Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

BURGOSJA E RAMUSH HARADINAJ

DUKE PRITUR SHFAJËSIMIN

Zotërinj nuk jam gjykatës
Por një poet i moshuar
Nga dhembja e të cilit
Si shtreza
Këputen thinjat e flokëve

Netët më nuk i kam net
Por fantazmë
Që më qojnë
Deri te portat e Purgatorit

Ju s’doni ta shfajësoni
Por unë po pres
Zotërinj gjykatës
Akoma jam në ankth
I tëri një popull
Pret
Që ta zhburgosni pafajësinë

A kanë ndërgjegje
Kodet e juaja
Që i mbajnë nëpër çelit e Hagës
Tërë një popull
Luftëtarët e lirisë
Të cilët më shumë se jetën
Dhe dashurinë
E deshën dhe e duan lirinë

S’latë asgjë pa prangosur
zotërinj
Asgjë
Mbase keni harruar
Se liria kurrë nuk mund të prangoset
Zotërinj
S’mund të prangoset
Asnjëherë
liria e askujt të nderuar

2.
Zotërinj
Ju akuzoj
Në emër të lirisë së robëruar
Që sot
E kush e di se sa vjet
Jeni duke mbajtur në burg
Një popull të tërë

Dje në Prishtinë
Komandant çeliku
I shqeu kodet e padrejtësisë
Dhe sot fluturon
Ballëhapur
Ky burrë syshqiponjë
Nëpër qiellin e lirë të Kosovë

3

Ju akuzoj
Të gjithë ju jeni të akuzuar
Në emër të lirisë
Hyjit
Dhe të drejtësisë
Jeni të akuzuar zotërinj

Zhburgoseni ndërgjegjen e fjetur
Nëpër çelit e urrejtjes
Se për ndryshe
Sërish
Si ortek dëbore
Qohet peshë djemuria

Çfarë faji pat gjenerali im
Që rri akoma i prangosur
Për teket e sëmurëve psikik
Çfarë faji pat
Gjenerali
Ramush Haradinaj
Çfarë faji pat
Zotërinj

4.

Nuk janë këto krakëllima korbash
Nuk janë këlthitje
Por gjëmat e një populli
Ju akuzojnë zotërinj
Ju akuzojnë
Për padrejtësitë që i bëni fëmijëve tanë
Varreve tona

Më duket se asgjë nuk ju kujtohet
Zotërinj asgjë
Ne akoma sot
I ndjejmë hukamat e shpirtrave
Të dhunuara
Akoma ajo vulë e turpit
Bënë një hije morbide
Mbi kokat e nuseve
Mbi kokat e fëmijëve
Të poshtëruar zotërinj gjykatës

5.

Një arkivol
Një këmishë akoma pa iu tharë gjaku
Ju akuzon
Edhe një poet
Ndoshta nesër e burgosni
Ju akuzon
Jo për krime
Por për padrejtësitë
Që ia bëni popullit të tij
I tërë një popull
Ju akuzon zotërinj

6.

Ekselencë
Nëse është liria krim
Atëherë
Burgoseni tërë një popull
Edhe kërthinjtë në barqet e nënave
Djepat
Që përkundin dashurinë
Dhe i mësojnë fëmijët
Se si duhet dashtë atdheu

Të nderuar
Nuk ka krim me të madh
Se sa ta burgosni pafajësinë
Dhe njeriun
Që aq shumë
E deshi dhe e donë lirinë

Ecjet e juaja të rënda
Me veladon të zinj
Ma përkujton inkuizicionin
zotërinj
Inkuizicionin

7.

Çfarë faji patëm
Që na akuzuat
Dhe po na akuzoni
pse e deshëm
Dhe e duam lirinë
më shumë se çdo gjë

Zotërinj gjykatës
Ekselenca
Po dridhen e rrëqethen
Muret e mykura Hagës
Ju akuzojnë
Edhe kërpudhat zotërinj
Edhe kova e urinimit
Ju akuzon

Ju deshët
Apo nuk deshët
Biri im do ngadhënjej
Mbi ndërgjegjen e mykur
Të Evropës

Ky sogjetar
Me urtësi më të madhe
Po aq edhe krenar
Është duke pritur
Të shthurët rrjeti
I drejtësisë së merimangës
Dhe t’i puthë
Fëmijët në ballë

8.

Ekselencë
Unë poeti i moshuar
Nuk i njoh kodet e Juaja
Por ju betohem
Se prej tyre mu kanë thinjur
Dhe këputur
Fijet e flokëve

Mu kanë thinjur qepallat
zotërinj
Duke pritur me padurim
Shfajësimin
E gjeneralit tim
Shfajësimin e gjeneralit tonë
Ekselencë shfajësimin

 

OSE MË JANË ZBEHUR KUJTIMET

Asgjë më nuk është
Siç ishte para pak çasteve
Ky diell i ngrysur
Më duket si një patate e pjekur në prush

Lumi im i fëmijërisë
Nuk derdhet në asnjë det
Vetëm këmbët e Drinit të bardhë
Paskan mbetur në va

Ky ujë i turbullt i fëmijërisë
Nuk rrinë rehat në asnjë gotë
Sa shumë dete u përmbytën
Në shuplakat e zhubrosura të erës

Gjërat sërish më duken
Pak të zbehta
Ose më janë zbehur kujtimet
Asgjë më nuk është siç ishte dje.

I DHAMË UJË GURIT DHE DRURIT

Sa shumë kohë na u deshtë
Të mbërrimë deri te portat
Sa kohë na u deshtë
Të njihemi me vetveten
Sa kohë na u deshtë
Ta shlyejmë
Rrethin e nëntë të Ferrit

Por ne ecëm deri në Ferr
Besa edhe përtej Ferrit
I pamë rrugës skeletet e erës
Dhe shiun e çmendur
Kah na i lagëte mendimet
I pamë vdekjet e drurëve

Dhe sërish nuk u ndalëm
Mbase lindëm me nga dy këmisha
Udha ishte e gjatë
Më e gjatë se çdo pritje
Sa që i shembëm të gjitha trishtimet

Për të mbërri deri në cak
Nuk kursyem asgjë nga vetvetja
I dhamë ujë gurit e drurit
Dhe për çudi atë ditë
Mbërrimë deri te portat e hapura të ferrit.

 

AJO ËSHTË NJË GRUA

Thënë se ajo është një prostitutë
Kundërshtova ashpër
U thashë
Ajo është një grua
Të gjithë qeshën si kuajt

Kurse kuajt nga turpi heshtën
Asnjëherë më nuk hingëlluan
Ata sërish si papagaj
Pohuan fjalët e njëjta
Unë sërish rreptësishtë kundërshtova

U thashë se ajo është një njeri
Prostitute mund të jetë politika
Që orë e çast si pela
E luan bishtin e tymosur
Nën dhe mbi urat atdheut

Të kokëfortit s’pushuan
Baltosën lëkurën e erës
Dhe sërish thënë
Se ajo është një prostitute
Prapë kundërshtova
U thashë o njerëz të marrë
Ajo është vetëm një grua.

 

KISHTE NGJARË NJË IKJE E MADHE

Asgjë më nuk ju pyeta
Më duket se kishin vdekur fjalë
Një gur i murrmë rrokullisej tërmal
Era e dërmuar dëneste si kalama

Me ngashërim qanin edhe shelgjet
Nëpër kopshtet e fshatit
Sivjet s’kishin çelur pemët
Edhe lulja e mështeknës mbeti pa aromë

Thënë se asnjë bletë s’kishte mbetur
Nëpër koshere
Kishte ngjarë një ikje biblike
Sa që s’kishte mbetur asnjë lule nëpër pemë

Vetëm vjeshta lakuriqe si atdheu
E mbulonte fytyrën me flamujt e grisur
Nëpër kullosa nuk i pamë as delet
Ardhacakët i trodhën me radhë ogiçet.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s