Anekdota / Përktheu : Bajram Karabolli

 

Anekdota

 

 

bajram Karabolli

Përktheu : Bajram Karabolli

 

 

VARET NGA FORMA

 

Sulltani pa një ëndërr sikur i kishin rënë të gjithë dhëmbët. Kur u zgjua dha urdhër t´i sillnin një dijetar që t´i shpjegonte ëndrrën.
– Ç´fatkeqësi, Madhëri! – gati klithi dijetari. – Çdo dhëmb i rënë është një i afërm Juaji që do të vdesë.
– Ç´paturpësi! – bërtiti sulltani gjithë zemërim. – Si guxon të më thuash gjëra të tilla? Shporru këtej!
Thirri rojet dhe i urdhëroi ta fshikullonin me një qind kamxhik.
Më vonë urdhëroi që t´i sillnin një dijetar tjetër dhe i tregoi ëndrrën që kishte parë. Ky, pasi e dëgjoi sulltanin me vëmendje, i tha:
– Shkëlqesi, Zoti ka ruajtur për Ju një lumturi të madhe. Ëndrra që keni parë tregon se Ju do të rroni më shumë se gjithë të afërmit Tuaj.
Sulltanit i qeshi nuri. I gëzuar sa s´ka më, urdhëroi që t´i jepnin dijetarit një qind monedha ari. Kur ky doli nga pallati, një nga oborrtarët, gjithë admirim, i tha:
– Sa interesante! Shpjegimi që i bëre ti ëndrrës ishte i njëjtë me atë të dijetarit të parë. Nuk e kuptova pse atë e pagoi me nj qind kamxhikë, ndërsa ty me një qind monedha ari.
– Mos harro, miku im, – iu përgjigj dijetari i dytë, – se gjithçka varet nga forma apo mënyra si e thua. Një nga sfidat e mëdha të njerëzimit është të mësojë se si të komunikojë… Nga mënyra e të komunikuarit, shpesh herë, varet lumturia apo fatkeqësia, paqja apo lufta. Që e vërteta duhet thënë kurdoherë, kjo s´ka dyshim, por mënyra si e thua është ajo që në disa raste shkakton probleme të mëdha. Kësisoj, e vërteta mund të krahasohet me një gurë të çmuar. Në qoftë se këtë gur të çmuar ia përplasim dikujt në fytyrë, mund ta plagosim, por në qoftë se e kemi futur në një kutizë të bukur dhe ia ofrojmë gjithë mirësjellje e delikatesë, ai do të lumturohet e do ta pranojë gjithë kënaqësi.

 

 

Ç´DO TË THOTË TË JESH I VARFËR?

 

Një baba, me një gjendje ekonomike të mirë, donte t´i mësonte të birit se ç´do të thoshte të ishe i varfër. Për këtë e çoi të rrinte disa ditë në një familje fshatare, e cila jetonte larg qytetit, në një shpat mali, e përkushtuar në punët dhe hallet e veta.
Pasi kaloi disa ditë dhe net në atë banesë te thjeshtë fshati, i ati shkoi dhe e mori. Rrugës, në veturë, i ati e pyeti se si kishte kaluar.
– Mirë, – u përgjigj i biri, pa ia ndarë vështrimin natyrës përreth.
– E çfarë mësove? – ngulmoi i ati.
Dhe i biri i tregoi:
1. Se ne kemi një qen ndërsa ata kishin katër.
2. Se ne kemi një pishin me ujë që rri në vend, kurse ata kishin një lumë me ujë të kristaltë që rridhte vazhdimisht, plot me peshq e groshël dhe kushedi sa gjëra të tjera të bukura.
3. Se ne blejmë fener, kushedi nga, për të ndriçuar kopshtin tonë, ndërsa gjithë vendin e tyre e ndriçonin yjet dhe hëna e bukur.
4. Se oborri ynë arrin deri te gardhi, ndërsa i atyre deri tek horizonti.
5. Se ne e blejmë ushqimin tonë, ndërsa ata e prodhonin vet, ne e marrim në shitore pjeshkën ata e marrin të freskët, drejt e nga dega e pemës.
6. Ne dëgjojmë CD, ata dëgjonin simfoninë e përjetshme të bilbilave, turtujve, fugave, bretkosave, gjinkallave e kushedi sa kafshëzave të tjera. Po ashtu edhe ligjërimi melodioz i lumit dhe kënga kumbuese e një fqinji që punonte matanë tij.
7. Ne gatuajmë në sobë elektrike, ndërsa ata në zjarrin me dru që e bënte aq të shijshëm ushqimin.
8. Ne jetojmë të mbrojtur nga një mur rrethues dhe nga një instalim alarmi, ata jetonin me dyer të hapur, të mbrojtur nga miqësia dhe ndershmëria e fqinjve të tyre.
9. Ne e njohim botën me anë të celularëve, kompjuterëve dhe televizorëve, ndërsa ata janë të lidhur drejtpërdrejt me botën dhe jetën: me qiellin, me diellin, me ujin, me malin, me blerimin, me kafshët, me të prodhimet e tyre, me njerëzit e tyre.
Ndërkohë që babai mbeti i shtangur nga thellësia e gjykimit të të birit, ky i fundit e mbylli duke thënë:
– Faleminderit, baba, që më bëre të kuptoj se sa të varfër qenkemi. Ne çdo ditë po bëhemi më të varfër në shpirt dhe në vlerësimin e veprave të mëdha që ka krijuar Zoti apo mëma Natyrë. Ne na ka pushtuar lakmia PËR TË PASUR, PËR TË PASUR e PËR TË PASUR dhe nuk shqetësohemi fare PËR TË QENË.

 

I zgjodhi dhe i solli në shqip Bajram Karabolli

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s