Toka e nderit të mjaftueshëm / Cikël poetik nga Syrja Kurti

 

Toka e nderit të mjaftueshëm
 
 
 Syrja kurti 1
Cikël poetik nga Syrja Kurti
 
 
Vetëm një
 
Një druvar që nuk lodhet kurrë
si në nje profeci të kobshme
pret çdo ditë me sopatë pemët brenda shpirtit tim
për ta kthyer në një tokë pa emër
me plot gjethe të thata si prej frike të zverdhur,
ku vetmia bredh me erën përmes natës së lodhshme
për të sjellë si nga një vajtim i largët
tingujt e këmbanave të një stine tjetër të vdekur
 
Nuk di nëse do ia dal të ndal druvarin e cmendur
në veprën e tij të përbindshme,
të paktën vetëm një pemë të blertë për të shpëtuar.
 
 
 
Pandershmëri
 
Pirgje hijesh më shpallin llogarinë e mëkateve
Ja paskam mëkatuar. E çfarë pastaj?
Megjithëse nga koha janë tharë burimet e pendesës
e kanë mbetur vetëm pemët e vyshkura të shpirtrave që pëlqejnë thartësine e vdekjes,
prapë jam gati t’i shlyej nëse kam faj
mbetur rob i fateve, skllavëruar prej çasteve
si një llogari e pambyllur e jetës mes të tashmes dhe të djeshmes.
 
Ju turmë e mbledhur tinzare xhelatësh zuzarë
hordhi demonësh e lukuni ujqërish fytyrëvrarë,
më thoni kush do të rendë i pari të ulet në bankat e gjyqit për të më damkosur
kush do të më quajë heretik e do të më çojë drejt turrës së druve si mëkatar,
kush do të jetë dora që në emër të virtutit tuaj të gënjeshtërt
do të jetë e gatshme për të vrarë,
e pastaj nën aureola false shenjtorësh të vrerosur
në altaret prej guri të kohës kurban të bëni të vërtetën.
 
Nuk do të thotë që iu kam frikë pse deri tani kam zgjedhur heshtjen
por në murin e dëshirës tuaj nuk mundem të qëndroj më pa dashuri,
ndaj për të besuar në ligjin tuaj më dëshmoni një ndjenjë drejtësie
( thuajeni
e veç njëherë shkelni mbi veten),
që e vërteta më në fund të guxojë të qajë të paktën brenda shpirtrave
përndryshe kam të drejtë t’u them që para virtytit tuaj mëkati im del më i ndershëm,
e nëse iu rreshtoj me djajtë juve shenjtorëve fals nuk është më blasfemi
por sakrilegj i domosdoshëm i mbretërisë së hijeve.
 
Sozitë e fantazmave me pandershmëri prostitute
në sheshe prapë shpërndajnë pergamena indulgjencash-(1-)
për të gjetur mercenarë të rinj kryqëzatash.
 
10 janar 2017
 
(1)- Indulgjencat ishin letra kishtare që shpërndaheshin në Mesjetë, të firmosura nga Papa ose nga klerikë të lartë katolikë, me të cilat të faleshin mëkatet.Përdoreshin për të tërhequr ushtarë për kryqëzatat në këmbim të faljes së mëkateve, ose në raste te tjera shiteshin me para për t’i sjellë të ardhura kishës.paktën vetëm një pemë të blertë për të shpëtuar.
 
 
 
Ëndërr e pritur
 
Nuk do të kërkoj kurrë të këndosh një këngë për mua
as dhe një poezi të vetme mos u lodh të ma shkruash,
por do të lutem që kur të gjithë të pushojnë të më duan
të paktën ti qëndro edhe vazhdo që të më duash.
 
Kur çdo gjë të jetë kthyer në hi prej zjarreve të çmendur
e psherëtimën të më dëgjosh në mes të drunjve që digjen,
ruaje dashurinë tonë të mbetet sikur një dru i paprekur
se me blerimin e shpirtit tënd dua që të mbjell ëndërrimet.
 
Pa ty ëndrrat e mia më kthehen në iluzione të djegura
e vetëm thëngjij të shkrumbuar për të shtrënguar në duar,
rob i fateve të shpirtrave brenda pyjeve të vdekura
për të ndarë hirin me djajtë si në një marrëzi të kulluar.
 
Kur zjarret mos të kenë se çfarë të djegin më
e përqark çdo gjë të jetë kthyer në hi të marrosur,
shpëtomë me një ëndërr, të lutem më nis një
ashtu siç shpëton shugurimi një qytet të përdhosur.
 
Ndaj vazhdo të më duash që një ëndërr të më nisësh.
 
 
 
Ana tjetër
 
E pakënaqur nga ajo që shihte
dëbora me një këmbëngulje të pazakontë .
me një kokëfortësi të habitshme,
përsëri në mbrëmje kërkoi të mbulojë qytetin me të bardhën e saj,
ashtu si velloja e nusërisë mbulon edhe ndonjë difekt të vajzës.
Por s’mundi se njerëzit me një hap a gjest të rëndomtë
bardhësinë e grisën me një herezi të pamëshirshme
e sfidonjëse u kthye e zeza për të treguar pastaj
që nuk mund të pushtohet kurrë ana tjetër e natës.
 
Errësira e kënaqur rendi të mbushë krahët
me ngjyrën gri në të zezë
të gjurmëve të natës.
 
 
 
Rijetim
 
Këmishën time e hoqa për t’ia veshur një reje
një harabeli i dhashë balonën time të ëndrrave,
qiellit i dhashë poezitë e pashkruara brenda meje
detit i fala tingujt për t’i dhënë jetë zërave.
 
Pastaj nga këmbanare mjegullash të largëta
me një fill merimange u ngjita në qiell në mënyrë klandestine,
vesha shpirtin tënd për të mbushur hapësirat e zbrazëta
për t’u kthyer në mijëvjecarë të rijetoj jetën time.
 
 
 
Toka e nderit të mjaftueshëm
 
Varreza e ambicieve të mia
është në tokën e nderit të mjaftueshëm
ku njerëzit duan t’a kenë jetën dashuri.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s