HEDHURINAT / Dy skica nga Resmi Osmani

 

  HEDHURINAT

 

 

 _dsc0478

Dy skica nga Resmi Osmani 

 

 

KARAFILI

 

Kur të gjeta, ishte  dite marsi e mugët dhe vesonte shi.Dora e pakujdeshme e amvisës, apo e dikujt tjeter,ty nje bisk i brishte,te kishte shkeputur nga trupi i mëmës dhe  pa sajdi te kishte flakur nga ballkoni ne udhen e madhe. Gjendeshe i shtrirë në një pellgaçe me pakëz ujë të turbullt.Të pashë me keqardhje. Nga ngjyra e gjelbër që kishte nisur të zbehej, kuptova që Ishe ende gjall. Nuk të trishtonte te ftohtit, por vetmia dhe dhimbja humnerore ku te vidhisën. Këmbët e kalimtarëve të shkelnin dhe ne gjethe tu hapën plagë. Ishte dënimi yt i braktisjes dhe flakjes pa faj si hedhurinë, por ti s’mund të bëje asgjë. I tillë qe fati yt, një fund i trishtuar. I paracaktuar për të lulëzuar e zbukuruar, ishe i flakur për tu kalbur i dërrmuar e i shkelur, i shtrirë e i lerosur në një llonxhë me ujë. Teksa ti  hiqje lëngatën e dhimbjes, ndjeve që dikush qëndroi e të vështroi, pastaj u gjende në pëllëmbën e një dore të ngrohtë që të pastroi, të shkundi dhe largoi piklat e ujit dhe pisllekut të baltës.

Isha unë. Të pastrova, hoqa me brisk të mprehtë(që të të shkaktoja sa më pak dhimbje) gjethet e dëmtuara, ta freskova me prerje plagën e xhvatur dhe të mbolla në vazo në ballkonin tim. Kaluan dit.Ti e kapërceve dilemën të jetoj apo të mos jetoj: gjethet u gjelbëruan, u shfaqën te maja e rritjes gjethëzat e reja të brishta, e more veten, nise ti gëzoheshe ditës,dritës dhe diellit, harliseshe dhe u mbushe me plot degëzime të shëndetshme që përfundonin me gonxhe. Gëzohesha tok me ty dhe prisja me padurim të lulëzoje. Ç‘farë ngjyre do t’i kishe lulet? Erdhi maji, gonxhet u rritën dhe u frynë, nga brenda petlat, me trysni hapen gonxhen dhe u shfaqen të kuqe allë. Të përshëndetën e tëë uruan mirseardhjen: lule mullagat, zymbylat, zambakët, menekshetë, borziloku e manxurana. Të uruan mirseardhjen në bashkësinë e bukurisë së tyre. U bëre pjesë e bukurisë së mozaikut të ngjyrave.

Ermironte gjithë ballkoni. Për mua kjo ishte mirënjohja jote, fjala e mirë falnderuese, shpërblimi i kujdesit tim.

Në një qershor, një tufëz lule nga të tuat ia bera dhuratë Arbës, mbesës sime. E kush mund ti meritonte lulet e tua më shumë se fëmijët në ditën e festës së tyre? Lule për lulet!

Sa herë të shihja, ashtu të bukur e të lulëzuar, ndjehesha i lumturuar: kisha shpëtuar një jetë!

 

 

LAPSI

 

Rruga ime per të dalë në treg dhe për tu kthyer në shtëpi, kalon midis dy pallateve në të majtë dhe disa vilave në të djathtë. Është e betonuar e pa  asfaltuar. Shpesh qëllon që nga ballkonet e pallateve(huq i vjetër ky) të flakin në rrugicë gjësendi si hedhurinë. Në kthim më zunë sytë një laps. Thuajse i plotë, majëtopitur, ngjyrë të murrme, me prerje rrethore gjashtkëndore. E kapa me majat e gishtave. Ishte i lagur dhe i ndotur me baltë. E mora.Jo se s’kisha lapsa.

Një laps e aq, hiçmosgjë- do të thoni ju- dava pesëdhjet lekësh! Gaboni miqt e mi. Si edhe ju, kështu ka gjykuar edhe ai fëmija që e ka flakur(se me siguri i tillë ka qenë) pa e ditur që ai laps e të tjerë, kanë një histori dhe kanë bërë histori dhe me ta mund të krijohen mrekulli. Dhe historia nis në gjysmën e dytë të shekullit të XVI, pas zbulimit në Kumberlend të Anglisë të mineralit që u quajt grafit. Italianët Simonio dhe Lyndiana Bernacotti bënë lapsin e parë me dru plepi dhe zemër grafiti,më 1790, Josef Hardtmuth, në Austro-Hungari nisi prodhimin,që u patentua me emrin Koh-I-Noor Hardtmuth, me mrin e diamantit të famshëm persian Noor! Më 1848 u vendos në një kështjellë në Bohemi, që sot gjendet në republikën Çeke,  që më pas hapi degë në Nju Jork, Paris, Londër, Vienë, Milano dhe prodhoi e prodhon seritë e shumllojta të lapsave që ne i kemi përditë nëpër duar.

Ja që lapsi që gjeta nuk është një laps e aq, por një mjet i domosdoshëm, pjesë e qytetrimit tonë!

Kur ty, të merr në dorë për të shkruar, një mendje e ditur dhe e talentuar, hidhen mbi letër dhe materializohen mrekullira, pse jo edhe kryevepra! Ti, sido i heshtur, nis e ligjëron. Thonë që Heminguei, para se të niste të shkruante ,ato krijime që na mahnisin me bukurinë dhe mesazhet që japin, mprehte dymbëdhjetë lapsa. Kur topitej edhe maja e lapsit të dymbëdhjetë, shkrimtari e linte punën. E quante të kryer detyrën  e ditës që i kishte vënë vetes.  Të nesërmen si para një rituali, ai I mprehte sërish dhe niste nga të shkruarit për të hedhur në letër gjeninë e tij. Se pari, me ty Ajnshtajni, shkroi formulën e famshme që tronditi botën. Bilal Xhaferri, mbante me vete pa e ndarë asnjëherë një sivëllanë tënd, të vogël që të mos zinte shumë vend në xhep, bashkë me bllokun, dhe shkruante ,kudo që ndodhej, sa herë i zbriste muza, me atë shkrimin e bukur  me shkronja të pjerrësuara pak majtas, ato poezi të mrekullueshme, përfshi dhe kryeveprën e tij “Baladën çame”…..

Pasi të pastrova, ta mpreha majën,të vendosa në gotën e lapsave të tryezës time të punës.  Ti s’kishe gojë të flisje, por e dija që më ishe mirnjohës që të shpëtova nga hedhurinat dhe prisje të më shërbeje. Edhe për ty, rasti ishte mbreti i botës!

Kur erdhi Arba që të shihte gjyshin, deshi të më rrëfente shkronjat e reja që kishte mësuar. Të mori , pa e ditur, pikërisht ty. Në doçkën e saj të vogël u ndjeve i ngazëllyer teksa shkruaje shkronjat, pastaj tok me dorën e saj erdhën vizatimet fantazmagorike.Të dy ishit të lumturuar.

Me ty dhe për ty, shkrova  këtë  skicë.

 

    Tiranë, tetor 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s