Poezi nga Alketa Stefania Caca

alketa

Poezi nga Alketa Stefania Caca

 

KUR TË MË GJESH

Oh, për perëndi,

mjegull ky fati im.

Dhe unë nuk e di fare

në se je nisur?!

Po kur të më gjesh të ulur,

tek pragu i shtëpisë,

do gatuajmë rrëfimet,

do lexojmë letrat

që nuk gjetën adresën tënde.

Kur të më gjesh në kopshtin tonë,

mes violave që doje aq shumë,

largomë nga mbrëmjet e zbehta,

në dimrat pa tinguj kristalesh,

që trembën pranverën time

në zemër të vjeshtës.

Kur të më gjesh,

shkund hënën e fëmijërisë sime,

qaj duke udhëtuar në shpirtin tim,

në ditën kur linda një engjëll

dhe mërmërita emrin tënd,

hija jote më dogji buzët.

Kur të më gjesh,

kujto të dielat

pa zgjimin e kambanave,

me sytë e mi në errësirë.

Dhe sot tmerrohem,

që jam duke numëruar muajt.

Shfleto ditarin të kuptosh,

Maji është më i dëshpëruari…

Kur të më gjesh,

më kthe këngën e vajtimit,

ndonjëherë nuk di nga iki të enjteve,

ngryset dita me pendim.

Sot e ndiej, fryn Morava,

kumbulla në dritaren e dhomës

i ka përkulur degët,

si çdo vit kur afrohet nëntori.

Kur të më gjesh, mamkë,

më puth flokët,

ulu në gjunjë si pendimi

dhe më këndo ëmbël

ninullën e xixëllonjës.

 

DERI NË GJUMIN E PANJOHUR

Ti nuk e di,

nuk ke nga ta dish,

që vera më deh mua

e gruan lirike brenda meje.

Të ngatërroj me fytyrë mbreti,

fle dhe zgjohem në trupin tënd,

me karafila memecë ndër duar .

Fryma më ngelet e gurtë,

dua të shkrij bubullimat nëpër gjak,

pas qiellit të thellë të gjarpëruar,

duke shumëzuar numrat dy herë një

mbi buzët tutlake si kokërrz shege.

Ëndrra ulërin dëshirën për çastin

kur mbërritja nuk ngopet me epshin.

Oh, po të laj me ujin e diellit,

ty melodi e pavdekshme shiu,

që mbetesh në tru

deri në gjumin e panjohur.

Përmendu, i dashur…

 

PETALE ME KORDELE DUARSH

Po vjen pranvera,

marsi, prilli do mbajnë mbi kurriz,

grumbuj lulesh të buta, që vijnë

si mysafirë tanë gjer tek pragu.

Janë larë nga burime muzgu të zjarrta,

bilbili i tyre do prehet

mbi ndonjë rimë vargu.

Petalet e manushaqes

mbi kordele duarsh,

do shushurijnë magjinë.

Shtegu për tek biri i diellit,

ngjan me një çapkëne,

që do të humbasë virgjërinë.

Dridhet qershia në kopsht,

nga era e pyllit lajkatare,

nata do të puth zemrën e shiut,

t’i çukisin bletët në dritare.

Shpërthejnë agimit të ditës

zambakët e heshtur,

si fishekzjarrë dasmash që shuhen,

në petalet e argjendta të trëndafilit,

të tjera biblioteka dëshirash.

do shkruhen…

 

 SA DITËLINDJE KA NË VIT DASHURIA

Toka ime, që mbete larg,

tani eci në kopshtin e mbretit Melbourn,

hapat e mia prekin vetminë e kohës

spiranca e një anije kthen kokën nga unë

si të më pyeste ku e lashë atdheun.

Place to be

shkruhet në targat e makinave,

unë shqiptarja e panjohur përtyp habitjen.

Eci me këmbët e nxehta mbi asfalt,

ndaloj së menduari për të kapur zëra,

flatrat e zogjve si pusulla paqeje të bardha.

Deri sot, as dje nuk e dija,

që do shkruaja vargje

për qytetin që mban shpirtra të përthyer,

për gjakun që ngjizi ndjenjat e mia.

As si fëmijë, as si vajzë, as si grua,

nuk e mësova ku e ka qiellin lumturia,

në çdo udhëtim me tren më rrëmben muza,

pyes portrete me shikim të dhimbshëm

sa ditëlindje ka në vit dashuria?

Mërgimi është si fantazmë e dylltë

jeta ime prej kryqesh të mjegullta

në qytetin e lakmuar me vjeshtë miturake,

jam gruaja që nuk më jetohet me mua.

Maji më ka borxh ditët e luleve,

dhe fusha e shahut një fitore.

Ti, qytet nën diej aksidentesh,

jam duke ndjekur balonën e fatit,

si ushtari i një teksti balade

që e dëgjoj çdo të diel,

në pistë bosh me orkestër dimërore.

Unë shqiptarja e Melburnit,

kam një yll që më tundon pritshmërinë.

Ti, qytet pa zemra shqiponjash

nuk ke nga ta dish,

jam e pagëzuar në kishën e Shën Stefanit

me emrin e tij.

I don’t feel good..

 

PËR ÇIKË ZEMËR

Do të mësoj,

për çikë zemër

përvojë të vjedh,

të jetoj gënjeshtrën,

dua të buzëqesh.

Për çikë zemër

di të pres,

siç pritet kur s’je e askujt.

Për çikë zemër

jam gati “të vras,”

dua të mbys vetminë,

në burgun tënd

të dënoj veten,

aty ku liria paguhet.

me pranga të florinjta.

Për çikë zemër

do pushtoj ishullin e piratëve,

sepse dëgjova që aty

ndëshkimi dhe dashuria

paguajnë me gjak

e fshihen si fantazma.

Për çikë zemër,

zemra ime,

e xhindosur.

Për çikë zemër

unë pranoj humbjen,

puthjet e tij bredhin

si yje në mendjen time.

 

USHTAR I ARRATISUR

Po bie shi,

si sekondat e një ore të shkurdisur.

Gjendem mes ujit e zjarrit,

ditët nuk janë të njëjta qysh dje.

Në ankth dremit telefoni,

qesh pa faj streha e llamarinës,

dëgjohet veç një angullimë nervoze qeni…

E heshtur nën vete.

Shpirti po lufton me shigjeta,

në duel me perëndimin e diellit,

ndërsa qielli grindet

me pushtetin e hiçmosgjësë.

Nuk ka rrugë tjetër,

po e lë brengën

të bëj humor me sendet e kuzhinës,

të kërcej tango me pasthirrmat,

ujë të kripur me verë le të pijë,

zemrën ia kanë future në çark grerëzash.

Kush e bën ligjin, kush,

ti apo dhimbja?

Më mirë të flas me një papagall,

ushtari i dashurisë

qenka arratisur…

 

DITË ÇMENDURAKE

Sot, bëra një kafaz të vogël,

për fluturat e natës,

duke dëgjuar Elizën…

Sot, dua një ditë të mençur,

dua një portokall të pjekur,

sot dua të jem shtatzënë,

me këngën e tokës.

Sot, dua një kloun për lojën

e shkopinjve të zjarrtë,

kambana e Katedrales San Pjetër,

çjerr mendje të shartuara,

si fruta të vjetra me kancer.

Sot dua turma njerëzish,

mes pasionesh periodike,

të parakalojnë si në paradë ushtarake.

Sot, në mëngjes,

pashë një nuse në llandon,

që largonte mizat nga vetja,

dhëndri shikonte majtas-djathtas,

kali i shkretë pengohej,

nga stolitë e tij,

karrocieri e shante vendçe.

Dhe sot vdekja priti,

e veshur si mbretëreshë,

klientin e saj.

Oh, çfarë durimi ka vdekja

derisa u thinj mjekrën

dhe gurëve të rinj.

Sot, për çudi, nxorën në shitje

qytetin e minjve të bardhë.

Dielli ia dha vrapit,

perëndia e të marrëve,

u zu në grackë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s