Poezi nga Seti Vladi

Seti Vladi

Poezi nga Seti Vladi

 

 

MOZAIKË

 

Pa fund kjo bukuri e fushës së blertë
mbushur me lule, mes lulesh plot,
vogëlushë me tufa ngjyrash gjith’ jetë,
si kolori i fushës dhe dita ime sot.

Sa desha të isha lule ndër fusha,
gjerdan me ngjyra tu rrija nëpër gusha!

Mes lisash e grykash, poshtë lumi gjarpëron,
grafullojnë valët si drenushat në shtigje,
e vjetër sa malet këng’ e tij ushton,
me freskin’ e valëve puth ara e brigje.

Si vala të isha, me fllade pranvere,
të hyja në turbina, të kthehesha në ylbere!

Hapa dyert e erës dhe renda në asfalte,
yjëzojnë ndërtimet, ura edhe harqe,
epoka qytetërimesh qyteti supesh mbante,
gjelbërime pemësh, lulishte e parqe.

Sa desha një pemë me gjethe të isha,
poshtë meje baballarët nën hije t’i kisha!

Në kështjellën shkëmb,mbi shkëmbin malor,
histori betejash me Gjergjin vigan,
me dufin shqiponjë,me shpatën në dorë,
si uragan ngrihet mbi t’egrin Sulltan.

Sa dua ta mbjell’ atë forcë trimërie,
në libra e vargje, në këngë Shqipërie!

 

 

 ZGALEMI i DETIT
( DURRËSI IM )

 

E ulur në fronin e lashtësisë tënde
Bukuroshja e Durrësit hap portat e arta,
tinguj harpesh në salla me argjende
përzier me mozaik’ e kapitole të larta.

Në themelet e tua, muzé të ndritura,
qytetërimi yt pushon e shkëlqen ,
epoka e artit, e mendjeve të ditura
stoli me brilante brezin të mbërthen.

Kordone yjore botën e qëndisin
Akropol, Kolose, harqe lashtësie,
ke edhe ti , yje që të ndrisin
mbi supet e tua, metropol Ilirie.

Është pak të thuash je busull e shtigjeve,
as dhe të thuash, Durrës i bukurive,
ti je diamant i ndritshëm i brigjeve,
sirena e zgjimit të agimeve.

Epidamni e Dyrrahu shiritin ta prenë,
themelet t’i ngritën mbi valët e detit,
s’u lodhën ato të vijnë e të venë,
freskore për ty u bënë, o fron i mbretit.

Gjerdani me kulla e bedena rrethuar
zbukurojnë trupin tënd shekullorë,
nga Perandori Bizant, Anastas,dhuruar
për ty , Luan i detit , një kurorë.

Nga porta e kalasë shekujt vështrohen…,
amfiteatri me shkallët e gurta vigane ,
oshëtima ndeshjesh e dramash dëgjohen,
ku vinte e dëfrente dhe paria romane.

Sa gjurmë shkelën e kaluan këto porta…!
Cicëronë, ushtarë e Jul Çezar ,
vinin nga Roma e vinin nga bota ,
me Pompeun hesapet për të lar’ .

Torra Veneciane , faqe historie ,
vatër me dragoj ku flaka shpërthente,
bregu me orteqe zemrash trimërie
mbushur me Mujo, kthyer në monumente.

Brigjet e tua me larmi motivesh
mbi supe dashurish’ si yje nate,
me qiell flakëruar, purpur perëndimesh,
ti yll i detit i ngritur në kate .

Ti flet me rrezet e diellit të artë ,
me detin hambar e valët kaltëruar,
me portin, anijet e vinçat e lartë ,
me kodrat zinxhirë, blerim mbuluar .

Me ura e harqe kalimesh lartuar ,
statuja, kolona e gladiator’ në sheshe,
ushqehesh me muzën e shekujve mbuluar
mantél mozaikësh trupit i veshe.

Jeton me vrulle zhvillimesh të lira,
udhëton me valët, Zalem i pandarë,
me fytyra të rreshkura nga rreze të nxira,
sirenat përshëndesin, udhën e mbarë!

 

 

MERIDIANË KALTËRSIE
( Lumenjtë )

 

Nga thellësi e tokës mes njerëzimit vini,
me krifa të bardha përmbi supe valësh,
meridianë kaltërsie botës ju i rrini,
si karvanë trenash të heshtur udhëtarësh.

S’u lodhët duke ecur në rrjedhën përjetësi,
mes grykash epike, me copa resh’ mbuluar,
me ngrica, acare, furtuna edhe shi,
me cicërima shpendësh brigjeve shoqëruar.

Magjishëm kaloni me jehona malesh,
në legjenda popujsh me këng’ e zhvillime,
nën yje netësh e kasolle hallesh,
poshtë urave gjigante dhe jetës në mjerime.

Me këngë valësh grunoret i mbuloni,
nganjëherë zemrakë, kaloni mure pritash,
në të lartat diga hyni xixëlloni,
zbrisni si ujëvara në gjerdane dritash.

Ciganë të përjetshëm, s’keni pasaporta,
kaloni karantina, territore, shtete ,
të egër e paqësorë që kur lindi bota,
pasuri kombesh, frymëmarrje jete.

 

 

Shënim : Ju lutem, mos i bëni shpërndarje poezive, është vetëm e drejta e autorit!
FLM për mirëkuptimin!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s