Cikël poetik nga Marjeta Shatro

marjeta-1

Cikël poetik nga Marjeta Shatro

 

Muzë

Shikoj muzgjet e thyera, si rrëzohen
heshtasi, vegimit tim nën pëshpërimë,
si ikën më pas horizontit thyer
dhe humbet tutje me erën e pyllit.

Mendimet e mia, po ashtu një rebus
përplasur enigmash të një bote pa fund
e unë ndiej shpirtin, që tretet me hënën
dhe frymën e muzës, kapur tek një yll.

 

Dualizëm

Mes një bote verbuese jetojmë
nën tingujt më të thellë përplasur kufijve
hapësirave boshe rendur si hije
fshehur pas vetvetes
ndrydhur,
e ringritur për të krisur globin e dhimbjes.

Mirëpresim tjetër agim të nesërmen
me shpresën e re
të shekullit ndryshim
Nganjëdhimtarë horizonteve të ndritur.

 

***

Deti sot,
shkulmon frymën në mijëra dallgë
dhe në korin e regtimës së pulëbardhave
ndërsa unë…
ulur buzë detit
lundroj në ëndrrat e mia të lira, si varkat
dhe dashuroj gjer në marrëzi detin!

 

Qyteti im i përmbysur

Me sytë mbetur tek mjegulla e bardhë,
që pikon lotët më të nxehtë të qiellit,
si puhiza e yjeve meteorë të shuar
në natën e qetë, praruar
ndjek lëvizjet e hënës, përthyer,
në stërkala të zbehta drite
e shëtis mbi qytetërimin e lashtë të Butrintit
mbi shkëmbinjtë e detit luan një nimfë,
si mirazh shtrihet mbi ujërat e qeta
qyteti im i përmbysur!

 

***

Pas netësh të stuhishme,
Endem rrugëve të trishtimit,
Pushtohem nga mjegulla e dhimbjes.

Brenda meje fryjnë erërat e zemërimit,
që trazojnë dallgët e mendimit
Në kërkim të dritës së Amshimit!

 

Universit tonë

Befas humbas në labirinthin e gjithësisë
me vështrimin e ngulitur te deti,
në kufijtë e durimit, pritjes së gjatë,
trishtimit tim, e heshtur, pa fjalë.

Ç’sekrete fshihen brenda kësaj bote?
Pse re të zeza, dynden pa pushim?
Çfarë e turbullon Universin tonë?
… dhe enigmat mbeten memories pasqyrim.

Përzihet vargu, mes dimrit të akullt
Ajsbergut më të thellë fshihen mijëra fjalë
e unë vazhdoj vizionesh të thyera
të kërkoj pareshtur të bardhin imazh.

 

Dashurisë

Më mbaj këtë natë në krahë i dashur
të shikoj ëndrrat si zbresin në borë,
aty ku kristalet përthyejnë reflektime
e bota mbushet e tëra me verbime
Më pushto me gjithë fuqinë tënde,
por frymën e fundit mos ma merr
të prek mëngjesin që çel në thëllime
e të lundroj përjetë në të kaltrit qiej.

 

Mantel drite

Kur qielli të derdhë agimin e bardhë,
Kam dëshirë të fle mbuluar me kaltërsi,
Mbështetur kokën në nënkresat e reve,
Të humbas në gjithësi mbi mantelin e qëndisur me dritë,
E ndjekur nga vallja e erës,
Me të bukurat shpresa të lëmuara nga dielli.
Të takoj arsyen e kohërave të shkuara!
e të besoj tek e nesërmja mrekulli!

 

***
Shikoj qiellin përmes xhamave vijëzuar
nga hieroglife bulëzash mbetur shenjë loti
dhe portretin copëzuar kujtimesh
në mijëra gjurmë të kohëve heshtje.

 

Endërr…

Në ëndrrën tënde ka kohë që endem
përtej retinave të syve të tu
Të rri zgjuar
e terrët largoj për çdo natë,
e për çdo çast
me krahë engjëjsh të rrethoj shpirti im!

Kjo lumturia ime e brishtë, ka frikë se zhduket
Fle në kujtesën tënde, druhet se më harron nga pak.
Për ty, parfum i tretur në erë bëhem,
kurse ti, kënga që më bën të fluturoj lart!

 

Para se të jetë vonë

Kam filluar të mos fle më si dikur
mendoj për ty, për ne.
Nata zbret nga tjetër botë ëndërrimesh.
e unë të pres tek dritarja në heshtje.
Kur të vish, më thuaj;
të kapim bashkë kohën e humbur,
se vdekja troket me shpejtësi
e Engjëlli mbrojtës rrugën të na ndrijë
në kërkim të vetvetes, në takim yjesh,
larg zbrazëtisë asgjesuese
të na ndihë lumturia në shpirt
para se të jetë vonë,
para se nga kjo botë të kemi ikur!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s