Magjia e së kuqes – sekreti i poezisë origjinale të Kaltrina VB Hotit / Nga: Fatmir Minguli

Magjia e së kuqes – sekreti i poezisë origjinale të Kaltrina VB Hotit

Fatmir-Minguli

Nga: Fatmir Minguli

                    Buzët e tua janë si shirit i purpurt, 

                      Goja jote është krejt e mahnitshme;

                      Si thelë shege janë mollëzat e tua

                      Prapa velit tënd.

                                      Nga “Kënga e këngëve” 

( Vëzhgim kritik për librin ” Buzëqesh” të poetes Kaltrina VB Hoti, botim i Shoqatës për art dhe kulturë “DEA”, Kërçovë, 2016)

   Libri “Buzëqesh” me poezi të poetes -piktore Kaltrina VB Hoti vjen fill pas librit “Puthja sekret” i cili pati jehonë të konsiderueshme në qarqet e mirëfillta letrare. Por në një vëzhgim të detajuar çdo lexues apo kritik i letërsisë do të shohë një tjetër libër ashtu si romanet e një shkrimtari të njohur ndryshojnë nga njeri tjetri por mbartin të njejtin stil. 

   Kështu po ndodh edhe me librin “Buzëqesh ” plot me poezi që e çojnë poeten në stade     më të larta të poetikës së saj.

  Duke i ndejtur besnike ndarjes në katër cikle poezishë, ajo na prezanton  kapituj të rinj të romanit të vet poetik, ku buzëqeshja bashkohet me puthjen e në vallëzimet e natës kujtojnë konakun e të parëve.

    Eshtë më se serioze kjo ndarje për librat me poezi, jo se lexuesi e ndjen veten më të ngrohtë, më pranë temave apo subjekteve që shpalosen në libër, por se bindet për seriozitetin e poetes, e cila nuk shkruan pa sens, pa një bosht kryesor nga ku mbijnë filizat e poezive të saj sa të brishta aq dhe me këmbë në tokë.

 kaltrina

Kaltrina VB Hoti

Kaltrina VB Hoti është një poete që hyn në plejadën e re të ristrukturimit të poezisë shqiptare, duke mos u klasifikuar thjeshtë si poete e diasporës, por si poete gjithëpërfshirëse për mbarë poetët e sotëm shqiptarë, kudo ata ndodhen. E ardhur nga troje shqiptare që kanë bërë bujë në historinë e kombit tonë, ajo edhe pse jeton larg “konakut” të vet, në këtë libër sjell gjithçka ka origjinale populli i saj.    

    Ndonëse, kapitujt e parë i dedikohen buzëqeshjes dhe puthjes, ato përsëri  tentojnë të japin shprehitë e një njeriu me ideale të bukura për jetën, të dashurin, të dashurën.

     E parë me syun e një kritike të mirëfilltë, libri “Buzëqesh ” është një risi në poezinë shqiptare, poezi e cila nuk rreket të merret me subjektet e rëndomta, por të trajtojë me artin lakonik, ku figurat artistike janë simbole dhe metafora. Por nëse metaforat janë thjeshtë pjesë e kontekstit, për Kaltrinën simbolet janë sa misterioze, aq dhe të pakapshme lehtazi, janë trille që nuk arrihen kollaj. 

    Është  pikërisht simboli i të kuqes, ai që mbizotéron në këto poezi të bukura të librit “Buzëqesh “. Kësisoj autorja vjen me origjinalitet të ri. Në se në librin e parë mbizotëronte stili minimalist në poezi, në këtë libër të ri ajo vjen me artin e simboleve, duke u përqëndruar tek e kuqja e përgjithshme dhe te e kuqja shqiptare. 

  Prandaj me këto simbole ajo operon njëlloj si me brushat e bojës dhe di të godasë në shenjë duke lënë te lexuesi ndjenja të pastra të dashurisë njerëzore. Në poezinë “Pse të dua” autorja i këndon mëngjesit si promotor i jetës së saj duke i thurur lavdi të dashurit ashtu si të “Kënga e këngëve” e Biblës. Por gjithsesi ajo filozofon në poezinë”Rrezja e parë” ku ekzistencializmi përmes një romantike shprehet në vargun” më mëso sa e bukur është dita e pazbërthyer” .

  Kështu janë poezitë e dy kapitujve të parë, plot me ide, mendime, përsiatje ku Kaltrina të bukurën e jetës, gjithsesi të pakollajtë kërkon për ta kapur. 

   Origjinaliteti i poezisë në librin “Buzëqesh ” është në disa plane. Një nga këta është dhe ndjenja e besimit në qiellin e pamatë, një tendencë fetare e pashpallur por që shfaqet nëpër kapilaret e vargjeve. Ajo dashurinë me të dashurin e hyjnizon duke shkruar “nga qielli më zbrite, në qiell do tretem”.

  Dhe vjen poezia ” Ngjyra ime e kuqe” emblema e librit, poezi ritëm, ku gjallëria vjen duke u shtuar nga vargu në varg. Eshtë kjo e kuqe e mistershme që gjallēron  gjithçka, një e kuqe që poetja e sheh kudo. Kjo ngjyrë nuk është në kuptimin politik, aspak, sepse Kaltrina as e njeh këtë formë, por është simbol i perceptimit optimist të një jete të jetuar bukur. 

 15942261_1810722022519661_972840750_n

Buzëqesh

E kuqja në poezinë e librit ” Buzëqesh ” është më shumë se një simbol, duke tejkaluar përkufizimet e kritikës letrare të sotme që e quajnë atë si simbol të dashurisë tokësore dhe qiellore, e pasionit, e ndjenjave, e gjakut të jetës, e agresivitetit ( në disa skuadra futbolli), e masakrës etj.

   Kaltrina sjell të kuqen shqiptare të flamurit, paqyruar bukur në kapitullin e katërt të këtij libri, ajo sjell të kuqen e gjethes që mposht të verdhën e gjetheve të vjeshtës, si dhe të kuqen në krahët e fluturës si ballancë e një fluturimi të sigurtë e plot shpresa.          Ajo, Kaltrina, i ka bërë anatominë poetiko -filozofike ngjyrës së kuqe në librin “Buzëqesh “, prandaj lexuesi shqiptar e ndjen atdheun pranë dhe lexuesi i huaj kupton ekzistencën e një kombi të vërtetë. Libri i Kaltrinës kthehet në libër misionar që përçon informacionet më të spikatura për botën e shqiptarëve.

     E ç’mund të thuash për poezinë “Fustani i Zanës”? Një poezi e legjendës ku Zana sillet ashtu si në vizionet jo vetëm të femrës por si përcjellse e një dashurie të bardhë, që e gris mjegullën e kuqe. Padukshmëria e vetë poetes në shumë poezi është  gjetje simbolike që mbart misterin e përjetshëm të jetës.

  Këtij misteri i bashkëngjitet dhe figura madhore e transformimeve kafkiane ku poetja herë kthehet në gjethe, herë në dallgë, herë në fije të flokut të të dashurit, apo që vjeshta e sjellë në këtë libër në kohë vjeshte.

Jemi në vjeshtë, në stinën e poetëve, ku kaosi i ngjyrave fokusohet pa dashje te e kuqja. Jemi në poezitë e së kuqes në librin”Buzëqesh ” të Kaltrina VB Hotit.  

Kapitulli i katërt i titulluar “Në konak”, është kapitulli i vazhdueshmërisë së poezisë së Kaltrinës, që e bën atë solide në origjinalitetin e saj.

Paraçelsi thotë:” Çdo element ka ngjyrën e tij: toka është e kaltër, uji leshil, ajri i verdhë, zjarri i kuq…pastaj janë ngjyra të tjera…”

Kaltrina i bazohet pikërisht zjarrit, atij zjarrri që karakterizon shqiptarët, në kërkim të rivendosjes të të drejtave të tyre.

  Shpesh poezitë e kapitullit të tretë dhe të katërt sillen si pamflete luftarake që i rikujtojnë  shqiptarit të Malësisë, shkrimtarit dhe mësuesit, luftëtarit për lirinë e madhe,  çdo mërgimtari atë rivendikim të shumëpritur të një bashkimi madhor të tokave shqiptare. Kjo shprehet më së miri në poezinë” Më thuaj emrin tim”. Poetja-piktore shkruan:

” E putha tokën e Nënës

Jam bijë e saj,

Plagët e marra i’a shëroj,

Me këngën e përcjellur nga Lahuta e Lashtë,

Pranë kanvasit të bardhë

Me laps shkruaj Besën,

Shqipéri dorën ta puth!”

 Të mos harrojmë se autorja jeton në Amerikë…

Për librin e Kaltrina VB Hotit mund të bëhen shumë vlerësime, si ato për nivelin e lartë artistik ashtu dhe për idetë që ajo emeton në lexuesit shqiptarë. 

Por modernja e Kaltrina VB Hotit është tejet spikatëse. Ajo përshkruan peisazhe qiellorë si në pikturat e Salvator Dalisë, por i sjell ato në peisazhet e botës shqiptare, aty ku bjeshkët e Malësisë shqiptare reflektojnë absurden dhe konkreten tokësore.

Po kështu edhe në ato përgjithësime filozofike që Kaltrina jep në këtë libër, mund të gjesh influenca të poetëve modernë francezë, kryesisht nga Rembo, por në esencë lexuesi do të gjejë një romantizëm modern me ngjyra të shqiptares, të kuqes jo vetëm të flamurit, por të kuqes së zemrës së femrës artiste, poete shqiptare.

 Libri i Kaltrina VB Hotit “Buzëqesh ” është një sukses jo vetëm i autores por i gjithë poezisë shqiptare bashkëkohëse.

Fatmir Minguli

Durrës, vjeshtë 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s