Cikël poetik nga Fatos Luta

fatos-luta

Cikël poetik nga Fatos Luta

 

 

Të rigjetur…

 ( Si një leksion përçarësve të shqiptarëve. )

 

Patën humbur dy vëllezërit nga vullkani i historisë,

Në humnera zjarresh mes llavësh me trupa njerzorë;

Del vëllai i madh i përdjegur, me ndihmën e perëndisë,

I përlotur, kokën pas, vëllait të vogël t’i zgjaste dorë.

 

Tek shihte veç zjarr, tym e pluhur kur doli në bregore,

Befas i dëgjon zërin mes flakëve, si jehonë e amanetit;

Gris qiellin me thirrma honesh, tek rrok vëllanë përdore,

S’do i’a lëshonte kurrë më vëllanë vullkanit, tërmetit!

 

Përsëri kishte ndihur Perëndia e madhe e kësaj Bote,

Vëllezërit të ishin të bashkuar, afër zonave sizmike;

Miqtë, atij trupi të djegur i veshën një cule për rrobe,

Por, të voglit i pëlqeka asaj bluze t’i zbresë një shqipe…

 

Të dy lidhën besë, të mos lënë njëri-tjetrin ndër zjarr,

Ku të ndodhet njëri, të kishte me vete zërin e tjetrit;

Nuk u dihet vorbullave të historisë kur risjellin llavë,

Nuk u besojnë më vëllezërit zjarrit, vullkanit, tërmetit…

 

 

Moj sy blertë…

 

Po përhumb në retinë,

Jam i futur nën qerpikë;

Po harlisem në lëndinë,

Ai blerim s’më lë të ikë.

 

Mos m’i mbyll ata kapakë,

Të më kyçesh në blerim!

Sy jeshile, vetull hark,

Mos e çmend skllav-zinë!

 

Brenda syrit, aty në retinë,

Lozkan ngjyrat si ylberë;

Ajo dritë në njomështinë,

Është një yll, rri përherë…

 

Moj sy blertë, perëndeshë,

Më ke shkrirë si sheqerkë!

Po më shpie sipër resh,

Të ketë qielli yll të blertë!

 

 

Migjen!

 

Ti shkove me grushtin mbledhur,

Për vocërrakët të kishin pak bukë;

Kur florinjtë ende s’qenë vjedhur,

Ende mbreti yt s’pat ikur hajdut.

 

S’e pe kurrë tek shkeli kushtetutë,

Kodin e gjyshes, përrallën e gjumit:

“Mbreti lufton, mbretin zoti e ruajtë,

Në front beteje, mbreti vdes i fundit!”

 

Fol Migjen! Mbreti nuk qe mbi kuaj,

Kur e firmosi nenin NJË të shtetit:

“Mungesa e Madhërisë për tre muaj,

I heq automatikisht kurorën mbretit”

. . .

Por ende u gulçet dëshirë e vjetër,

Edhe atyre që kanë qënë me lopë;

Duan dhe këta të na bëhen mbretër,

…E kanë nga vetëshpallja e mbretit Zog!

 

Ah sa dhimbshëm u shfaqe atë datë,

Në Pallat, aty tek martoheshin të rinjtë!

Migjen! Shërimi yt, vlente sa një pjatë,

…Ç’të lozka vdekja me lugën e florinjtë!

 

 

Varr pa leje…

 

Shkoi në bashki për një leje varri,

Më i varfëri që kishte ajo lagje;

-Vërtëtim vdekje!- i kërkojnë së pari,

-Jam i vdekuri!-tha njeriu ndër parqe!

 

-Ik ore mos u tall!- u nxeh kryetari,

Por nuk lëvizte hallexhiu nga vendi;

-Më duhet zotëri patjetër varri!

Misteri i tij sekretaren e trembi…

 

-Kërko punë, një ditë do të gjesh,

Nuk ke pse të vdesësh kaq i ri!

Por hallehiu iku e u la peshqesh,

Ndodhinë e afërme, enigmën e tij…

 

Shkon drejt e në varreza ky burrë,

Bën një varr dhe sipër vë dega moni;

Në një copë dërrase shkruan diçiturë:

“Varr pa leje, ecni më arrestoni…”

. . .

Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë,

Policia e gjen, arreston hallexhiun;

“Varr pa leje, heqje lirie tre vjet”,

Deklaron gjykata, s’e fal të ziun.

 

Atje në burg, një ditë pa gdhirë,

Protestuesi special, pëson infarkt;

Në varrin pa leje, njeriu i mirë,

Prehet aty, që nga ajo ditë e martë…

 

 

Njerëz !

 

Pak shtruar, pesimizmi po na vdes çdo orë,

Le të kujtojmë paraardhësit e epokës së gurit;

Të vëmë në lëvizje, mendje, këmbë e dorë,

S’është një zgjidhje tokja kokës pas murit.

 

T’i kujtojmë, s’kishin shtëpi, drita, makinë,

Dhe as i mendonte stërgjyshi ynë me lesh;

Por kënaqeshin tek ripnin buallin dhe dhinë,

Rreth zjarrit këndonin kur i piqnin në shesh.

 

Këtë atavizëm të sjellim mesit tonë vëllezër,

Jo epsh bishti, ngërdheshje e qime përpjetë;

Nëqoftë se na rri kënga në shpirt e ndezur,

Jemi të pasur, pa halle, mirë sa një mbret!

 

Kemi kënduar me djathë dhe dy bishta qepë,

Me njëri-tjetrin gajaseshim e bënim dollira;

Pse kështu tani, si virus na lëvrin një dreq,

Tek rrudhim përshëndetjen, e marrtë e mira?

 

T’i lëmë mënjanë ata të politikës së “madhe”,

Pra, mos të shesim njëri-tjetrin me kaq zell;

Kur na ndërsejnë, vemë rregull kësaj radhe:

Pimë verë e vallëzojmë përqark mishit në hell!

 

 

 

Një thes me poezi…

 

Tek shkova në treg me një thes poezi,

Kisha hudhrën dhe karrotën përballë;

Kur librave s’po i’a vërshëllente njeri,

Fajësova vendin, aty afer shitej dhallë.

 

Pata në mendje dhe bystyninë e vjetër,

Po t’i shisja si djathë, të qe e mundur;

Të mos u merrja mësysh, afër një metër,

Ta kisha si ndihmë atë tezgë me hudhër…

 

Bëra më tutje e zura një vend të mirë,

Por “hajde libra!”, nuk thërrisja kurrë;

Qëndruan pak çaste, veçse ca të pirë,

Më vonë u afruan një vajzë e një burrë.

 

“Më në fund, do blihet libër, jo rrush!”

Mendova unë dhe u sëmbova në zemër;

Por, ky burrë grisi dy-tre fletë për kaush,

Dhe ndau ca fara-lulesh me atë femër…

 

I ndoqa me sy, me gishta të mbledhur,

Por…poeti s’përdor grushta, as të shara;

Vështrova librat me vetëzërin e dredhur,

Germat mbi letër më shëmbllenin si fara…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s