Poezi nga Dhimitër Nica
Vjeshta e njeriut…
Bien gjethet e zverdhura,
bien në këtë vjeshtë nga lart…
Hedh dorën mbi flokë,
ata po bien të zbardhur
çdo ditë e nga pak…
NJË TRUP,NJË SHPIRT…
Kur dora m’u drodh mbi gjoksin e bardhë
ti rënkove mes ëndrrash ngrohtësisht,
u tremba nga ndonjë sëmundje e marrë
por në çast m’u lute të puthja tjetrin butësisht.
Atëherë u çela e mora përnjëherësh zjarr
e çdo centimetër mbi trup e puthja ëmbëlsisht,
ti vazhdoje lutjet të mos mbaronte shpejt ai çast
dhe mua më mbrekullove,më bëre magjik…
Dhe mënjëherë e fituam masterin në dashuri,
pa marrë leksione e pa dhënë shpjegime açik,
kush dha pak e mori më shumë s’ka fare rëndësi
rëndësi kanë vitet që shkrimë në një trup e shpirt.
Kur dora u mbush me gjoksin e bardhë
mornicat u derdhën ngado, pakufi,
s’u kuptua pse qanim e qeshnim me radhë
s’u kuptua kush ndjente më shumë unë apo ti…
MANUSHAQET
Mblodha lule manushaqe,
në pyllin e vetmuar
dhe i mbolla te saksitë në dritare.
Ç’thoni ju? A u bënë? S’mbinë fare!
Më turpëruan…
(Shkëputur nga libri “Pesha e fjalës” )
PËR NJERËZIT E MIRË
Për të mos qenë rruzulli në rrezik,
për të mos u ndjerë aspak në siklet,
unë kam kohë që përgatitem me dik’
për të gjetur një zgjidhje jo të lehtë!
Thonë se botës po i vjen fundi ngadalë,
ca arka të Noes fshehtas, po ngrihen diku,
të pasurit po falin pasuritë për një biletë të rrallë,
të varfërit pa kokëçarje gjesdisin kuturu …
Për të shpëtuar botën nga përmbytjet e rrufetë,
një planeti tjetër i kërkova ndihmë,
një planeti që na dhuron dritë e shpresë,
Hënës së bukur, fqinjës sonë të mirë!
Me gjuhën hyjnore ju luta për ndihmë
dhe ajo kërkoi që të rilidhim një pakt,
që t’na shpëtojë nga çdo gurë, rrufe e suferinë,
pa u futur në kutitë e Noes,nën kapak…
S’na ngushëllon frika,të qarët dhe lotët,
milionat e mbledhura për t’u futur aty,
t’u jepen nevojtarëve anë e mbanë botës
dhe më pas do të rilidhemi edhe ne të dy…
Nuk mund të prishja paktin me një Hyjneshë,
pavarsisht se unë do të ngjaja si ufo në hënë,
për njerëzit e varfër, për njerëzit e thjeshtë
edhe gjakun tim, me fund, do kisha dhënë!
-Marë nga ” Nesër do të jemi më të mirë ” Prishtinë 2016.
DASHURIA
Kur ti ndodhesh pranë meje në krevat,
zemra dhe trupi më ngjizin lumturinë!
Të gjitha mrekullitë po më vijnë dhuratë,
trupat japin e marrin me dëshirë!
Ah, sikur kjo natë,
të mos kishte të gdhirë!
-Marrë nga ” Nesër do të jemi më të mirë “