Cikël me poezi nga Gjon NEÇAJ

12219520_1098580783493489_3413213789951488042_n

Cikël me poezi nga Gjon NEÇAJ
Gjon Neçaj u lind më 17.06.1951 në fshatin Peraj të krahinës së Nikaj-Mërturit, Tropojë. Ka mbaruar studimet për financë në Tiranë. Me krijimtari letrare është marrë që herët, duke botuar në shtypin letrar të kohës poezi, prozë e publicistike. Ka fituar disa çmime letrare. Bashkëpunon me disa të përditshme në Tiranë, duke botuar herë pas here shkrime kulturore. Bashkëpunon edhe me shtypin kosovar. Është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe krijimtaria e tij poetike është e përfshirë në disa antologji. Gjithashtu është fitues i shumë çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit, si dhe redaktor dhe recensues i shumë veprave në poezi, prozë e publicistikë.

Opusi letrar i poetit Gjon Neçaj:
1. Në hijen e mrizave – poezi, Tiranë, 1994
2. Në folezë të këngës – poezi për fëmijë,Tiranë, 2003
3. Hijet e shpirtit – novelë, Tiranë, 2005
4. Ju që më shihni çdo ditë – poezi, Tiranë, 2006
5. Pezull-haiku, shqip-anglisht, Elbasan, 2007
6. Tropoja – vendlindja ime – tekst mësimor, Tirane, 2008
7. Hëna pikon mbi Alpet e mia – poezi,Tiranë, 2008
8. Haiku i bjeshkëve,shqip-anglisht,Elbasan,2009
9. Sinus,poezi,shqip, anglisht, italisht,greqisht,Tiranë,2011.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve, dega Tropojë dhe i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i Haik-Klubit Shqiptar, anëtar dhe sekretar për degën në Tropojë te “Pegasit” si dhe anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohore të Globit (W.P.S.).
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Gjon Neçaj, jeton dhe punon në Bajram Curri, Tropojë.

 

PEIZAZH DIMËROR

Fluturzat e borës qëndisin tokën,
bujarisht me të bardhat kristale;
Një gushëkuq hapërdahet në përroin e mullirit,
E zogu i borës cicërin majë një dardhe…
Bora bie,
qilimi i bardhë shtrihet,
për ta mbrojtur nga të ftohtit grurin,
në netët e gjata të dimrit.

Bora bie…

 

MEDITIM

Bora shkrinte orteqet,
e marsi linte lamtumirën;
ndërsa rudinës, buzë përroit,
kishin çelur lulebore.

Me sy zgjodha njërën prej tyre,
Për ta këputur me gishtat e erës…
Përkundruell gruri jeshilonte,
Unë ecja drejt parcelës me lulen në dorë…
Era e mendimeve lulen e mori,
E uli ndanë parcelës me grurë.

Vërtet të bukurën e krijon dashuria e sinqertë,
Leitmotiv i hershëm,
E gishtat i shkova mbi ballin e sertë…

 

VAJZAT E FSHATIT TIM

Në sytë e shkruar u rrezon rrezja e dielli,
Ne flokët e lëshuar tufalakët e ahave në Kaki.
Kur qeshin,
qukat në faqe kuqëlojnë si petalet e shebojës;
Buzët e tyre kokrra bojliash në majë të qershive.

Shpesh djemtë hutohen dhe nuk i hanë bojliat,
Ndonëse gjithë ditën mrizojnë bjeshkëve të vendlindjes.

 

TE GURRA E KROIT
(motiv popullor )

Në burimin e akullt bora e janarit,
Lëshonte flokëzat mbi gërshetin e zi.
Delet çobanit të bardha si bora,
I shkonin prapa ujë për të pi.

Çika bucelën mbushte nën gurrë,
Delet pinin në lugjet ujëborë;
Çobanit në fytyrë iu zbardhte një nur,
Kur shihte te burimi një lulemollë.

Dhe lëng i shkonte çobanit nga goja,
Natyra i bëhej gusht a shtator;
Kish droje të kafshonte dy kokrra molla,
Ose të paktën t’i prekte me dorë.

 

NIKAJ MËRTURI

Në lartësitë e bjeshkëve të tua,
kam mat dashurinë për ty…
Tek unë nuk ke fund, as skaj,
zemra ime këngë,
shpirti im mall.

 

QERPIK I PËRLOTUR

( në kujtim të prindërve të mi )
Dielli lëshoi rrezet
mbi kullën time
Në Mserr.

Visari akoma flinte…

Syri i diellit rrezatonte
mes përmes një reje.

Unë sapo isha zgjuar,
e në vegimet e fëmijërisë,
prindërit e mi kërkoja
rreth e rrotull.

Qerpiku im,
i njomë, i përlotur…

 

ZHGËNJIM

Edhe pse lindëm (siç mendon njerëzia),
për të qenë të përjetshëm,
vdekja na sillet si fantazmë çdo ditë
pranë vetes.

Kjo poezi (pa poezi !) për mua
e të gjithë,
Qoftë gënjeshtër !…

 

S’JE MË…

Puthje e ëmbël që vjen natës gënjeshtare,
Puthje e ëmbël prej ëndrrës e gatuar,
Puthje që të shijoj deri në mëngjes,
Pastaj më tretesh e më len të vetmuar.

 

KAM LEJE…

Kam leje për të shkruar poezi,
Kam leje për t’u mahit me djalin tim,
Kam leje për të dashuruar.

Jeta është për t’u jetuar.

 

Ç’BURRËRIM I VONË

Termopile në jetën me standarde absurde,
Miklojmë vitet e sotme moderne;
Ne, bijtë e Jezusit të murosur në kryq
Tash dymijë vjet.

Edhe sa mijëvjeçarë
Na duhen për t’u çburrëruar.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s