Poezi nga Irsa Ruçi

irsa-ruci

Poezi nga Irsa Ruçi

 

***

Sot zgjodha të jetoj si fëmijët, veshur me pranverë
fshehur në gjirin e dielltë të një tufe ëndrrash
përtej syve t’paqtë qiellor, natyra frymon në shpirt
posi lulet e porsaçelura të majit…

Stinët janë malli për kohët që migrojnë
viseve të ngrohta të zemrës
ndërsa liria është dallëndyshja e parë në fluturim:
e ardhmja dremit udhëve pa kthim, e shkuara në përgjërim!

Por fëmijët njohin veç të sotmen, përjetësia e tyre mban çastin në zgjim
lumturinë e zgjedhojnë me sekonda
kurse fjalët jehojnë mbi melodi engjëjsh
ndaj dhe unë sot dëshiroj të jetoj pafajshmërisht… me ëndrra!

© Irsa Ruçi

 

***

E ku ta dija unë
se dashurinë që ti e krijoje mes ëndrrash
e kishin fole zogjtë në qiejt e pambarimtë?

Pranverën e sillje me shikim, me frymë i çelje pemët
fjalët e tua qenë heshtje prej burri
ndërsa lutjet për jetën shpërthenin si vullkan në zemër
prej nga ndjenjat përcilleshin si këngët
në atë rit ëngjëjsh ku ligjërimet mbaheshin me shikime.

Dashurinë e ruaje si mëngjeset dritën, me diellin e shpirtit m’i ngrohje vargjet
rimat i ktheje në furtunë, metaforat ndërtonin dialogje;
si shikimet në sy tradhëtuar prej lotëve
tradhëtohen poetët ngatërruar mes strofave!

Zemra e mashkullit matet me brishtësinë e fëmijës
dobësia e tij, frymëzim në ngjizje i femrës
ndërsa forcën e gjen brenda vetes
thellë tij, kur bashkon në një të gjitha dashuritë:
biri i një nëne
vëllai i një motre
bashkëshorti i një gruaje
babai i një vajze
gjyshi i një mbese
… dhe jeta që nga e para ripërtërihet sërish…

E ku ta dija unë
se dashuria jote ish’hyjnizim perëndish?

© Irsa Ruçi

 

***

Tani të shoh më qartë, tek ylli i vetëm që ndriçon mbi ne
Atje e gjej të shkrirë shikimin tënd, teksa më lindesh mbrëmjeve
Si fryma që pret të burojë prej shpirti, kur shpirti merr formën
E kohës, ndërsa shikimet tona shkruhen përmbi mall…

Do e vizitojmë liqenin ngrirë prej të ftohtit, zemra ime?
Dhe ta shkrijmë me puthje, që skuqur emocionesh t’ na dhurojë
Të parën dritë rënë perëndimthi, mbi lindjen e dashurisë;
Në diellin e syve ndjenja i kthen akullnajat në kristale
Pikuar mbi çastet kur pritja për ty është gjithnjë e ardhmja.

E sheh sa ëmbël përvidhen ditët prej mendimeve, i dashur?
Dhe në errësirë ndizen ëndrrat, njëjtë siç ti ndez tek mua
Shpresën, e unë jam një shtojzovalle
Me zemrën si anije ku mbledh çdo emocion që më zgjon
Me bujë e hov,
Me hapin e një fëmije dhe entuziazmin e një adoleshenteje
Sa herë mungesa jote provokon.

Do i shkrijmë liqenet bashkë, i dashur?
Që në këtë botë ndjenjat të rrjedhin si ujërat, si gjaku ndër vena
të vlojnë; dhe dashuria t’i ri -çelë të gjitha sythet
për të dëshmuar se mes akullnajash, veç dashuritë mbijetojnë…

© Irsa Ruçi

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s