Poezi nga Mirela Papuçiu

mirela-papuciu

Poezi nga Mirela Papuçiu
 
 
 
U ula sot karshi vetes
 
Nuk di pse pata mall
Ta shoh në dritë të syrit
E të kuptoj pse fshihet
Në guacken e lëmuar
Të qepallave të hapura.
Doja të shihja a do t’i rrokullisë
Vërtik mbi majat e këpucëve
Orteqet e dritës ku ka bërë shtëpi,
Apo do t’i ulet në ballë guximit
Që ia lyp miqësine tash sa kohë.
 
U ula sot karshi vetes.
Nuk e dija që mund
Të mos ma kthente kokën fare…
 
 
 
Jetoj me ikjet
 
Përdite më troket në derë ikja
Drojshëm por pa harruar
Ta shtrëngojë mes dhëmbësh
Dridhjen e buzës
Ndërsa lexon vendimin
E pakthyeshëm.
 
Përdite më troket në derë ikja
Kjo e keqe e dashur
Që më mëson të dua
Atë që është, atëhere kur është
Të mos e lë të bëhet ikje
Ta dua aq fort saqë dhe kur të ikë
Të mos ikë dot prej meje.
 
Përditë më troket në derë ikja
Si një shans për ta mbajtur…
 
 
 
Damar dheu
 
E ngjesha fytyrën pas tokës
Me baltën e saj gdhenda frymën
Nuk vdiqa më paskëtaj
Thjesht, linda si damar i dheut.
 
 
 
Duro dhe pak
 
Edhe pak, edhe pak dhe do të t’ kem hequr qafe
Nuk duhesh për shumë, ja, orët kalojnë dhe pa ty.
Vaktet shtrohen në tavolinë edhe pse s’je
Vishem me kostumin prerë për gra të mira
Për model flokësh, valvitja e grurit në arat prindërore
Në makinën e sime mëje rraha fort me tegela trasta
Që i mbush me psonitë e tregut të lirë të moralit
Kafen e pi në ballkon, me lulet e mallit për marrëzi
Si çentro bize ngrirë me niseshte,
Vendos mbi mobilje buzëqeshjet plot edukatë
 
Edhe pak, pra, dhe do të t’kem hequr qafe
O vetja ime, ti!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s