Shtëpia Botuese ” ADA” publikon librin me haik ” Letër pë një Re” të autores Reshida Çoba.

 

14925330_10209236326777923_4063228588839251929_n

 

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon librin me haik ” Letër pë një Re” të autores Reshida Çoba.

 

 

Autore : Reshida Çoba

Titulli: letër për një RE

Redaktor: Nasho JORGAQI

Botim i parë,

ISBN 978-9928-223-37-1

 

 

Roland-Lushi

Botues: Roland Lushi

© Të gjitha të drejtat janë të autores

Tirazhi: 300 kopje

Shtëpia Botuese “ADA”

Rruga: Nasi Pavllo Nr.20

E-mail: rlushi@yahoo.it

Cel: +3554 68 221

Tiranë, nëntor 2016

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Çoba, Reshida

Letër për një Re : haiku / Reshida Çoba. –

Tiranë : Ada, 2016

128 f. ; 23 cm.

ISBN 978-9928-223 -37-1

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

 

“Mund të le përshtypjen pak indifirente ose e pavëmëndshme, vetëm nëse ndodhem para bisedave, tezave, të cilat, nuk janë aspak bota ime. E kujdesshme deri në grimca për ti dhënë jetës, fëmijëve, dashurisë, më të mirën dhe maksimumin e kualitetit njerëzor, të kualitetit…grua, jam gjithmonë një grua në alarm e kontroll.”

 

mojo-bucpapaj-1

Intervistoi: Mujë Buçpapaj

 

Buçpapaj: -Po e fillojmë intervistën jo me pyetje si zakonisht për Ju Reshida, si mysafire më e largëta tejoqeanike, mund të filloni me diçka që do kishit dëshirë ta thonit pa tjetër, në këtë intervistë, mos ta harronit ?

 

Reshida : – Flm, Mujo, kjo nuk më llaston aspak, por më prek edhe më shumë, kur jam e prekur emocionalisht, sa herë komunikoj me Shqipërinë, sa herë lexoj e mendoj në shqip, ndaj me zë të lartë do thoja: Kam mall…kam mall…më shumë mall se ditën e parë kur lashë atdheun tim, Korcën, nënën, vajzën time Eda dhe kuptova e mësova një sjellje të re si mërgimtare, koka do më mbetej gjithmonë mbrapa. Në mërgim pashë dicka të cuditshme, emigrantët të gjithë i kishin sytë të përlotur edhe kur gëzoheshin, dukeshin njerëz të lodhur, të pasigurtë, formuar nga koseguencat, nga nevojat e përshtatjes…njerëz që nxitonin të mësonin në kohë rekord gjuhën, kulturën e historinë e një vendi tjetër, kur nuk ishin aq të mirëpritur e të ftuar nga populli i tyre. Emigranti cdo ditë pret të paparashikueshmen, ka shumë për të rrëfyer, për vuajtjet e tij po ta pyesësh. Zhvendosja e tij ka ndodhur jo vetëm gjeografikisht por dhe shpirtërisht. Jeton në një vend ku nuk ke as të vdekurit as të gjallët e tij.Historikisht, asnjë udhëtar nuk është i lumtur, as te Libri i Shenjtë, si nga eksodi, bredhja…as te Odiseu si detar i lodhur, as te Komedia Hyjnore.Guxim eshte të vish nga një vend i vogël dhe të jesh e rrethuar nga Pacifiku i madh. Sa herë vi në Shqipëri dhe takoj njerëz, fillimisht ndjehem e kontraktuar, më duket sikur të gjithë më shikojnë dhe nënkuptojnë një gabim te unë, a ndoshta unë ndjej se kam bërë nje gabim, kam braktisur atdheun.

 

Buçpapaj : Vini në këtë intervistë me një risi të bukur për letërsinë shqipe: Haiku modern me një varg dhe dy vargje.Si e arritët këtë dhe si u zgjua te ju kjo ide interesante, qe do mbahet mend nga të gjithë ?

 

Reshida: Në disa pritje të punës sime, kur ishin të ftuarJaponezë pashë se recitonin Haiku, për të cilat kisha lexuar në një librari Japoneze, më ishin dukur intruguese por nga koha e pakët, nuk i kisha mbajtur dot në emocionin tim.Në një darkë të vecantë, me titullarë Japonezë të ftuar për hir të Presidentit Obama, vetë Obama recitoi disa Haiku, në nder të tyre, fillova të mendoj përsëri për këtë formë poetike, duke parë se natyra ime përshtatej shumë në këtë stil poezie. Kjo teknikë moderne, si talent kryesor do koncentrim, inteligjencë të saktë dhe të shpejtë emocionale, për absorbimin e një imazhi të momentit, ku në pak rrokje të përcjellpsh emocion të madh.

 

reshida cobo

Reshida Çoba

 

Kërkon, disiplinë të lidhur nga llogjika organike, jo abstrakte. Haiku me një varg e dy vargje nuk është aspak modest ka tendenca aristokrate, nuk është thjesht një “gjë “, por i ngjan “një krijese” që do lëvizje nga lindja e idesë deri te përcjellja dhe vënia në mendim të lexuesit…ku lexuesi të vazhdojë të ndjehet në emocionin e dhënë.Është dhe një aventurë e rrezikshme, sidomos haiku me një varg sepse qëndron rreziku, të biesh në pozitat e një fjalie a një thënie, jo një forme poetike. Guxova të hyj kësaj aventure, kur në disa konkurse të klasave që merrja për Haikun modern, disa herë haiku im kishte fituar… ja një Haik i imi me një varg, fitues nga Brass bell: Haiku Journal Los Angeles:

“Çfarë hedh krahëve natën ky fshat pa male ”

ose Haiku me dy vargje:

Gjithmonë shkoj në funerale

Ti them vdekjes do vonohem.

Dhe po i zgjedhur si Haiku me i mire modern me tre vargje:

Ç’ëndërr panë gjinjtë mbrëmë

Për diku larg u nisën

Si dy pëllumba të bardhë.

 

Buçpapaj: -Çfarë mesazhi përcillni me titullin e librit “Gruaja R”

 

Reshida : -Kisha parasysh një titull lirik…femra është një lirikë e mirëfilltë..është një thesar që e sulmojnë të gjithë njerëzit … thesar i sulmuar në të gjitha kohët. Me lirikë e bën dashurinë dhe me lirikë zbulon, e jep trupin e saj te mashkulli, për të ripërsëritur, krijuar qënien tjetër, në barkun e saj. E adhuroj qënien grua në një mënyrë gati si të vetmen gjë të përafërt perfekte lidhur me qënien.Sigurisht e bashkoj mirë lidhjen time si qënie me lidhjen kimike të gruas, por kur duhet, di dhe ti ndaj, e të jem e kujdesshme mos ti fut në kontraditë. Dashurinë, trillin, krijimin nuk ja besoj shumë aprovimit qënësor, por asaj të Gruas dhe sigurisht gruaja kërkon dhe kohën e duhur e unë ja siguroj. Këtu mund dhe të krijohet rasti për kontraditë, por jam e kujdeshme në raportet, që Gruaja me pjesët e saj të dëshirave, krijimit, erotikës mos bëhet mbirealitet. Nuk kisha parasysh që libri të bërtiste, jam unë femra, por desha libri të dukej femër.

 

Buçpapaj: – Çfarë është të shkruarit për Reshidën, kur dhe si e ndieni kete nevoje ?

 

Reshida: -Të shkruarit është qëllim shpirtëror, ndersa të botosh është thjesht qëllim intelektual.Shkruaj sa herë dua të jem vetëm, të jem e lirë të flas, pyes, gjykoj veten hapur, të jemi vetëm ne të dyja, pa komplekse. Dua të krijoj rreth vetes jetë të tjera, t’i largohem asaj që kam realisht. Nuk kam fare parasysh lexuesin, nuk kam qëllim të influencoj njeri…koha kur shkruan është kaq e mbushur me ngjarje, detaje, imazhe, unë thjesht nxitoj të dëgjoj e kuptoj çfarë kërkon shpirti i gruas sime, në se shpirti do të gjykojë unë gjykoj, nëse shpirti kërkon të luaj i lirë deri dhe në trille me dashurinë…luaj dhe unë, trillet janë thjesht kapërcime personaliteti, ta lesh veten krejt të lirë, në se shpirti do të vuajmë, unë për vuajtjet shkruaj. Kontrollin e koshiencës në këtë moment nuk e kam kujdes, e le zero. Kam besim dhe te inkoshienca ime, te liria e gruas, e poetes që është po pjesë e këtyre tre pjesëve të miat.Trupi i tërë, eshte thjesht një materie, ku sasia më e madhe i informacionit nuk janë parafrazat por spiritualiteti emocional i gjëndjes. Poezia është shumë private, e dashuron lirinë. Dikush më pyeti për poezinë “Luksi me Arixhinj”…mos do ishte më mirë vargun,”kush do prekte padashur gjoksin e madh të leshverdhës”, të vije, “kush do prekte padashur gjoksin e bukur të leshverdhës “? Unë u përgjigja : -Ku e dinin ata, që unë vërtet e kisha gjoksin e bukur, gjoks i bukur duket vetëm kur e shikon realisht.Vargu erdhi ashtu i sinqertë aq sa ishte e sinqertë vajza te unë, shkrova të vërtetën dhe nuk jam penduar per këtë edhe sot dhe pse kjo poezi u bë objekt i gjërë diskutimi. Më entuziasmon kjo transparenca ime, më duket se e shoh veten tejpërtej, nuk më fsheh dot asgjë. Përkushtimi i sinqertë ndaj shkrimit të çon dhe te ndonjë parodi e vetes.

 

Buçpapaj: – Çfarë ndjeni nga pozita e poetes, kur flisni me njerzit ?

 

Reshida: -Poeti nuk është ideator, psikolog, nuk jep receta dhe as nuk bën teori, thjesht nëpërmjet shkrimit përcjell standartin e jetës, botëkuptimit të tij, marëdhniet me jetën në cdo aspekt. Prezanton me fisnikëri nivelin e shoqërsisë ku jeton, klasin, trazirat e asaj kohe, tendencat, dëshirat dhe besimet e saj. Poetët i kanë dhënë jetës dhe botës figura njerëzore që mbahen mend e adhurohen, kapituj të tërë jete nga biografia e tyre që çdokush do donte ti kish përjetuar ashtu, të kish dashuruar ashtu, të ishte mërzitur ashtu, të kish humbur dashurinë ashtu dhe të kish vuajtur, po ashtu.Poeti nuk është asnjëherë një mendimtar abstrakt. Jetën e poetit nuk e fajëson askush dhe pse është e rrëmujshme dhe e çuditshme.

 

Buçpapaj: -Nevoja për të shkruar një subjekt poezie vjen te ju si një gjë imediate apo e stimuloni vetë ?

 

Reshida: – Ndoshta s’di si ta shpjegoj,si ta perifrazoj, por e kam të qartë në mendjen time si është…atëhere le ta them kështu..i ngjan një ngacmimi të thjeshtë, sikur rri në errësirrë me sy mbyllur dhe pret të vijë drita… dhe ja mbi kapakët e syrit ndjen ardhjen e dritës, thjesht hap sytë të rrëmbesh këtë dicka qiellore. Ndodh dhe që ardhjen e një poezie e kam parandjerë më parë se të jetë formuar si mendim i plotë, ngacmimi fillon me një ide a një fjalë që do jetë subjekti i radhës…ndjej një lloj malli për veten, dicka ndryshe…dicka që më kërkon të përsëris emrin tim në mendje, emrin Grua. Kur jam në rrugë në makinë instiktivisht shihem ne pasqyrë me idenë se do e shoh këtë dritë rrënë dhe mbi fytyrë…këto janë copat e dritës e ndoshta çmenduritë që i vinë poetit ndryshe njerëzve që nuk shkruajnë…Poetët nuk janë të kontrolluar nga çmenduritë.

 

Buçpapaj : – Në librin Gruaja R ka mjaft poezi për puthjen, një tendencë kulti ndaj puthjes kjo ?

 

Reshida: – Jo, nuk është kështu, kjo thjesht është përdorur si nocion nga disa gazetarë e shkrime për ta bërë librin dhe shkrimin më erotik në publikimet e tyre, thjesht rastësi, nuk ka ndodhur asgjë nën kujdesin tim. Sigurisht puthjes nuk ka poet që nuk i ka kënduar më shumë se cdo subjekti tjetër. Puthja është kryefjala e dy njerzve që duhen, që duan të aprovojnë njohjen e tyre intime. Puthjen, nuk duhet ta shohim si epsh, si një njësi e caktuar biologjike e cila të con te një akt final i seksit, eksitimit, puthja është një reaksion i shpjeguar i ekzistencës në kodet e informacionit gjenetik të dy sekseve të kundërt, të cilët nuk plotesojnë mangësinë e tjetrit, nuk korigjojnë ndonjë difekt të tjetrit, thjesht lejojnë të ndodhë sinteza e mrekullisë,për aq kohë sa ata të dy investojnë njëlloj me koshiencën e materies së tyre, në këtë lidhje thjesht shpirtërore, që nuk vjen nga qëllime të tjera ose nga ato qe vinë, thjesht si nevoja seksuale. Këta të fundit provojnë dhe arrijnë vetëm kënqësinë e seksit, por nuk provojnë dot, nuk përjetojnë dot parajsën universale të seksit, atje ku ka lidhje shpirterore,nga ku dalin fjalët hyjnore të zemrës dhe të shpirtit.

 

Se ka buzë gruaje

Që e ndezin burrin

Pëlqen të digjet natën

Ashti si digjet druri

Për buzët e mia

Nuk më prishet punë

Buzë kur s’kam pasur

Thengjinj atje kam unë.

 

Buçpapaj: – Miliona poezi të bukura për nënën në botë, por të shkosh të pish kafen me nënën duhet të bëhesh e bukur… kështu shkruan vetëm Reshida…ç’është kjo ndjesi ?

 

Reshida: Para nënës dhe kafes/ gjithmonë shkoja e bukur/Flokët krehur plot kujdes/Vendosja gruan e lumtur mbi taka të nisej me një rrip të hollë/ shtërngoja dhimbjet në bel.

Po, poezitë më të shumta në numër dhe më të suksesshme në botë janë për dashurinë dhe nënën. Të kjo poezi imja nuk ka aspak imazh, thjesht ashtu ka ndodhur, ashtu bëja unë. Është një mënyrë e tërë dashurie, një konceptim i dallueshëm i natyrës sime, që e kuptoj dhe e ndjej si adhurim, mirënjohje, detyrim ndaj dickaje jo të zakontë, dickaje që nuk ja shpjegoj dot madhështinë e qënësisë hyjnore të saj, që për mua e vetmja gjë e tillë në këtë univers, është…Nëna. Këtë ngacmim e kam pasur jo vetëm kur u rrita, u bëra grua dhe mësova aq shumë mbi estetikën dhe prezantimin si respekt ndaj dikujt, por që kur isha fare e vogël. Qartë kujtoj njëherë në Diten e Verës ,e festonim shumë në Korcë, mamaja na ngrinte herët dhe na çonte te një cezëm e bukur në lagje, ku duhej te lanim sytë me ujin e saj dhe bënim disa zakone. Unë ngrihesha me herët se kushdo, të sigurohesha që veshjet dhe sandalet do i kisha të patsra dhe kur të ngrihej mamaja, ti pëlqeja e të gëzohej…këtë do e shihja me siguri te sytë e saj të mëdhenj, do thoshte diçka për mua.Nuk kishte këtu qëllim konkurimi midis motrave e vëllezërve, ishim pesë dhe pse ata ishin të vetmit konkurues në këtë spektakël te vogel shtëpie, e bëja vetëm të gëzohej mamaja.Nënën gjithmonë e kam parë si një cështje besimi, si një perëndi.

 

Buçpapaj -Ndodh të kini ndonjë ngacmim, emocion nga një ide a fjalë që nuk doje ta shkruaje, si vepron ta largosh ?

 

Reshida : -Po përsërit frazën e preferuar të Bghagat Singh :

“Të dashuruarit, të cmendurit dhe krijuesit janë ndërtuar nga e njëjta lëndë. Ndaj kuptohet që jeta, frymëzimet e tyre nuk janë të organizuara mirë, nuk janë gjithmonë njëlloj. Asnjëherë nuk i përze ngacmimet që vinë pa i ftuar, ato janë dicka.Unë i marr këto ngacmime dhe filloj shkruaj dhe nëse shoh se nuk kam aq emocion, aq mjegull në shpirt, ku të endem, nuk ndjej se vargu njomëzohet, atëhere shkruaj dicka për vete dhe i rruaj ndoshta për dikur…?

 

Buçpapaj: A keni ndonjë zakon a besim kur shkruani që duhet ta kini patjetër rreth vetes?

 

Reshida : – I vetmi zakon, komoditet që dua të kem është…Nata, dhe kjo nuk kushton në vlerë, por kushton shumë në mungesën e orëve të gjumit, që kurrë si pata mjaft. Unë i jepem e tëra asaj, por Nata nuk është aq e urtë dhe modeste sa duket.Nata është tekanjoze, ka aristokracinë e heshtjes së saj, kërkon shumë, nuk të pranon të ulesh me të dhe të jesh një grua e zakonshme apo dicka medium. Ajo kërkon të zbulojë tërësinë e gruas, njeriut, duke të vështruar mirë me sytë e mëdhenj të errësirës… të do të zhveshur deri në inde, të vërtetë dhe të bukur, që të besojë dhe ajo misteret e saj, ajo do të lexojë cdo gjë të gruas ,stinët e saj shpirtërore, mirësine, dashurinë, pjalmimin, ngjizjen, pendimin, xhelozinë, merinë, brengat, dëshirat, lodhjen, nënën, gruan, bijën…do të lexojë të ftohtit që ka mbritur te poetja, te lexojë dhe zajrrin që vetë poetja e ka ndezur. Nata me autoritetin e saj kur kalon nëpër rrugën e gruas ndjehet si të jetë duke kaluar rrugës së qumështit, ku ka mistere pa fund për të zbuluar.Gruaja është një rrugë qumështi, është e vetmja që e ka dhe qumështin dhe rrugën nga ku e përcjell. Ndaj unë e pëlqej natën dhe shkruaj vetëm natën. Këtë kompleks të msitershëm e provokues e konsideroj si luksin tim më të madh që i dhuroj vetes.

 

Bucpapaj: -Ka ndonje subjekt a fjalë që përsëritet shpesh, në poezitë e tua, në se mund ta quajmë dhe ves?

 

Reshida: – Interesante kjo pyetje, sepse dhe mua më ka shkuar ndërmend, ka disa fjalë që sillen rreth vargut shpesh dhe pse unë dua ti shmang.Ve re se shpesh përmend ndonjë fakt nga shkencat ekzakte si matematika, gjeometria, fizika, kimia …ndjehem e sulmuar nga këto shkenca, më shumë pëlqej gjeometrinë dhe numrat.Nuk mendoj se kjo e ndihmon poezinë apo dhe e dëmton, por kështu ndodh…kështu jam une !

Dua të di cdo gjë për numrat

Për prerjen e artë

Phi- në greke,për të gjitha fuqitë

C’far mendojnë,kur ngrihen në katror

Kur ngrihen në kubikë

Misterin e infinitit nuk di

Në se dikush do e kuptoj

A bëhet më i vogël

Kur gjysmën i heq

A bëhet më i madh

Kur gjysmën i rrit.

 

Buçpapaj : – Duket se nuk boton, nuk angazhohesh shumë me mediat dhe pse shpesh përmendesh në to…ndonjë arsye ?

 

Reshida : – E vlerësoj median dhe informacionin, hallka të duhura për krijuesin, i sheh rezulatet e tyre shpejt e mrekullohesh, njeriu e ka të shpjeguar në natyrën e vet ndjenjën e vlerësimt, por unë thjesht nuk jam kjo natyrë dhe më kryesorja nuk e kam kohën e duhur.Të dalësh para mediave ëdhtë si të dallosh efektet e kohës te vetja, si ka ndikuar njohja e veprës tënde te të tjerët. Unë nuk e bëj këtë shpesh.Vec kësaj është dhe një problem tjetër që koha moderne, e ka sjellë si dukuri jo moderne. Jam ndjerë keq kur në gazeta edhe në postime të facebook kam parë poezi shkruar për mua, ku në mënyrë te kamufluar dedikimi shpjegohet si shenjë mirënjohje, adhurimi për një poete, një mike të vecantë, njohur nepermjet miqësisë e bisedave, kur bisedë e njohje private nuk ka pasur, por thjesht ndonjë tekst i shkurtër i tyre, një kërkesë për të dërguar ndonjë poezi a ndonjë intervistë. Facebook është bërë sa i nevojshëm, aq dhe shqetësues, kjo sepse, civilizimi, qytetërimi apo fisnikëria e nevojshme, për këtë ndryshim të shoqërisë, disave ju mungon. Në se një poete ka mjaft miq në fb, kjo nuk do të thotë se do ju shkruash e ti respektosh me Like apo Komente. Ah…po, unë nuk harroj kurrë ti uroj për ditëlindjet apo ndonjë fatkeqësi që shikoj në fb, në se e jep rasti të lexoj. Jemi miq në fb, jo se kemi të njëjtat mendime e shije, opinione… jo se bëjmë të njëjtën gjë e kemi të njëjtat karaktere. Fb është bërë si molla e biblës…e mira dhe e keqja e kohës.

 

Buçpapaj: -Çfarë do ishte një poezi, si subjekt apo titull që do doje ta shkruaje e nuk e ke shkruar akoma ?

 

Reshida: -Hë..ë…nuk e kam menduar kurre një gjë të tillë, por që po më pyesni mund ta mendoj. Çfarë do të ishte… ? e di çfarë, mbase do ishte poezia ime më e mirë, që unë akoma nuk ndjej se e kam shkruar.Nuk kam një poezi që ta pëlqej më shumë se të tjerat. Por ka poezi që janë pasion në vazhdim, që poeti ka shumë material të shkruar dhe vazhdon të emocionohet nga cdo detaj lidhur me atë subject. Për poezinë,”Perëndia jonë është Jeshilja “, unë mund të botoj të tjera poezi,sepse frymëzimi i së gjelbrës është ndikim te unë. Jeshilja me dipllomacinë e harmonisë së saj, modestinë e dëshirën e saj për të qetësuar, për të kuptuar mendjen njerëzore, dashuritë e saj, është kthyer në urtësi te unë.

E mban mend ditën e parë

Kur u njohëm

Unë bëja sikur shkundja dritën nga supet

Dhe zë ndrojtur fola:

Dukem bukur në Jeshile ?

Ti mbillje vështrimin tënd

në gjoksin tim të bardhë

Me kujdesin sa më afër qendrës

Sa më afër erës së qumështit

Si ta them këtë ndjesi

Këtë frymim të gjelbër

Fëshfërima shelgu ndjej

Nuk jam më prej lëkure

Bëhem një zakon i bukur jeshil

Shndruar në formën

Më të përkryer të qartësisë

Fytyra e barit

Sa e ngjashme me timen

Si cdo fillim jete

E xhelozuar era,

Rrëmben me puthje belin tim

Mencuria e gruas ndryshe nga burri

Te beli qëndron

Thellë tij planeti mitër

Ku ngjizet njeriu

 

Buçpapaj: -Si do e përcaktonit veten, “Gruan R” në disa fjalë ?

 

Reshida: -“Lakmuese ndaj jetes”, por ndruhem mos më keqkuptoni, mbase fjala më e saktë do ishte “kërkuese ndaj jetës”, eh…nuk po di tani dhe une ç’të them për veten, e veshtire kjo pyetje, Mujo. Por jam e qarte në vetevete se raporti midis lakmise per jetën per ta gezuar, për ti rrëmbyer kënaqësitë më të plota dhe lakmise për njohuri, për te qene e ditur deri ne mundësine maksimale të një gruaje të menduar mirë, perfaqësojnë një gjë të vetme te une, janë e njëjta gjë. Mund të le përshtypjen pak indifirente ose e pavëmëndshme, vetëm nëse ndodhem para bisedave, tezave, të cilat, nuk janë aspak bota ime. E kujdesshme deri në grimca për ti dhënë jetës, fëmijëve, dashurisë, më të mirën dhe maksimumin e kualitetit njerëzor, të kualitetit…grua, jam gjithmonë një grua në alarm e kontroll.

Më kot më fshihesh

Unë do të të shoh

Në mos në rrugë

Në ëndërr domosdo

 

Buçpapaj: – Thuhet se do të vini në Shqipëri shpejt, duke përgatitur një botim të ri…çfarë do të ishte kryesisht ?

 

Reshida : – Them se jam gati, megjithëse kjo fjalë tingëllon e pavërtetë, për cdo krijues. Asnjë krijues nuk ndjehet gati të dorzojë veprën e tij, bile në fund, vepra duket se duhet të fillojë nga e para. Krijuesi thjesht i dëshpëruar vendos ta braktisë librin dhe e bën. Nuk di akoma, cila do jetë fytyra e librit tim, jam konfuze dhe nën ndikimin e stresit, nuk di cfarë do përdor.Shkrimet e mia janë të grumbulluara në vite, përjashto Haiku që i përkasin jetës në Kaliforni. Do ndjehesha mire si poete sikur të arrija të mbaroja shumë poezi shkruar për universin, ndikimet e tij mbi jetën ,dashurinë, superioritetin, misterin e krijimit, që mua më mban shpesh nën kontrollin e tij dhe më argëton njëkohësisht.Poezia i ngjan universit, vetë shtyhet, zgjerohet njëlloj si universi dhe po nga kjo ngarkesë specicifike hyjnore, ndikohet në emocionet e fjalës, filozofisë, ngacmohet në vibrimin, imazhin, aktet, që kryen. Universi shpesh më duket një mendimtar i madh, jo si nje makinë e madhe, fakti më i thjeshtë i universit të ngacmon të shkruash se arkitetkti kryesor i tij është një matematikan dhe poet i shkëlqyer. Netëve të gjata të miat kur ndjehem e lodhur si një person tokësor, shkruaj dhe krijoj një univers të vogël brenda dhomës sime me librat, disa detaje qiellore, yje të sajuar e impiante shkencorë,për të cilat këtu ka dyqane të mëdhenj shkencore, të kuptosh e mahnitesh me te dhënat e universit, me sekretet e energjisë së dritës,energjisë të errët, të ftohtë apo te ngrohtë, eshte nje mrekulli.Të përjetosh universin, të largohesh nga dhoma jote e vogël, ndjen se i përket një tjetër kohe dhe hapësire,je e tëra eter. Ndjen se flirton me universin, sigurisht jo si flirtimet tokësore,tjetër gjë dhe nga këto ndjesi mund të shkruash pa fund, për botën, njeriun. Unë i kam këto poezi dhe nuk di sa te susksesshme do jenë, nuk di nëse do i botoj.

 

Bucpapaj: -Në poezinë “Luksi me Arixhinj”,thua se gjërat e mëdha, kërkon t’i zgjidhësh, ti mësosh ndryshe nga të tjerët..Pse ?

 

Reshida: – Dua të kem një mënyrë timen, që nuk ngjan me të dikujt tjetër, kështu une kuptoj se jam Reshida.Çdo grua duhet të njohë mirë anatominë e saj,vecantitë e të kuptojë mirë se cdo fenomen nuk ndodh e përjetohet njëlloj te të gjitha gratë. Dhe pse si krijesa njerëzore, në natyrën tonë kemi vetëdijen se jemi të mencur e racionalë, se marrim vendimet e duhura,se dimë cfarë hamë, cfarë na duhet, se dimë kë dashurojmë , kjo nuk është gjithmonë e saktë.Një tjetër buton ndodh që ndikon e ngatëron shpesh brenda trurit tonë, në marrjen e vendimeve, butoni ndërmjet intuitës e llogjikës. Kur unë kërkoj mënyra më të mira brenda vetes sime për ndonjë problem të rëndësishëm, gjej se brenda meje ka disa Reshida të tjera, më të zonjat se unë, të cilat dhe pa folur, lenë fuqinë e prezencës së tyre.

U rritën pazaret dhe bastet

Në lojën e xhambazve

Njëlloj si për gomerët

Sa herë që ziheshin për mua

Kush do ulej pranë

Kush do cikte padashur

Gjoksin e madh të leshverdhës

Tërboheshin arixhinjtë

Klarinetat sokakëve të Korçës

Unë vetëm përcillja kurreshtjen

Gëzimet e tyre

Përcillja habitë e mia

Pyetjet e moshës

Qysh atëhere mbaj mend

Ti mësoja vetes,cdo gjë të re

Me të kundërtën e shoqeve

Të kundërtën e së zakonshmes.

 

Buçpapaj: -Po të filloje jetën nga e para,çfarë do doje të bëje ndryshe ?

 

Reshida: – Them se nuk do doja ndonjë ndryshim, nga frika se nuk do kisha po të njëjtat vajza që kam Eda dhe Valbona, njëra brune…tjetra bionde, njëra me e dashur…tjetra më e kujdesshme, njëra më e qetë…tjetra më alerte, njëra më e heshtur… tjetra më e hapur, njëra me elegante… tjetra më shumë me forma, njëra e suksesshme në biznes… tjetra modele e njohur, që të dyja bashkë për mua si nënë plotesojnë atë kërkesë modeste të cdo nëne, nga fëmijët e saj, dashuri dhe mirënjohje, unë e kam marrë këtë me shumicë, e quaj veten…nënë me fat, jeta ime eshte e treta mbas tyre, qe diten, kur ato u bene pjese e jetes sime

Eda + Valbona = Reshida.

Këto i them dhe i ndjej tamam kështu, duke pasur parasysh sikur dhe të përseriteshin ato vujatje, netë pa gjumë, mosplotesime dëshirash lëvizje dhe aventura me atë kosto dëshpërimi e vuajtje që kam kaluar. Ana biologjike eshte me pakta qe e ben nje grua te jete nene, por potenciali i saj i kthyer ne influence, perpjekjete saj kthyer ne qellime per femijet e saj e zbukurojne emrine saj.

 

Buçpapaj: – Kush janë emrat që përfaqësojnë sot Haikun Modern Botëror ?

 

Reshida: – Emri më i njohur për Haikun Modern, mënyra si evoloi është padyshim emri i poetes tepër inteligjente, Marelen Mountain.Të lexosh Marelen është si të lexosh Historinë e Haikut, ajo shtoi ndryshim të madh, shkroi poezi të tëra Haiku me një rrjesht. Harrua Shirane, shkrimtar Japones në universitetin e Kolombias, i shkroi poetes:

– Poetët e suksesshëm nuk ju qëndrojnë strikt rregullave, ata i krijojnë rregullat, ju i përkisni kësaj kategori poetësh. Nuk është një pyetje që Mountain është më e madhja e Kapitullit Haiku Modern botëror,p oezitë e saj tregojnë ndjeshmëri të lartë inteligjence, poetja e parë që futi politikën në Haiku, përdori teknika si diagrama bosh, mungesë fjalësh, haiku me figurë. Për lidhjet me Haikun vetë poetja shprehet: Ishte Haiku qe më tërhoqi, jo se ishte i lehtë,por pse nuk ishte i lehtë dhe unë e di veten time se ja dal mbanë.

Unë respektoj mjeshtrin Basho deri atje ku duhet me idetë e tij dhe pastaj me idetë e mija shtoj evolimin e pashmangshëm.

Ja një Haik i saj me një rrjesht:

” Një mbremje lejla në dritare ajo palos të brendshmet e saj”

Tjetër emër i madh në Haikun me një varg është, Cor Van den Heuvel:

” Hije në picetën e palosur ”

Bill Zavatosky, botoi antollogjinë më të madhe me haiku një rrjesht, Roy Rogers, përpilimi i tij bën qartë, se poezitë me një rrjesht nuk janë të huaja për perëndimin. Poeti i parë që shkroi poezi me një rrjesht ishte Guilloume Apollinaire në 1913.

” Dhe vargu i vetëm i borisë së detit”

 

Bucpapaj: -Si evoloi Haiku Klasik Japonez në Haiku Modern, që kemi sot ?

 

Reshida:-Gjithe jeta i nënshtrohet ndryshimeve, evolucionit, këtë bëri dhe Haiku. Vërtet burim frymëzimi i Haikut ishte natyra, po kur ngjarjet njerëzore përjetoheshin në fshat, ashtu si mjeshtrat e Haikut jetonin në fshat. Sot njerzit jetojnë në qytet, vecoritë e natyrës nuk janë të dukshme ndërsa ato shpirtërore midis njerzve, eksperiencave me jetën, shkencën, dashurinë, ekonominë, janë absolute të dukshme. Basho e dinte që Haiku do ndryshonte, kishte ide moderniste për Haikun, ai shpesh përdori dhe metaforën, kur Haiku klasik nuk e lejon,përdori më pak ose më shumë rrokje se 17. Basho, ky mjeshtër i madh i Haikut shkroi” Mëso rregullat e haikut dhe pastaj harroi.Takamura Kotaro shkroi:

Nuk e bën më të mirë ose më të dobët një Haik, numri më i madh apo më i vogel se17 rrokje, Haik i mirë nuk është ai që numëron rrokjet, por ai që rruan formën e Haikut, që implikon me inteligjencë dy ndjenja, dy gjendje në një një te tretë në lidhje krejt organike, shokuese, kur i përcjell lexuesit pervojë që nuk e kishte venë re më parë. Haiku dhe pse ka evoluar rruan sekretin e tij,krijon tension te lexuesi me një “Uha..a..a !” Një shembull modest si duhet të krijohet kjo suprize e jep Lee Gurga,Kritik i madh i Haikut: ” është si tp gjesh shumë lekë në xhep të pantallonave,thotëbai ,kur nuk ke asnjë lek e të duheshin dhe ti bën Uha…a !

Haiku u bë intersant në evolimin e tij, u pa dhe në mënyrën se mund të kurojë probleme mendore si formë qetesie e zbavitje. Roland Barthes, nënvizoi në antollogjinë e haikut boteror :- Mendova se Haiku modern ishte i lehtë, por ishte një ferr më shumë se numërimi i rrokjeve, ishte vështirësia e vënies përbri dy imazhe të kundërta që mencurisht e me finesë nxirrnin cudinë e tretë , vazhdimisht shkruaj Haiku dhe te kjo teknikë, akoma kam ankth,mund të shkruash Haik te mirë dhe mund të shkruash thjesht,një Haik.

Haiku ka mbi 20 teknika por jo 20 rregulla.A mund ti përmbahet cdo gjuhë bote rregullit të 17 rrokjeve, kur në Japoni nuk ka rrokje që numërohen portinguj.p.shfjala,”on”, përkthehet,”mbi”, në shqip numërohet një rrokje, në japonisht numërohet dy, ose në se një fjalë mbaron me “n ” në fund, japonisht ajo numërohet rrokje me vete.

Gjuhët e ndryshme, në bote kanë fonetika të ndryshme. Gjuha Japoneze, nuk ka numër shumes,shumë fjalë kanë jo një kuptim po disa, kështu që një fjalë të gjatë e zvëndëson me një të shkurtër pa ndryshuar kuptimin. Në vitin 2004 kritiku i madh botëror i Haikut i Shoqerisë Amerikane shkroi: Haiku do jetë gjithmonë në ndryshim, evolucion, por gjithmonë do mbetet një formë poezie e shkurtër. Modernizimi i Haikut perëndimor ndikoi dhe në shkollat japoneze,filluan Haik me politikë,feminizëm, shkencë, liri e plotë,deri dhe në erotikë. Një nga të mëdhenjtë e Haikut, japonezi Yogi Mikajo shkroi:

 

Lulzim i plotë

Në organet gjenitale të pyllit

Frymëmarrje e thellë

 

Edhe nobelisti i vitit 2011 Tomas Transtromer shkroi Haiku modern. Haiku modern boteror mban tre emrat e mëdhenj.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s