Etnografi dhe folkor – Dhjetë nga Miro Tërbaçet e këngës labe / Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

Etnografi dhe folkor

Kostumografia femërore dhe sfida për dinjitetin e folkorit burimor

 

Dhjetë nga Miro Tërbaçet e këngës labe

 

 

albert-abazi

Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

 

Sfida e polifonisë femërore.

 

Sikurse çdo lab, të gjithë tërbaçiotët e pëlqejnë dhe e duan këngën labe dhe sidomos këngën tërbaçiote, ndërkohë, kur Tërbaçi është i vetmi fshat në Labëri, që, siç thonë, ka 36 melodi. Si asnjë fshat tjetër në Labëri. Të gjithë tërbaçiotët këndojnë. Dhe këndojnë bukur. Kanë dhe një valle të rëndë, të fuqishme, të sertë, të bukur e të rreptë, burrërore, të madhërishme, trimërore, si gjëmim vetëtimash, me një strukturë si malet hijerëndë mbi krye. Në përgjithësi – si kudo në Lumin e Vlorës, Kurvelesh e Labëri. Në imtësi-ndryshe nga të tjerët. Në vijën melodike dhe interpretim magjik. Tërbaçi ka bërë shumë për bijtë e bijat e tij. Kur kemi patur nevojë e na është dashur, e kemi përdorur me ballin lart emrin e tij për ta nderuar me emrin dhe veprimin tonë në jetë. Kujtesa jonë historike i ka në kurorën e nderit të parët tanë të lartë: Lulo Habazin, “malin në mes të detit/ që i ktheu gjoksin dovletit” osman, Miro Tërbaçen me histori e këngë, “tërbaçiotja vajzë,/ që ormisi pashanë,/ se tërbeçtë haraçe/ hasmit nuk i dhanë”. U përulet me nderim të gjithë atyre bijve dhe bijave, që në rrjedhat e kohës ia mbajtën ballin të pastër, të pa ulur e më nder. Në kohë me diell e me furtunë. Në luftë për liri, emancipim e përparim. Edhe në kulturë. Edhe në folkor. Pikërisht ky motiv i lartë atdhetar dhe artistik, mblodhi bashkë (kësaj radhe) dhjetë gra, nëna e gjyshe, dhjetë vajza tërbaçiote të përkushtuara, të zonja me zë thëllëze e dinjitoze. Paska ngelur ende një atavizëm apo është ngulur ndër një pjesë tonën dhe një ves: Ne duam të jemi të gjithë në qoshe (pavarësisht e meritojmë e jo pak herë edhe pa e merituar).

 

prezantimi-i-pare-teatri-petro-marko-vlore

 

Duke pirë kafe me Pesën, Shpresa Kapo Çelaj, kushërirën dhe shoqen time, nga klasa e parë në të tetën, na shpreh merakun dhe shqetësimin, se kush kemi qenë dhe kush jemi?! Pse ramë në këtë gjendje, që, të paktën, të shkakton keqardhje? Kur Pesa merr vesh që vjen në Vlorë nga Greqia për pushime Nazua, më thotë të takohemi dhe të flasim të tre ç’duhet të bëjmë. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) ka qenë marrësja kryesore e grupit të Tërbaçit. Shoqe klase me ne, angazhuar me këngën polifonike tërbaçiote, qysh në klasë të tretë dhe s’iu nda deri sa iku në mërgim. Vigane e famshme e këngës labe. Amazonë e pashoqe, e paarritshme, e papërsëritshme në zë. E madhe. Shoqe tjetër s’kish. Por…u largua. Erdhi për fat, sa për të ndezur zjarrin (hë për hë) dhe ta mbajnë ndezur bijat që janë në Atdhe, sipas mundësisë, në Tërbaç e në Vlorë. Nazua shfaqet në horizontin folkorik si kryeshqiponjë e malit të Çikës për këngën burimore tërbaçiote, në përsosmëri realizimi, e ngjizur me këngën si një harmonikë qiellore. Takohemi të tre dhe diskutuam edhe për hallet e dertet e këngës së Tërbaçit. Në këtë bisedë folëm për ringritjen apo formatimin e një grupi polifonik femëror. Se kush nuk ka ngritur grupe sot …e u shua Tërbaçi ynë, ai çikë Tërbaç, që kujt s’i ka dhënë emër. Dhe sot…u katandis kështu…, si trasta në degë. Tallen. E shpërdorojnë dhe, së pari ata, që ai u dha atë emër të lartë. Ja kështu mori udhë ideja e këtij grupi të veçantë. (Nuk do ta trajtojmë më tepër këtë çështje, sepse kohë më parë kemi publikuar shkrimin “Polifonia femërore-Grupi i Vajzve të Tërbaçit”). Në këtë grup, të quajtur Grupi i Vajzave të Tërbaçit, bëjnë pjesë 10 këngëtare tërbaçiote, që, mbas shumë provash, konsoliduan profilin e këngës grarishte të vendlindjes, duke ruajtur origjinalitetin e folkorit përkatës lokal. Ato janë, përkatësisht: Shpresa Kapo Çelaj (ditëlindja 1960, me shkollë të lartë), Liliana Rrapi Kapo (dtl. 1961, sh.l.), Hava Çelaj Muça (dtl. 1960, sh.l), Baftie Dauti Xhelili (dtl. 1963, sh.l.), Evgjeni Habili Seferi (dtl. 1964, me shkollë të mesme), Lavdie Goxho Xhaka (dtl. 1958, sh.m.), Vitore Shiroka Veraj (dtl. 1961, sh.m.), Antoneta Goxho Mehmetaj (dtl.1970, sh.m.), Liri Gaçe Shkurtaj (dtl. 1960, sh.m) dhe Madelona Mëzyraj Skëndaj (dtl. 1983, sh.m.). Polifona femërore është një prurje që sot i mungon Labërisë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë ruajtja e traditës foklorike e këto gra e vajza tërbaçiote, që janë për t’u përgëzuar, na paraqesin një pamje tjetër këngës tërbaçiote, botën lirike. Kënga e Tërbaçit është njohur sidomos për ngjyrat e fuqishme epike, për stilin recitativ e madhështor, për gjëmimin me breshëri artistike deri në përsosmërinë e epikës historike, sidomos me marrësat e paarritshëm Sinan I. Hoxha dhe Syrja N. Hodo.

 

grupi-i-vajzave-te-terbacit-prezantimi-i-pare-me-publikun-vlonjat-nga-skena-e-teatrit-petro-marko-vlore-26-11-2016

 

Ndërsa këto vajza, veshur me kostumet, që dikur vishnin nëpër dasma, gëzime e ceremoni festive gjyshet, nënat, hallat tona na shfaqen me lirikat e trëndelinta, sidomos në këngët dy vargjëshe, ku dallon tingulli lirik, aq i ëmbël e i shtrirë i labëreshës tërbaçiote. Tek grupi i vajzave të Tërbaçit evidentohet dukshëm dhe merr kështu një shkëlqim brilant karakteri sinkretik i foklorit për ta transmentuar brez pas brezi edhe me veshjen karakteristike të fshatit. Këngën e vlerësojnë si ushqim të shpirtit dhe, si të tillë, e ruajnë të pastër duke e çuar më tej. Këto dhjetë Miro Tërbaçe janë hedhur në krahë të Eposit folkorit, sikur të ishin shqiponjat e malit të Çikës.

 

Kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote.

Dikur, (botimet enciklopedikedhe ato historike lokale përmendin shekullin XVII), sipas traditës së vendit, gratë e Tërbaçit “kanë mbajtur fustan të gjatë të bardhë ose kafe, deri te qafat e këmbëve. Për nuset fustan i kuq, vajzat zakonisht të bardhë. Mbanin pallto leshi pa ose me mënga, që i thoshin xhoke, futë leshi, shami të ngjyera në bojë të kuqe, të verdhë për të rejat dhe me ngjyrë kafe ose të zezë për të moshuarat. Çorape leshi të gjata deri afër gjurit, të qëndisura me ngjyra të ndryshme, opinga prej lëkure ose këpucë me xhufka në majë, jelekët i qëndisnin me gajtane me ar, dhe i mbërthenin me folla prej argjendi ose bronxhi. Në vesh mbanin vathë të mëdhenj prej argjendi, ndërsa vajzat mbanin nga një fill dhe një rruazë…

Nga fundi i shekullit XVIII, veshja për gratë ndryshoi, dhe në vend të fustaneve të gjatë u përdorën çitjane ose tumane [ndikim i kulturës fetare islame, importuar e diktuar nga pushtesit osmanë. Shën. im, A.H]. Nga fillimi i shekullit XX filloi të përdorej veshja më e moderuar, sidomos nga burrat”[1]. Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhokë e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka).

Këto gra të përkushtuara, me sedër të shëndoshë për shpirtin e vëndlindjes, vendosën me forcat e tyre të përgatiteshin seriozisht për këtë mision. Pasi u konsolidua grupi dhe mori formën e plotë, të pakthyeshme e të patjetërsueshme, menduan, diskutuan, pyetën dhe projektuan udhëtimin e tyre polifonik. Duke filluar nga kostumet, me vështirësi ekonomike, kursyen nga të ardhurat familjare, me sakrifica arritën të realizonin modelin e tyre të veçantë kostumografik. Kostumi i sotëm folkorik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit përbëhet nga: 1. Fundi, i shkëputur nga polka, punuar me material atllas me pala, (pëlhurë e mëndafshtë, e lëmuar dhe me shkëlqim nga njëra anë) me ngjyrë të kuqe, i gjatë deri në fund të këmbëve; 2. Polka, me ngjyrë mente, pak a shumë si modeli i vjetër, me jakë si jakë marinari; (emri i kësaj veshjeje nuk ka të bëjë me vallen me ritëm të gjallë e të shpejtë, që kërcehet me masën prej dy kohësh dhe muzikën për këtë valle); 3. Jeleku, me material shajak i zi (që zëvendësoi xhoken), me qëndisje e stolisur me ornamente dekorative zbukuruese, mbërthyer me kapse; 4. Shamia, me material mëndafsh i hollë, një mente e lehtë, e dashur, jo e rëndë, e ëmbël.

Është respektuar tradita, duke futur ngjyrën e kuqe, kombinuar me ngjyrën e zezë, nga që janë ngjyrat simolike të kombit shqiptar, (si pjesëz e së tërës edhe të Tërbaçit). Në këtë rrafsh, është ruajtur paradigma folkorike novatore e Kujtim Micit, (sinonimit të folkorit, kulturës dhe arsimit në Tërbaç). Njëra nga këngët më të njohura të Krijuesit tonë ka dhe këto vargje sintezë të lirikës elegjiake, me të cilat nëna tërbaçiote i këndon me vaj e ligjërime djalit të rënë për liri: “Unë shaminë e zezë/ e preva shqiponjë./Ja qepa flamurit/ shokëve t’ua dërgojë…”. Kujtim Mici, për mendimin tonë, është konsekuent në vijën kombëtare të vargut vigan. Realizimi material i kostumeve ka si bazë nisje dhe plotësimi metaforën “Shqipëri, nuse bregdeti”, që është lajtmotivi poetik i këngëve të Krijuesit të fuqishëm artistikisht dhe vizionar. Fustani i kuq dhe i gjatë i nuses këngëtare, sot është rezonim i harmonishëm i traditës së njohur, së paku, qysh nga shek. XVII me risitë bashkëkohore, aq të hijshme, tërë dritë e shkëlqim dhe pa teprime.

Pasi kërkuam modelet ndër këngëtaret e vjetra të fshatit tonë e gërmuam në kujtesën tonë folkorike, përzgjodhëm variantin e duhur për të nisur udhëtimin e gjatë folkorik. Pas shumë këshillimesh, kostumet u punuan tek “Moda fashion” e zj. Linda Fejzaj në Vlorë. Sipas stilistes vlonjate Linda Fejzaj, me përvojë 20 vjeçare, (e cila ndihet krenare për origjinën e të parëve të saj nga Vranishti i njohur për histori e kulturë), kostumi femëror etno-folk i fshatit Tërbac, vjen i moderuar në shekullin e XXI, duke u mbështetur mbi origjinalin si dhe për të ruajtur origjinalitetin e tij. Kostumi femëror etnofolk i Tërbaçit është i përbërë nga:

1) Fundi akllas, mëndafshi i kuq, i gjatë deri tek kyçi i këmbës, organizuar me kufopjeta në bel, me qemerin 4 cm, dhe zinxhirin e fshehtë pas, ku përveç tij, janë edhe mbërthimi me folla ngjyrë argjendi;

2) Këmisha krem, ngjyrë mente, me hapje (tape) deri poshtë gjoksit, jakë ushtarake, mëngë të gjata me kapak, mbërthimin me kopsa në ngjyrën e copës, (pesë kopsa: tre në tape, dhe nga një tek mëngët). E veçanta vazhdon të ekzistojë edhe tek ky element, në pjesën e përparme në anë të tapës – shoqërohet nga dy tegela milimetrikë, të cilën e shohim edhe në pjesën e pasme;

3) Jeleku, përbërë nga stof 100% lesh, i zi, me gjatësi deri tek beli, qëndisur me fije ari përgjatë gjithë gjatësisë, shoqëruar përreth harkut të qafës, harkut të kavadures (krahut), si dhe në gjerësinë, ku konturohet fundi i jelekut, duke u mbyllur nga dy folla ngjyrë argjendi në bel, ku puthiten me qemerin e fundit;

4) Shamia e kokës, e zgjedhur ngjyrë mente, e njëjtë me këmishën, e një përbërje “chiffon”, (byrynxhyku, pëlhurë e bërë me fill të hollë mëndafshi), në formë trekëndëshe, shoqëruar me një kordon syzatori, ku identifikohen perlat e së njëjtës ngjyrë që qarkojnë gjithë gjatësitë – kaluar mbi flokë, shoqëruar nga pas veshëve, ndërsa dy cepat vijnë përpara;

5) Vathët prej floriri kokërr, që identintifikohen;

6) Këpucët lëkure me xhufka të kuqe, me mente në majë.

 

Po kush është zj. Linda Fejzaj?

 

Me që ky kostum etno-folk u soll në kohë në ”Linda Fashion design” nga e palodhura, e përkushtuara sfidante kombëtarisht në fushën e kostumografisë, zonja Linda Fejzaj, i takon nga ne mirënjohje qyetare ndaj punës korrekte në harmonizimin e bukur të traditës me kohën që jetëojmë. Me këtë synim paraqesim një abstrakt prezantimi respektor: Linda Fejzaj ka mbaruar studimet në Fashion Design…Më pas, ka studiuar për 8 vite kulturën etnografike, duke menduar  për më tej, për të mos lënë në harresë kulturën etnografike, por për ta sjellë atë të moderuar,  duke u  kujdesur me përgatitjen e veshjeve Etno-folk të trevave të ndryshme. Ka një përgatitje të admirueshme në fushën e modës, si pjesë e sfilatave të shumta, dhe për më tepër stilistja e sfilatës më të madhe në Shqipëri ”100 modele në 100 vite Pavarësi” – një sipërmarrje dhe sfidë, ku në skenë u ngjitën 100 modele të mbështetura mbi tabanin popullor, të gërshetuara me stilin modern, shumë herë edhe estravagant. Përgatitja e disa grupeve popullore të zonave të ndryshme dhe qyteteve të ndryshme, për më tepër, edhe personave apo grupeve në diasporë, i japin sigurinë për synimin që ka marrë përsipër të realizojë, për ruajtjen e pastër dhe çuarjen më tej të traditës, kësaj pasurie të mirë e përparimtare materiale popullore, angazhim ky i përgjithmonshëm i saj. Linda ka logon e saj, brenda dhe jashtë Shqipërie, me të drejtë të plotë ndërkombëtare. Ajo është marrë dhe specializuar për etnografi, pasi, siç shprehet me pasion, ka studiuar goxha gjatë në këtë fushë. Linda është gjithashtu poete dhe ndihet shpirti krijues i saj në punë, shfaqet edhe në modelin tonë të veshjes etnofolk, që u soll më e moderuar, sepse egzistonte hapësira për të respektuar detajet, duke e përmirësuar atë. Tek realizuesja krijuese besuam emrin që gëzon në qytet dhe fjalët e garancisë, se nuk huazon kurrë për realizimin e veshjes karakteristike, thjesht mbështetet mbi këto veshje, por t’i prurë më të moderuara; për të qënë më në kohë, siç janë limitet e gjatësisë apo aksesorët mbi jelek dhe këmishë.

 

Prezantimi i Vajzave të këngës.

 

Pas organizimit në fillimgushtin 2016, mbas orarit të punës çdo mbasdite apo paraditeve të shtuna e të diela, grumbulloheshin e bënin prova në mjediset e Shkollës së Mesme Industriale “Pavarësia” në Skelë, falë dashamirësisë së drejtorit të palodhur e të respektuar Gent Boçi (se s’kishte hapësira të tjera për to Vlora…) vajzat bënin prova me kërkesë të lartë llogarie, me disiplinë artistike, e cila, në këto raste, vlerësohet më e rreptë se disiplina ushtarake. Prova e parë e Grupit të Vajzave të Tërbaçit, veshur me kostumin folkorik tradicional të polifonisë femërore të fshatit u bë më 22. 11. 2016. Kjo ngjarje entusiazmuese në këto kohë të paqarta gëzoi banorët dhe dashamirësit e shumtë të këngës karakteristike të Tërbaçit, duke uruar njëri-tjetrit që ta gëzojmë këtë thesar të fshatit tonë me ballin te Çika. Grupi i Vajzave të Tërbaçit prezantohet për herë të parë përpara publikut vlonjat dhe dashamirësve të polifonisë sonë, me rastin e festive të Nëntorit, më 26 nëntor në Teatrin “Petro Marko”, Vlorë, kur nderohet bashkorigjinasi ynë i ditur e i thjeshtë, i devotshëm si gjithë Tërbaçiotët, Mevlan Balili, sepse Labëria i nderon bijtë e saj, kur ata ia shpërblejnë me vepra të mira e të dobishme. Dekoratën e lartë “Mirënjohja e Labërisë” ia dorëzoi ai që qe dhe propozuesi kryesor i vlerësimit, prof. dr. Bujar Leskaj. Substancialisht, në përshëndetjen time u shpreha: “Labëria, me mal, me lumë, me det është një fortesë me dritë dhe dinjitet. Sot është Dita e Falënderimeve. Dita e të katër të vlerësuarëve:-Mirënjohje kolektive për fshatin Vajzë të Ali Asllanit e Perlat Rexhepit, respekt individual për të paharruarin arkitekt Pulo Nezho Dukati (pas vdekjes), si dhe për të respektuarit biznesmen Vullnet Sina Armeni dhe ing. Mevlan Muço Delo Balil Tërbaçi. Tërbaçi është një beden i labërisë. Mirënjohja më e madhe, kryemirënjohja për ne është për Shoqatën Kombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”. Mirënjohje Labërisë, se Labëria është nderi ynë! Vajzat u paraqitën me dy njësi folkorike: me këngën “Himni i Tërbaçit”, me marrëse Liliana Rrapi Kapo, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Vera dhe ia mbushin shtatë të tjerat, si dhe me “Elegji për Dragoin e këngës”, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Shpresa Kapo Çelaj dhe mban këngën me iso grupi. Kënga e dytë u paraqit edhe si nderim për Krijuesin Kujtim Mici, edhe si mesazh mosdorëzimi e besimi, që grupi do të vijojë me dinjitet udhën që ai u projektoi. Të gjithë shprehën fjalët më të mira për interpretimin dinjitoz të vajzave tërbaçiote dhe emocionet e fuqishme pozitive që i falën publikut. Kënga e tyre është e ndier dhe e vërtetë. Vajzat përgatiten me një repertor të pasur folkorik, kryesisht lirik burimor. Ato kanë plane të bukura. Kanë dhe tre valle grash, me dy variante: me tri hapa ose tri këmbë, si i thonë ato dhe me një këmbë. Natyrshëm e çiltërsisht na burojnë vargjet: Vallja kurorë dafine/ për dhjetë shqiponja mali/, dhjetë tufa trëndelile/, lum Tërbaç, kush ia fali! Dëshira jonë dhe fjalët e zemrës janë: Suksese në udhëtimin e gjatë folkoristik, në gjurmët e pashlyeshme të viganit të paharruar, Dragoit të këngës labe, Kujtim Mici! Siç uron nga Amerika e largët, i dashuri i këngës sonë Pelivan Barjamaj, dëshirojmë dhe ne, të këtushmit: Zëri i Miro Tërbaçeve të këngës qoftë trashëgimi dhe dhuratë për brezat!

 

 

[1] ) “Tërbaçi në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 1998, f. 23.

 

 

Shtëpia Botuese “Erein” publikon librin me letërkëmbime ndërmjet shkrimtarit Bashkim Shehu dhe shkrimtarit bask Bernardo Atxaga. / Nga : Irena Toçi

Shtëpia Botuese “Erein”  publikon librin me letërkëmbime ndërmjet shkrimtarit Bashkim Shehu dhe shkrimtarit bask Bernardo Atxaga.   Sapo është botuar në Spanjë nga Shtëpia Botuese “Erein” libri me letërkëmbime ndërmjet shkrimtarit Bashkim Shehu dhe shkrimtarit bask Bernardo Atxaga, një nga … Continue reading