Disa përshtypje për Romën dhe promovimin e 193 kafazëve atje. / Nga: Rezart Palluqi

Disa përshtypje për Romën dhe promovimin e 193 kafazëve atje.

 

rezart-palluqi

Nga: Rezart Palluqi

 

Duket sikur Romën Zoti e vizatoi, ashtu si Stambollin më vonë, mbi 7 shtatë kodra. Kjo ishte përshtypja e parë që krijova gjatë vizitës time të parë në Romë, por edhe në Itali. Roma e vjetër rrezaton një magji sa verbuese aq edhe barbare. Luksi i rrëmbyer i Perandorëve romakë është derdhur kudo, veçse koha dhe luftrat i kanë copëtuar ato, si Pompeun e shumë tempuj të tjerë. Prej majave të kodrave tempujt e tyre demonstrojnë frikën e tyre për të mos vdekur; duket sikur ta bëjnë me dorë për të thithur përjetësisht vëmendjen njerëzore. Koloseu qëndron në këmbë si një kraharor i ndarë më dysh. Në të njëjtat rrugë ku dikur kalëronin perandorët, sot gëlojnë si gurë të çoroditur dhe magjepsur mijëra turistë me kamerat e tyre që nuk ngopen së fotografuari. Sferën luftarake duket sikur përpiqen ta ngjallin sadopak ushtarët me automatikët e ngritur gjysëm lart drejt turmës. Përse patrullojnë ata këtu? Për të ruajtur hijet metafizike të Perandorëve romakë apo turmën që dikur quhej një det me skllevër?- këto pyetje të verbëra poetike më gëlonin në kokë sa herë që ua krihja fytyrat e tyre të shqetësuara dhe serioze. Sidoqoftë madhështia e Perandorisë Romake është shpalosur dhe ngjeshur në një sipërfaqe të vogël, krejt ndryshe nga pallatet mbretërorë në Paris. Pasuria arkitekturore është e pallogaritshme. Sa e sa arkitektë dhe skulptorë kanë lënë mbrapa gjurmët e tyre. Njëri kish kënaqur shijet e Kishës, tjetri ato të Perandorëve, të cilët sipas radhës, ishin përpjekur ta minimizonin vdekjen e tyre nëpërmjet lloj-lloj pallateve, kullave gjigante. Vdekja me siguri, edhe sot qesh, teksa sheh tempujt e tyre të stërmëdhenj. Me siguri që atëherë ajo ndjehet superiore teksa përfytyron ankthin e padukshëm të “pavdekshmërisë” së burrave të pushtetshëm. Në disa lagje ndeshje  pallate që përkonin mjaft me arkitekturën e ndërtesave mbretërore të mbretit Zog.

Sidoqoftë nëse Perandorët romakë dje e sillnin lajmin e triumfit në Romë, sot ishin miliona turistët ata që e bënin këtë me kureshtinë dhe shumat e majme që shpenzonin gjatë qëndrimit të tyre në Romë.

Ndërsa Roma fare pak larg qendrës ishte blozë. Infrastuktura, më keq se ajo shqiptare, rrugë të shkatërruara, pallate të shëmtuar.

Në bare, Roma të mahnit por edhe të befason. Espreson duhet ta pishë si qen, shpejt, përndryshe barmani vigjilent dhe duarshkathët ta përlan filxhanin. Megjithatë espreso italiane, është një poezi në vetvete: plot esencë, kajmak dhe shije të fortë, dhe jo si kafeja  filter, që unë jam mësuar të pi në Holandë, ku edhe 3 filxhanë të mëdhenj nuk më ngopin. Kafeja espresso italiane është e paktë në sasi, dhe e fortë në shije, pak a shumë si italianët: të vegjël me trup por në mëndje të mprehtë dhe energjikë.

“Sikur të mësonim edhe ne shqiptarët ta pinim kafenë në këmbë, si italianët?! Dhe jo të kapardisemi orë të tëra me një kafe”- mërmërisja në çaste të tilla.

 

fronte-6

193 gabbie

 

Italianët m’u dukën vërtetë një popull i butë, paqësor dhe mjaft elegant. Këtë e reflekton edhe muzika e tyre. E butë, e lehtë, sensasionale. Teksa e dëgjoja thosha: ja pse ushtarët italianë nuk janë dalluar në betejën e luftës. Kjo muzikë prodhon qejflinj dhe jo dashnorë të betejave të përgjakshme. E mbas pak thumboja vehten. Po oficerët italianë që janë dalluar në luftë, pse nuk janë ndikuar nga butësia dhe romantizmi i muzikës italiane?

O Zot,sa shije që ka ky popull për t’u veshur. Çfarë elegance, në të ecur, veshur dhe kuzhinë aristokrate. Arkitektët romakë nuk vdiqën. Jo! Ata thjeshtë u bënë rrobaqepës.

Sa e sa herë thashë: sa afër që të kemi oj Itali, e megjithatë prej teje kopjuam vetëm gjërat e tua të këqija, kurse ANËT E TUA TË MIRA, I REFUZUAM 3000 VJET!!

Italianët janë soladirizuar me kaosin publik. Më qëlloi jo pak herë të udhëtoj në një autobus dinga me pasagjerë, kryesisht italianë. Edhe pse qëndronin pothuajse me trupet e puthitur, askush prej tyre nuk ankohej. Përkundrazi, bisedat e tyre ngjanin me pjesë muzikore të një kënge. Turma italiane nuk e humb kollaj sensin e humorit dhe humanizmit. Ndërsa holandezët në një autobus plot e përplot do të ankoheshin, shtrembëronin fytyrat dhe akuzonin menaxherët e firmës së autobuzëve publikë. Shkurt, italianët, ky popull trupshkurtër, e reflekton disiplinën e tij krejt ndryshe.

Nuk më shpëtoi edhe muzikaliteti i gjuhës italiane. U mahnita, teksa e dëgjoja në aeroport një baba italian të lëvdojë fëminë e tij, i cili vraponte duke e ruajtur për mrekulli baraspeshën trupore. Italianët edhe kur flasin, duket sikur këndojnë. “Bravo-bravissimo”- oh sa ëmbël që vinte zëri i babait krenar për fëminë e tij të shkathët!

Italianët dinë si rrallë popujt të tjerë të shprehin ndjenjat, kënaqësinë e tyre, pa u bërë qesharakë. Qielli i ka bekuar ata me një fyt të atillë që çdo grimcë zëri tingëllon ëmbël, shumë ëmbël.

Mbas ditës së parë po afronte momenti i madh. Dhe ja tek erdhi çasti i shumëpritur. Ora po afronte tre e mesdrekës, kur edhe do të promovoheshin tre autorë shqiptarë. Romani im,  193 kafazet, romani i Agron Gashit, “Talianka” dhe libri me tregime, i Adil ollurit, “Panairi i ëndrrave”  që të tre të përkthyer prej perkthyeses , Iris Hajdari. Prezantimi i librave u bë në sallën e kongreseve, një ndërtesë si dhe shumë të tjera përreth, e ndërtuar prej Duçes. Ishte një koençidencë ironike kjo. Sepse 193 kafazet është ndër të tjerash një roman ndaj diktaturës komuniste, por që mund të shërbejë edhe si një shuplakë ndaj fashizmit dhe çdo lloj sistemi tjetër totalitar.

Me të hyrë në ambjentet e panairit, vërejta frymën e barazisë. Të gjitha stendat e botuesve, gjithsej 480 , ish njëlloj. Edhe sipërfaqja e tyre ishte e barabartë. Krejt ndryshe nga Panairi i Tiranës ku botuesit, qofshin këta të vegjël apo mesatarë, zënë vendet kryesore, që zakonisht e kanë dyllë me qeverinë.  “Ky është një panair i intimitetit”- kështu e quajti atë me të drejtë, Pellumb Zekthi, botuesi romanit tim të katërt, “Shtëpia me dy çati”. 480 stendat e botuesve ishin vendosur në vijë të drejtë dhe kategorizuar me shkronjat e alfabetit. Një det me  libra, kanalizuar me koridore të ngushtë dhe të drejtë. Magji e vërtetë.

Për fat të mirë, promovimi shkoi mirë. Shqiptarë të panjohur në sallë nuk pati. Siç duket i mbyti smira qyqërit, por ndoshta edhe punët e përditshme. Disa të tjerë i janë bindur Tiranës MONOGAME letrare, që zakonisht promovon VETËM shkrimtarët e saj oborrtarë. Sidoqoftë libri u promovua ashtu siç e meritoi. Kritiku letrar Massimo Castiglione foli gjerë e gjatë për romanin, pa iu dashur t’i mbajë sytë të ngulur në letër, siç ndodh shpesh me kritikët letrarë shqiptarë. Nga salla nuk munguan pyetje interesante.

Botuesi Matteo, një djalë punëtor dhe shumë modest, kish bërë të pamundurën që librat tanë të promovoheshin gjatë panairit të madh në Romë. Gjatë promovimit, poeti mjaft i njohur në Itali, Gëzim Hajdari shprehu vlerësimin e tij për 193 kafazet.

Mbas promovimit dhashë një intervistë për gazetën Il Manifesto.

Në vazhdim pasuan dy promovime të tjera shqiptare. Ai i romanit të Agron Gashit, “Talianka” dhe i tregimeve të Adil Ollurit, “Panairi i ëndrrave” . Letërsia kosovare, e  zhytur në një izolim shekullor, e pati nevojë këtë frymëmarrje evropiane. E gjitha kjo, falë ndërmjetësimit të poetit Gëzim Hajdari, por edhe punës dhe mundimit të përkthyeses së tre libravë, zonjes Iris Hajdari.  Që të dy autorët, edhe pse trajtojnë në librat e tyre luftërat e shekullit njëzet, duke përfshirë edhe luftën serbe në Kosovë, gjatë promovimit demonstruan një pjekuri dhe përmbajtje intelektuale, çka i ra në në sy edhe  audiencës italiane, që nuk ngurroi ta vlerësojë atë me entuziazëm.

– Vërtetë përgëzimet e mia. Sepse ju ndryshe nga autorët serbë, nuk ratë në kurthin nacionalist ballkanik, por përkrahët paqen ndërfqinjësore- kështu reagoi nga salla një burrë i moshës së mesme, italian.

Jozef Radi, një ndër shqiptarët e parë që e zbuloi dhe vlerësoi në maksimum 193 kafazët, madje edhe ndërmjetësoi tok me Gëzim Hajdarin, që ai të botohej në Romë, udhëtoi 200 kilometra me tren, për të qenë i pranishëm në promovim. Ai na tregoi, për aq sa kohë pati, edhe nje pjesë të Romës.

Më vonë, mikja jonë, studiuesja e mirënjohur dhe modeste, Blerina Suta na shoqëroi kudo, duke na treguar Romën artistike, atë faqe të Romës që turistëve shpesh u shpëton. Në mbrëmje dhe të nesërmen, Blerina na mirëpriti në shtëpinë e saj, ku përveç gjellëve të shijshme që hëngrëm, bëmë edhe biseda intelektuale së bashku me bashkëshortin e  saj të mrekullueshëm dhe tejet racional, Paolo.

Teksa i ktheva kurrizin Romes, bëra një uratë. Që shembullin e Gëzim Hajdarit ta ndjekin edhe shkrimtarët e tjerë të mirënjohur, për t’i hapur rrugën përkthimeve dhe botimeve të veprave të tjera, të lëna në harresë, ose ato që do të shkruhen në të ardhmen. Dhe kjo të bëhet pa e denigruar shkrimtarin e ri, por dhënë kurajë dhe mjete promovuese. Letërsia e vërtetë është një oqean ku ka hapësirë dhe ujë për të gjithë.

Në mbyllje, për mua gjëja më e bukur e udhëtimit në Romë, nuk ishte vetëm përkthimi dhe botimi i 193 kafazeve. Jo! Pjesa më magjike e gjithë këtyre përvojave ishte smbrapsja e smirës së frikshme letrare shqiptare. Falë bashkëpunimit tonë të ndërmjetshëm, ndërshkrimtarësh, u realizua ky projekt ashtu siç duhej. Nuk u bëmë leva partiake, as bori propagandistike. Jam i sigurtë se projekte të tillë do të realizohen edhe në të ardhmen e afërt. Dhe kjo më ngroh shumë. Sepse kështu do të krijohet një bërthamë shkrimtarësh të pavarur, aspak të politizuar dhe infektuar prej atij suksesit personal, që në fakt kësaj bote i bën më shumë dëm se sa mirë. Dhe të gjitha këto, ndodhën në kryeqytetin e madh evropian, Romën, sa grandioze aq edhe modeste!

Grazzie Roma!

 

Rezart Palluqi

Amsterdam,  dhjetor 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s