Proza poetike nga Bilall Maliqi

Bilall Maliqi 11

Proza poetike nga Bilall Maliqi

 

VETMI E MËRDHIRË

E shtata ditë i priu karvanit të ftohtë, duke e fshehur atë pak ngrohtësi në shtatë palët e qiellit idhnak. Edhe lotin ma ngriu në qepallë, pështymën ma robëroi në gëllënjkë për t’u përbiruar zorshëm ngushticës së fytit të skuqur.
Zëri im thirrës u ngjit në bisht të furtunës grabitçare. Era fishkëllen, më stërpikë me shtresën e borës së milltë, fytyrës së skuqur nga pritja, në stacionin e heshtur.
Nuk shihet gjë veç grumbullit të borës, të paluar nga fryma rrëmbyese, siç palohen zërat uluritës të hijeve të strukura qosheve të stacionit.
Ti nuk ishe, apo shikimin ma mbylli si me dorë fryma me borën e milltë, e nuk më bindet mirë shikimi për të parë.
Kjo ditë e shtatë e stinës së katërt e ngriu edhe pelegrinazhin e vonuar, të nisur drejt vendit të lutjeve shterpe.
Unë ngela së bashku me vetminë e mërdhirë. Të miat lutje drejtuar të Madhërishmit seç më ngrohën, si të jem para koftorit të dhezur, lutje që më lidhën ëndërrisht dhe ngrohtësisht me Ty, si në botën e përrallave.

(07 janar 2017)

 

IA SHKUNDA MËRINË

Ia shkunda mërinë , siç ia shkund era gjethet degëve, të shtrira shtatit të lisave, lodhur ia kishte shpirtin deri në molisje.
Natyra ngadalë i ndërron pamjet, sikur piktori plak që pikturon stinët me veshjet e tyre, që shkrihen në sytë tanë të etur për shikime të ndryshme ngjyrash.
Tënden mëri e shoh në ekranin e ndjenjës sime, seç më gërryen përbrenda, e më fryen dhembjen e posa nisur. Ç’dhimbje që shprish mallë dhe nxit rrjedhë lotësh.
Shkeli nëpër shtigje të (pa)kaluara, ta gjejë udhën që më nis drejt cakut, në të cilën do ta ngul vertikal vetminë time, e ta pres ardhjen tënde me mërinë e mbetur kthinave të zemrës së lënduar, ta nxjerrë pahetueshëm e ta shtrydhi me sa forcë që kam, deri sa të rrjedhin pika të “helmëta” përmbi rrasën e gurit në Majën e Zezë.
Çfarë përfytyrimi para sysh, si në faqe të pasqyrës së hukatur, më del buzëqeshja jote e lodhur nga lodhësit, që për mua ta kishin fryrë qesen e mërisë.
Pres në faqen e dytë të shikimit, të më shfaqesh dashurisht, me sy të gëzuar brenda rrethit të pasqyrës së paçtë…

(06 janar 2017

 

MURI I DHEMBJES

Copa të akullta rrëshqasin strehëve të kujtimit, plasin në shuplakën e shtrirë të tokës dhe shkrihen e rrjedhin nëpër (laka)dredha të kohës, dhe prapë e ngrijnë mallin e paluar. Akull brenda teje, e në mua një zjarr ndizet çdo ditë të lume s’e shuan as acari i ardhur nga Karpatet ngricë.
E dua diellin tek nxjerr nga vetja rrezet e para dhe shkrin çdo ngricë, akullin e shndërron në pellg dhe nga çatia e kasollës brenda së cilës përzihen ftohtësia e acartë me zjarrminë që djeg e përvëlon, pastaj shkoqitet avulli dhe i djersitë xhamat.
Nuk shihet muri që ndan përgjysmë shpirtin, kot afrohesh afër dritares të venerosh atë ngrehinë që vret shpirtra, që çdo stinë e ngrin, çdo ofshamë e thanë dhe pëshpërimat i shterrë.
Në njërën anë shtatorja qëndron vertikal, e grimcon heshtjen e vet, tek sheh përballë të ziun që përçudshëm zgërdhihet. Më jep durim o Zot, thotë vetmevete trimi që u shkri në trimëri.
Ç’dashuri ngeli e dashur, kur ftohtësia të ndau nga unë dhe nga dhoma ku për herë të parë i nxorre frymëmarrjet dhe tani me dylbi pandalur vështron matanë murit të dhembjes…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s