Përmendore për dhimbjen e një nëne / Tregim nga Hyqmet HASKO

 

14492622_1375840702444881_7306120691567860152_n

Përmendore për dhimbjen e një nëne

 

Tregim nga  Hyqmet  HASKO

 

Një nënë qëndron në muzg, me duar të kryqëzuara e me profilin e deformuar në formë të një dhimbje klithëse.
Para hotel “Grand” në Prishtinë, në një cep trotuari, nën shi, qëndron ajo mbështjellë me një shami të zezë, ndërsa lotët i derdhen si ujëvarë nga faqet e vyshkura e të thara nga pesha e kohës.
Lotët bashkohen me pikat e shiut dhe shumëfishohen në formë rrëkeje!…
Me vështrimin lart në formë lutje, sytë e saj të njomur nga vërshimi i lotëve dhe klithjet që busin nga shpirti i lënduar, duken si oaze dhimbje. Një dhimbje e pa cak e mbështjellë këtë nënë të vetmuar, që qan e lëngon para atij hoteli luksoz, ku dyndën ofcerë të KFOR-it e nëpunës të administratës vendase, prishtinas e të huaj.
Një çift të dashuruash kalojnë pranë saj dhe dhimbja e nënës i bën të ndjeshëm, të prekshëm, i nxit të ndalojnë e ta pyesin me njerëzillëk:
-Çfarë ke moj nënë?!
-Të lutem na thuaj çfarë ke e… nëse mund të të ndihmojmë a…!
Nëna hesht e lotët në faqet e saj ku rrudhat duke si izoipse dhimbjeje lëvizin në formë pykëpyetje.
Vajaza nxjerr nga kuleta dhjetë euro dhe ia hedh në prehër.
Nëna ngre kokën dhe e vështron me mirëdashje e qortim në të njëjtën kohë.
-Faleminderit, moj bijë, por nuk dua para…
Vajza zihet ngushtë dhe këmbën me të dashurin vështrime të dëlira, që kanë brenda brengën për vuajtjen e nënës, dilemma për refuzimin e saj.
-Merri, thotë vajza.-Mos janë pak? Dhe nxjerr nga kuleta ngjyrë rozë dhe një dhejtëshe tjetër, një tjetër e…
-Mos u harxho, moj bijë, se të thashë, nuk dua para! Unë dua diçka që as ti dhe askush tjetër në këtë botë nuk ma jepni dot, nuk ma ktheni dot.
Çifti rri në heshtje e nuk guxon të thyejë zemëratën e nënës, në sytë e së cilës lotët tani janë shumuar, si ujët e pakët të përrenjve malorë kur bashkohen me të tjera ujëra, me të tjera dhimbje.
-Më është vrarë djali në luftë, i miri im, djali ma i mirë i Kosovës loke! A ma ktheni dot!?
Nuk është pyetje, por një transferim i dhimbjes në trajtë pyetjeje retorike, në trajtë qortimi për dikë a diçka që ndodhet përtej atij trotuari të elektrizuar nga dhimbja. Përtej atij muzgu të ngarkuar me qeshje, brengë, vetmi, mungesë, lot, ankth, pritje, përjetësi…
Dy të dashuruarit largohen të kontraktuar, të penduar, të traumatizuar nga vetmia e nënës, nga mungesa e saj, që nuk mund t’ia zëvëndësojë askush. As trupat e KFORI-t që ikin në rresht drejt detyrës së re, as ish ushtarët e UÇK-së që janë tubuar në një demonstrim para kryeministrisë për të drejtat e tyre të harruara nga qeveritarë të pashpirt…
Atë çast, nga një foristradë dikush e vështron dhe e njeh, ajo është nëna mikut të tij të llogoreve të luftës, nëna e heroit nga Gjilani, që u vra në betejën e Koshares. Ky burrë është një qeveritar i lartë, që zbret me vrull nga makina dhe i afrohet nënës përmendore, e cila vazhdon të lotojë vetmitare në muzgun e tejngarkuar me psherëtimat e saj.
-Nënë! Të lutem ngrehu! E di që dhimbja ta ka këputur shpirtin, por… Të lutem, eja të pijmë një kafe… të flasim për Nadirin!
-Nadiri im nuk është më… E çfarë mund të flasim ne të dy? Atë që e kisha dritën e syve, ti nuk ma kthen dot!…
Qeveritari zihet ngushtë dhe kërkon me çdo kusht ta bindë, që ajo të ngrihet nga trotuari ku është ulur e qëndron si përmendore pikëllimi…
-Nuk vij, nuk kam ku shkoj. Ti ec. Ec… se ke punë për të bërë! Keni shumë punë ju qeveritarët… për të mos lënë asnjë gjurmë të atyre që si im bir derdhën gjakun për liri… Gjakun e tyre ju e kthyet në vila dhe numra llogarie!
Qeveriatri ikën i mbështjellë me vetmi dhe klithje…
Pas një ore, ai e harron nënën e shokut të tij të armëve, nënën e heroit. Duhen bërë projekte, duhen kollandrisur punët e qeverisjes së madhe…
Ndërsa nëna vetmitare vazhdon të qëndrojë aty, në muzgun e trazuar të pritjes pa cak, përballë hotel “Grand”, në një cep të ronitur trotuari, me duar të kryqëzuara dhe shpirt të copëtuar nga dhimbja!…

 

H…@..B..H.

 

 

Hyqmet Hasko- 2

Hyqmet  HASKO

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s