashurinë që sot nuk të ledhatoi

në abstenime takimesh ti qëndro e fortë.

E dashur, ty të mbështjell edhe durimi

dhe me të ti thyen çelikun pa lëshuar lot.

 

Në takimet e rradhës do shtegtojmë nëpër zemra.

 

 

Zonjusha ime

 

Zonjusha të rënda ka bota,

zonja të ftuara në darka mbretërore,

që në ahengje parakalojnë trupngrira

me kokën lart të mbajtura për dore;

por ti je zonjusha ime e dashur,

e varfra e fustanit të leckosur,

e strukura e kohërave të rebeluara,

që përnjëherë kthehesh në rreze floriri.

Mbi ty nuk rëndojnë diamantet e shtrenjtë,

stolisjet e gdhendura prej dorës së njeriut;

buzëqeshjet e ftohta nuk ta mpijnë fytyrën.

 

Mbi ty derdhet dashuria si rrebesh shiu,

kur trotuarëve të lagësht ti parakalon,

rrugëve të injorancës llumin pastron.

Me buzë në gaz përshëndet pafajësinë

pejzave të zemrës duke përhapur mirësinë,

aty ku mbushet dhe stoliset brendia

prehesh në paqe ku flet dashuria.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s