Poezi nga Fejzi Murati

Fejzi murati - 1

Poezi nga Fejzi Murati

 

 IKJE, IKJE!

Ikje!
Vetëm ikje!
Njëzet e pesë vjet me rradhë!
Dhe qielli
dhe toka
me plagë!

Përpara,
rruga e larë me lot e hidhërim
as emër,
as datëlindje,
as vendlindje,
anonim!

Prapa
duar të zgjatura fëmijësh
duar grash të malluara,
prapa
zemra të vrara nënash…
dhimbje,
ëndrra të masakruara!
Prapa
kohëra të dështuara!

 

PËRSËRI PO TË RIVRASIN, PROMETE!

Sa shumë të kanë përgojuar
ata që nga e reja kishin frikë…
sa shumë të kanë urryer,
përbuzur,
injoruar,
të kanë linçuar natë e ditë!

Edhe sot
pas mijra vjetësh,
janë gati të të rivrasin,
të të rikryqëzojnë,
më ashpër se sa mëria e Zeusit
që për tremijë vjet në pranga të mbante…
njësoj si ata që kryqëzuan Krishtin,
ndërsa Pilati qetë-qetë, duart lante.

Janë ata që botën duan ta mbajnë në pranga
me kokën të ulur,
në dhe!
Ata që urrejnë të renë
e tmerrin u ke shtirë,
babai dhe biri i progresit,
Promete!

 

LOT NË CEP TË SYRIT

Ti e mbyllur në katër mure,
unë larg teje,
vuaj e vuaj…
Si lot
në cep të syrit më vure,
si lot i hidhur
syrit tënd pikoj!

 

MË IKU FJALA!

Më iku fjala,
në një moment zemërimi…
Se ktheja dot mbrapsht të rëndën fjalë!
E ndjeva,
një zemër lëndoi padrejtësisht,
hapi një plagë…

S’e di,
a do të mundem vallë ta shëroj plagën e hapur,
apo do ta lë të kullojë gjak?
Si më iku kjo fjalë në eter e s’mundem më ta kap!?

 

GJITHË ZJARRET E GLOBIT…

Përpëlit qerpikët
si një zoçkë e trembur,
sa herë sytë e tu
ndeshin sytë e mi!

Përse kjo tronditje,
këto flatra ankthi?
Nuk sheh brenda tyre
zjarr e dashuri?

Eja, hapma gjoksin,
merre në dorë zemrën,
një diell dashurie
do të gjesh aty…

Gjithë zjarret e globit
kam ruajtur për ty!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s