Poezi nga Vullnet Mato

vullnet

Poezi nga Vullnet Mato

 

DËBORA E PARË NË QYTETET TONA

(Dikur bëra tekstin e këngës “Bardhësi”
që fitoi çmim në festivalin e 10- të rtsh,
e cila më nxiti sot të shkruaj këtë poezi.)

* * *
Pikat e shirave vjeshtore i tërhoqi dielli,
dhe retë i shndërruan në flutura të bardha.
Krahët fluturimtar prej uji u dha qielli
dhe janari i hodhi lule mbi mollë e dardha.

Gëzim i bardhë mbuloi qytetet anembanë,
por pleq e plaka rrethuan zjarret me dridhma,
burra e gra lanë parqet e rrugët në Tiranë
për të sfiduar frymën e akujve polar nga frika.

Ndërkohë nga dyert, brofën të rinjtë kudo,
vajzat bënë lëmshe me flutura bardhësie,
kurse djemtë tufa lulesh hodhën mbi to,
duke u goditur disa herë me topa dashurie.

Dhe dashuria e tyre mbolli gjallëri në qytete,
dhe e bëri disi më të bukur dimrin sivjet,
duke i thënë frikës përhapur me disa mjete,
se dashuria shuan dhe panikun e gripit në jetë…

 

SHKËMBI KU LINDËN ETËRIT

Lugina e murrme, përtej thellësive,
me qiej të pastër dhe vjeshtën me shi,
gatuante baltën me kakërdhitë e dhive,
t’i ushqente Fterrës, të gurtat shtëpi.

Djepi prej shkëmbi njëmijë e ca metra,
kishte nga zanafilla emrin “Guri i Kuq”.
Vendbanimi kish ngulitur aty kthetrat,
qëkur s’mbahej mend prej askujt…

Mitra prej nëne e barkut shkëmbor,
ngjizte gjallimin jetik, në secilën femër,
me belbëzimin e gurrës derdhur në Ixor,
nga shkrepat e thepisur të zogjve pa emër.

Për engjëjt e sapolindur me buzë trëndafili,
pikonte kulloshtra qelibar e yjeve në maj,
me eroma rigoni, borziloku e dafina pylli,
nga toka zallore, ku mbinin limoj e portokaj.

Gratë ngarkuar me shkarpa te bushi i bregut,
ndiznin vatrat e blozuara nga rrufetë mortore,
me vetëtimat që u flinin në vena ndër shekuj
dhe u faleshin kodeve të vjetra zakonore.

Burrat zienin rrush, koçimare e mana ferre,
ngujoheshin dimrit rreth oxhakëve mikpritës
dhe dilnin me fytyrat çelur, si bisqe pranvere,
për të gdhendur gurët me daltat e frymës.

Çdo mëngjes, kur bronzi i zileve të dhive,
niste tringëllimin nëpër monopate me ferra,
pleqtë ulur mbi kristalin akullor të shpirtit,
psherëtinin për të ikurit në skaje të tjera.

Të nxitur nga ëndrrat e komunizmit teorik,
ata përshkuan trajektoren e gjatë të marrëzisë,
duke pritur dekadat e bollëkut me durim stoik,
dhe në fund pshurrën mbi bunkerët e kotësisë…

Etërit e mi jetuan nën glasat e egra të pëllumbit,
duke përballur pushtimet, pa krismat e shtetit,
dhe pasi shpëtuan nga shënjestrat e plumbit,
zbritën të më lindnin mua te placenta e detit.

Me pak pluhur shkëmbi në gjak, e pakëz det,
dhe me dhuntitë që etërit trashëgim më dhanë,
përherë i ndjekur nga hija e vdekjes në jetë,
nga asgjëja prej guri e kripe, arrita gjithçkanë.

Ndonëse u enda, si beduini në Saharën klasore,
vadita vreshtat e vargjeve me gjakun e zemrës…
Shkëmbi i etërve më ndiqte me retinat qiellore,
dhe në fasadën e vet më gdhendi emrin e penës…

 

BUKURIA ME SY MAGJIK

Kur ajo shikon lulet,
lulet çelin gonxhet e tyre.
Kur ajo shikon zogjtë,
zogjtë cicërojnë sa ngjiren.

Kur ajo shikon pemët,
pemët pjekin frutat.
Kur ajo shikon delet,
delet shtojnë tufat.

Kur ajo shikon malin,
mali thërmon gurët.
Kur ajo shikon pyllin,
pyllli bleron drurët.

Kur ajo shikon lumin
lumi sheshon valët.
Kur ajo shikon detin,
deti qetëson dallgët.

Kur ajo shikon mua,
bëhëm alien me raketë,
fluturoj me të në qiell,
nis jetën në tjetër planet.

 

NDONËSE TI THUA, MOS !

Sa herë dua të marr
diçka nga ti,
thua “mos”,
sikur do bjerë tërmeti,
sikur në këtë moshë
të jem fëmi,
që thyej gota qelqi
dhe bëhet kiameti.

Ndonëse buza jote
është elastike
dhe të krisur
nuk merr askund,
ndonëse ti je femër
në vite kritike,
pa puthje vyshkesh
dhe bukuria të humb.

Kur dua të bëj
ndonjë hap më tepër,
drejt të panjohurave
që më fsheh ti,
thua, “mos”
sikur jam i verbër,
që do rrëzohem
te puseta në thellësi.

Por ndonëse thyhen
gjithë gotat e qelqit,
se tërmeti shkërmoq
gjithçka si rëra,
se fundosem te gropa
me hapin e të verbrit,
unë “mos-et” e tua
do t’i shkel të tëra!…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s