Poezi nga Vullnet Mato

vullnet

Poezi nga Vullnet Mato

 

KUR TRËNDAFILI YT MË MBIU NË SHPIRT

Ti ishe një trëndafil, që sapo të mora erë,
më hyre brenda gjoksit bashkë me oksigjenin,
lëshove rrënjë e degë në inde, deri thellë
dhe gonxhet e trëndafili tënd nisën të çelin;

Aq sa aroma më shpërtheu, në të gjitha poret,
dhe m’u mbush shtëpia me erëmim trëndafili.
Më thanë të afërmit: “Ç’ke që parfumohesh,
sikur je femër që takohesh me bandillin?”…

Më pas, në rrugët dhe oborret e lagjes,
aroma e trëndafilit, shkoi derë më derë.
Më vështronin përqark, me habi ziliqare,
sidomos lulet e saksive që nuk kishin erë…

Provova t’i shkul rrënjët e tua nga vetja ime,
të drejtoja vështrimet, që më shihnin vëngër.
Por ndjeva dhimbje të forta, me drithërime
dhe gjembat më shpuan nga koka te këmbët…

Pra, s’mund të të shkulja, kurrsesi nga trupi im,
se ti më kishe mbirë e gjitha brenda në shpirt!…
Dhe i lashë vështrimet, të pëlcisnin me gjëmim,
përderisa më bëri të ndjehem fare mirë trëndafili yt!…

 

TEMPULLI I SHENJTË I POEZISË

Ndej përbrenda vetes Papën e Romës,
në Vatikanin poetik përmbi kërbishte.
Gjithashtu edhe kryemyftiun e botës,
në Mekën e kokës, ku vras djallin me gurishte;

Ndjej njëherësh kryegjyshin e bektashinjve,
në tyrben e çallmës, mbështjellë me shall jeshil,
kam palosur vargjet e Nimit të frashërllinjve,
bektashiut, që i këndoi zemra, porsi bilbil.

Sepse predikoj me art, dashurinë e vërtetë
dhe i ftoj të gjallët të vinë të falen tek unë,
të zbardhin shpirtin nga mëkatet në jetë,
t’u prijë mbarësia në shëndet e në punë…

Nuk jam shenjtor, as magjistar iluzionist,
por dua me fjalë magjike, të bind çdo njeri,
se idetë, mataforat dhe rimat e poezisë,
predikojnë në shpirtra paqe dhe qetësi;

Largojnë nga mendja trishtimin, hakmarrjet,
që i vijnë trurit, si dallgë të padukshme ligësie,
nga zënkat dhe politikat, që nxitin përçarjet,
me megafonët e fuqishëm të mediave të tyre.

Unë bëj, të puthen fort miqtë dhe mikeshat,
të falen shpesh në tempullin e shenjtë poetik,
duke mërmëritur heshtur, vargje nga vjershat,
për të fjetur çdo natë, si në një shtrat kozmik!…

 

KALI MODERN I TROJËS

Kali modern i Trojës, u nis të vejë,
në formë treni, të futej në Kosovë,
me mbi njëqind agresorë serbo-akej,
armatosur me automatikë kallashnikov.

Dhe njëqind shkina me taka të larta,
t’u prishnin mendjen djemve kosovar…
Por të gjithë bashkë, ngecën te balta,
se nuk hapeshin më portat, si më parë.

Pas tridhjet shekujsh kali prej druri,
me çelik special nga uzinat ruse,
nuk arriti dot të kalonte tek muri,
ku i tha“stop!” UÇK e Kosovës nuse;

Ndale o serbi beg, pabesinë e stilit grek,
të mos rifillojmë çlirimin tonë përsëri,
se mes nesh ke dhe të Natos hendek,
ku thyen kokën, me çdo hile e djallëzi!”…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s