POEZI E LOTIT DHE E DHIMBJES (KUMTESË për librin e Znj. VJOLLCA AJASLLARI – KONI “TI, QINDVJETËSH”, Sh.B. 3ZEN, Prishtinë, 2016.) / Nga : Viktor BAKILLARI

 

 

Vjollca koni 11

POEZI E LOTIT DHE E DHIMBJES

 

(KUMTESË për librin e Znj. VJOLLCA AJASLLARI – KONI

TI, QINDVJETËSH”,

Sh.B. 3ZEN, Prishtinë, 2016.)

 

 

Nga : Viktor  BAKILLARI

 

 

***

 

E lexova librin në fjalë me vëmendje!

Shumë gjëra që mund t’i thosha unë, m’i ka kursyer recensuesi i saj z. Grajçevci.

E, për të mos pasur përsëritje, po ndalem te do tema të tjera.

 

***

 

Pjesë e qenësishme e këtij vëllimi poetik janë poezitë dedikuese:
Znj. Ajasllari – Koni i ka kushtuar vargje të ndjera Shqipërisë, Kosovës martire, luftës së saj heroike duke e përshkruar me nota sa epike – heroike aq edhe realiste:
Si t’harrohen klithmat e shpirtit / Ku u shkel mbi pellgje gjaku / Aty ku toka u dogj nga zjarri / Më i bukur çel zambaku) f.34; apo te poezia tjetër Për ty Kosovë” (f.82), kur ajo shprehet se gjaku i bijve dhe bijave të saj si kristal nuk u kursye për lirinë në flamur aspak”

Ajo ndjek me vëmendje aktualitetin dhe e tronditur prej tij e derdh në vargje, duke i kënduar një fëmije sirian mbytur në ujërat e detit si rrjedhim i luftës së çmendur ku autorja i uron me zemër nëne që ai të gjejë paqe në parajsë;

Ajo nuk lë pas njerëzit që prodhojnë art.

Njerëzit e artit, kulturës, sipas saj, janë frymëzim për poezi. Ky motiv nuk mund t’i shpëtojë znj. Ajasllari – Koni: Kështu, ajo i kushton poezi artistit të popullit, mjeshtërit të këngës me iso (polifonisë toske) këngëtarit Demir Zyko, Poetit të madh Xhevahir Spahiu, të cilit i ka kushtuar tri poezi (Ligjërim Shpirti f. 54; Një varg për ty, poet f.73; Të lexoj f. 101);  artistëve skraparas Sulejman Prenjasit dhe Nuri Jaupit. Ja se si u drejtohet ajo lakonishëm dhe plot sentimentalizëm dhe humor njëkohësisht:

 

Xha Sulo Prenjasi dhe ju zotëri Jaupi Nuri,

Të “fajësohem” vallë unë, ngaqë ju dua të dy?” ( f. 33; )

 

I kushton poezi shoqes së saj, kirurges duarartë (f.85).

 

Por, nuk mungon as dedikimi brenda familjes e fisit.

Kështu ajo i këndon me nota elegjiake dajës së saj të ndierë, Bilbilit, i cili u nda para pak muajsh, “Dhimba ka emër”, f.22,

Zonja Ajasllari – Koni, para së gjithash është një nënë e përkushtuar ndaj familjes, ndaj fëmijëve të saj. Sillet ekzaktësisht si një klloçkë, e cila kujdeset dhe është e gatshme të përleshet edhe me shqiponjën, edhe me dhelprën për zogjtë e saj. Ajo është shembull dhe engjëlli mbrojtës i djemve të saj:

E teproj?

Dëgjoheni se si shprehet ajo dhe nxirrni përfundime:

Ja se si u drejtohet bijve të saj:

Unë ju ndjek, kur ikni rrugës, /  Ju s’më shihni kurrsesi, / Ju jap dritë nga sytë e mi, / Porsi engjëll fshehur rri. (f. 19).

Eh, natyrisht, këto vargje gjithë talent nuk mund të mos pasoheshin edhe nga një krijim për të bijën. Ajo është peshore farmacie, atë që u ka falur djemve, sigurisht do t’ia falë edhe vajzës, çupës, çikës së saj hireplot dhe të sjellshme: Albës, ëndrrës së shpirtit të saj, loçkës së zemrës. Poezia kushtuar asaj, mund të renditet te ky libër si një ndër poezitë më me ndjenja të krejt vëllimit:
Tani nëna t’jep uratën / Shtigjeve të jetës për fluturim, / Je pikë gjaku nga zemra ime, / Engjëll – shpirt deri n’amshim!” (F.104.

E kam ndjekur me vëmendje poezinë e saj. I ka kushtuar poezi krejt familjes, me një përjashtim të vetëm?

E dini se kujt nuk i ka kushtuar poezi ?

Ja, shikojeni, këtij që është këtu në sallë e do të qeshë, të shoqit, Lulzimit.

Por, mos u mërzisni! Mesa duket, ka për me e qëndis bukur edhe nji poezi për të, por ala s’i ka ardh frymëzimi…

 

***

 

Diku nga fundi i librit, f.106, mund të lexohet poezia që titullon vëllimin “TI, QINDVJETËSH”.

Ajo nis me dëshirën e autores së velur nga qytetërimi fals e hipokrit nisur nga shprehja për kthim në kohët e vjetra të bukura dhe përfundon:

 

“Ti, qindvjetësh, modern ke veç ballinën,

Brenda ndryn zbrazëti, mjerim, bomba atomike, autizëm, lot.

O Zot, na ndihmo, bëj më të mirën sot!”

Është një konstatim objektiv i autores.

 

Sot në botë ka zbrazëti ndjenjash, ka drogë që të duket bota fushë me lule, iluzive, ka mjerim, ka papunësi, ka bomba atomike, ka shpërthime vetë – dhe masë – vrasëse, ka shurdhëri nga ata që mund të bëjnë diçka të mirë, ka autizëm, mbyllje të panevojshme në vetvete, ka shumë dhimbje, ka çurgje lotësh; ka mosbesim te njeriu; ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit: Besimi se vetëm i lumi Zot mund të bëjë diçka dhe mund ta shpëtojë këtë botë.
Prandaj dhe autorja i drejtohet me një lutje përgjëruese e me lot në sy, në mënyrë aspak egoiste: O Zot, na ndihmo, bëj më të mirën!”

 

***

 

Më lejoni tani, t’i jap kësaj kumtese një natyrë krejt tjetër, sigurisht duke e marrë lëndën e parë tek libri në fjalë.

 

Nëse do të bëhej ndonjë antologji poetike për “LOTIN”, kam përshtypjen, qofsha i gabuar, por me njohuritë e mia modeste në lëmin e poezisë, mund të pohoj se znj. Ajasllari – Koni është flamurmbajtëse e kësaj teme.

Libri ka gjithsej… 102 poezi…

Një pyetje, jo për të pranishmit, por për protagonisten, autoren e librit:
Znj. Ajasllari – Koni,

Nga këto 102 poezi, sa prej tyre përmbajnë fjalën “lot”?

 

 

Nuk e dini? Nuk ka gjë, po jua them unë, janë mbi 50 %, saktësisht, janë 53 poezi, të cilat përmbajnë fjalën lot, e pakta nga një herë.
Pra, një libër i qarë me lot! Çdo fletë e këtij libri është e larë me lot.
Një libër që loton e ku grumbullohet plot dhimbje e gëzim.
Lot për fëmijërinë, lot për shtëpinë, lot për babën, lot për nanën, për motrën, për vëllanë, për axhën, për shoqen, për vatanin, për Shqipërinë, për Kosovën e Çamërinë, lot për Grevën, lot për fëmijën, lot për gjithçka, në këtë libër, ka vetëm një “hile”: Vetëm lot për burrin e saj, ajo nuk ka, asnjë pikë.

 

 

14729356_1227383523993614_7491876797749957125_n

VJOLLCA AJASLLARI – KONI

 

***

 

Vjollca, gjithë këta lot? Pyes veten, seriozisht, përse vallë?

Jap e marr, por s’gjej dot ndonjë përgjigje të qenësishme. Ndoshta ngaqë shpirti juaj është gjithë brishtësi…

Na duhet një sfungjer për të fshirë lotët që kullojnë nga libri që të mos na laget salla…Dhe një shami që autorja ta ketë gati nëse i vjen ndonjë shkulmë, a çurg lotësh…
Shikoni, shikoni me vëmendje, kur kjo zonjë e brishtë si petale zambaku tomorri të nisë të qajë e të derdhë lot këtu në sallë!

Veç me një ndryshim të madh: sot nuk ka se si të jenë lot dhimbjeje, lot përjetimi çastesh blanalënës, dhimbje për humbje të afërmish, dhimbje për lënien e fshatit Grevë, dhimbje për njerëzit e humbur, dhimbje mërgimtareje për lënien e Tiranës, për lënien e ijes e të nanës, por lot të çastit, emocionalë, lot pozitivë, lot gëzimi, lot bashkimi, ngazëllimi e mallëngjimi!

 

***

 

Duke lexuar vëllimin e saj, edhe një cicërimë zogu për të kthehet në lot, edhe një gugu kumrie tiranase për të kthehet në lot, edhe e qeshura e fëmijëve për të shndërrohet në lot, edhe komenti që po u bëjmë poezive të saj, prit kur të kthehet në lot.

Nuk ka gjë Vjollca, përmalluni e lotoni, sepse ka më tepër shpirt brenda një loti se sa në një buzëqeshje.

Lotët kanë, ashtu si aroma e trëndafilit dhe e bajames, e mollës, apo e thanës, një shije të shëndetshme.

Në dashuri, asgjë nuk than më shpejt një lot se sa një e puthur. Kështu, i dashur kunat Lulëzimi, terjani lotët motrës sime Vjollca.

 

Vjollca,
Mblidhe veten, lër edhe ca lot se po të shterojnë krejt!

Lotët, (ata të gëzimit) ashtu si edhe shiu burimin e kanë në qiell, ndërsa, ata të dhimbjes, janë lot gjaku dhe pulsojnë apo rrjedhin çurg nga zemra.

Vjollca,
Po qan vërtet?

Nuk ka gjë, duket që i ke mbjellë poezitë duke qarë dhe sot po vjel frutat e punës e mallëngjyer dhe e gëzuar.

Lotët e sotëm, ndryshe nga të tjerët janë lot gëzimi.

Lotët e Vjollcës, ju garantoj, nuk janë kurrë lot krokodili.

Lotët e saj janë të vërtetë dhe, si të tillë, ata përzihen në poezi sa me admirim, aq edhe me dhimbje.

 

***

 

Znj. Ajasllari – Koni,

 

Poezia juaj qan, derdh lot, vajton.  Po më mirë kështu, sepse shumë zemra pëlcasin si tullumbace nëse nuk hapet valvola e shkarkimit të lotëve.

Në fund të fundit, njëra udhë e pastrimit dhe qelibarizimit të shpirtit është falë vuajtjeve dhe derdhjeve të lotëve.

Eh, ndodh që të preken po aq zemra nga gëzimi sa edhe nga lotët.

Vjollca,

Paç lot gëzimi!

Në gëzime të tjera, u mbledhshim!

 

Prishtinë

  1. 09. 2016

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s