Poezi nga Myrteza Mara

myrteza-mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

KALENDARËT

Kalendarët e vjetër ka kohë që s’i hedh,
as i djeg në zjarr,
s’jam dakort me thënien: “Bukuria e një gruaje
vlen sa një kalendar!”

Vitet e fundit i ruaj në një vend të veçantë,
aty mbyll sytë dhe vetëm sa i prek me dorë;
heroglifet e përndezura të kujtimeve
sikur më flasin me gojë.

Kalendarët i kam gjymtyrë të shpirtit,
më dhembin njëlloj si eshtrat;
aty i shikoj gjithë gjurmët e vitit,
gjurmët ku shkel vetë jeta.

Me ty, kalendari i ri, çelur në dëborë,
do jem bashkëudhëtar;
nuk dua të më ngrijë kënga në gojë
për ëndrrën time të bardhë.

Nuk di sa kalendarë të tjerë
do ndrrohen në udhët e moteve,
vetëm ata që jetova si pranverë
i mbolla në pasqyrën e lotëve!

 

PROVA E BESËS

Mbrëmë, e dashur, s’kam fjetur me ty,
Ëndrra më degdisi në një gojë mali
Nga tavani i qiellit yjet si qiri
Prova e besës ishte një urë zjarri.

Duhet ta kaloja, se qielli bëhej natë
Dhe nata një këmishë e zezë mbi sy.
Ti flije e qetë, ndoshta kishe vapë
Nuk dije ku isha dhe ç’bëja për ty..

S’ta prisha gjumin se ti do të klithje,
Me djajt e natës do ishe përgjakur.
Malin me thonjë zemërimi do grricje,
Me shpatën e gjuhës do prisje flakën.

Por unë nuk u tremba, shkova i qetë
E ç’është për mua një urë me flakë
Për “provën e besës” e fal një jetë
Mjafton mes nesh mos të ketë natë.

U ktheva me disa plagë fare të lehta
Të mos i shikoje i mbulova me fashë
Pëshpërite, kur gjoksit t’u mbështeta:
“Është ende herët, flemë edhe pak!”

 

MBETI ËNDËRR

Poezinë e parë
e thura,
për një ëndërr të bardhë,
(si kurorë luledeleje),
që çelte në syt’e agimeve,
para ditëlindjes time.

Mi supet e dekadave,
këmbëlodhura urat e jetës,
poezia,
si pëlhura e Penelopës tretej,
flokë dëbore
në avullin e ngrohtë
pas dritareve të kujtesës.

Ishte dimër…
Dhe tani dimër,
e në dimër përherë,
tok me kristalet e dëborës,
do trokas në penën e ndezur,
për Ty,
poezia ime e parë.

Mbeti ëndrra e ëndrrës,
në ëndrrën e bardhë!

 

PYET POETI

Në kopshtet e jetës shetisim hutuar
Ka lule e zogj shumëngjyrësh, plot
Magjia e tyre me magji mbuluar
Por askujt nuk ia shikon fytyrën dot!

Të tërë nxjerin aromën ndjellëse
Ngjyrat e këngës përhapen në eter
Maska e shpirtit nën mbulesën therëse
Pikon helmin që kurrë nuk shter!

Kështu është ndërtuar tani kjo jetë
Të tërë rendin pas dritës së vetëtimës
Dhe jeta jonë, ajo jeta e vërtetë
Endet pa emër, rrjedhur prej enigmës!

Dhe pyet poeti, pyet përmes vargut,
Pyet botën që vetë e ka ndërtuar:
Ku ishte Zoti kur u fut qoftëlargu
Ku është tani, në ç’qiell ka shkuar?!

Kaq shumë maska, kaq shumë klithma
Kaq shumë lule pa erë dhe pa shije
Nuk ka më shtigje, ka vetëm prita
Qielli rrëzon gurë, nuk ka më yje!

Oh, ju lutem mos më merrni për antizot
Bëhem tërmet kur shikoj kaq maska!
Dua të qaj, por nuk kam një pikë lotë
Dua të ngrohem, s’ka zjarr në vatra!

 

PLAGËT E PLAGËVE

Nuk di kush plagë dhemb më shumë,
Njëriu është i tëri një trung me plagë
Plagë kur je zgjuar, plagë dhe në gjumë
Plagë kur frymon, plagë dhe në varr!

S’di kush nga plagët është e shemtuar
Dhembjet i lëshojnë rrënjët në shpirt
Por unë me një plagë jam i dashuruar
Plagë e bekuar nga gjithë perënditë!

Jam i “dënuar” dhe mëshirë s’kërkoj,
Në fund të fundit s’jetohet pa plagë
Jeta është luftë dhe unë di të luftoj
Jeta është jetë, jetohet sa je gjallë!

Edhe kur të ikim plagët do na kujtojnë,
Lulet do thahen siç thahen edhe motet
Nga plagët e bukura lule do blerojnë
Këto plagët e plagëve si dielli i lotëve.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s