Poezi nga Juljana Mehmeti
Dimension
Në botën e vogël të egzistencës,
ku segmentet kryqëzojnë si harqe
rrathët e pakuptimësisë kohë
në përballjen e paevitueshme
të Unit dhe mendimit
nuk ekzistojnë dyer e kyçe
jasht kufijve të botës mbyllur,
ku çdo gjë zhduket
në universin e pafund të vetëdijes,
përtej vizionit të së padukshmes…
Arsyeja shkon e vjen si retë
dhe ti je qielli,
ku ndjesitë rrjedhin kurmit
dhe çdo dimension i përshfaqur
humbet në boshllëkun tënd,
që gjithçka rrëfen…
Në përjetim të vetvetes
lirshëm zbret…
Vallëzimit të dritës me hijet,
përjeton ekstazën e ripërtëritjes
lëshuar ëmbël
në harmoninë e krijuar
ekuilibrit të muzikes jetë.
Julja
Juljana Mehmeti