Poezi nga Rami Kamberi

rami kamberi 1

Poezi nga Rami Kamberi

 

PËR TY, QË KOHA TË DESHI, SHQIP TA PAGËZOSH

Dritëro, ti që e lexon kujtesën, brenda një fotografie
U linde, jo se të duhej koha të jetosh, por, koha të deshi, shqip ta pagëzosh
Unë, jam nga ato pena, stolisur, me ngjyra dashurie.

 

A DO TË KENI KOHË, MË PYETËN ATA…

A do të keni kohë, më pyetën ata
Që jetën, ma kërkonin për dëshmi, se vdekjen do ta kisha, harresë
Kur koka e babait tim, për toke, ra
Muajin e nëntorit, tek sheshi i burrërisë, kur fitorja, na preu në besë

Valëviteshin flamuj, parakalonte ushtria, rrugëve të qytetit, si çlirimtarë
Brohoritej, rroftë vëllazërim-bashkimi, rroftë liria
Edhe kur vriteshin plisat, me fjalën e fundit, luftonin burra, në jeni shqiptarë
Se besa, pikë e pesë, do të na mbetet Shqipëria

A do të keni kohë, më pyetën ata
Pas grillave, kur sytë shikimet i drejtuan, kah qielli, të shikonin, moti si dukej
Kur fitores së kuqe, plumbi, papritur i ra
Në lule të ballit, mes yllit me pesë rrema, ku edhe tradhtia, ndër vite strukej

A do të keni kohë, më pyetën ata
T’i shkrini kufijtë, mes e përmes Shqipërisë, të mbetur pikë e pesë, dhe sot
Kur u hap dera, e një zë, në liri je, më tha;

 

KUR DOJA TË THOSHA, UNË JAM…

Penën ma burgosën, mes katër mureve, me myshk të mbuluara
Fjalët m’i ngrinë, mes buzëve të përgjakura, nga gjilpëra
Sytë m’I lidhën, me shikimet e vdekjeve, të shtatëve të harruara

Pse pa dashje, nga goja më doli, fjala, e gurit të varrit, që më pret
Tek ara e gjatë, ku emrat i pushojnë, kokat e moteve, sot
Që nuret, mes territ i ndriçojnë, amanetet, që s’ka pushkë që i vret
Mes kullave, qepur për bese, që robërinë se durojnë dot
As mjegullat tradhti, që i çelin portat, për zjarrin që djeg e hirin e tret

Deshën të jetoja, edhe kur vdekja, donte të më merrte me vete, si kot
Me shtatin, koc e lëkurë, e kokën, që sytë u dukeshin, si poezi
Shkruar nga pena, që toka e ruan me xhelozi, si muza dashurinë, në lot

Të frikësuar nga e nesërmja, vdekja ime, të mos flet më shumë se sa liria
E hapën shtegun e daljes, ta gjeja rrugën e jetës time, pak më tej
Ku festonte robëria, ditën e fitores, që frikë i kishin qyqarët, dhe tradhtia
Ku betejën e humbën plisat, të tradhtuar nga uria, në fushëbetejë
Që rrethohej anë e mbanë, me të kuqen uniformë, që e kishte perandoria.

 

THOSHIN PËR NE, ME TERSIN E TYRE…

Të hutuara ishin xhindet, për lindjen e re
Pse emrin e kishte, në lule të ballit, shkruar
Me jazit e qitapit, që koha e ruante për fe
Si ngjyra plis, nëpër kokat, që është shënjuar
Të ndriçojnë ditëterrin, e djalleve mbi dhe

Preknin me peri, djepa, në çdo kullë malësie
Duke u ra defeve, për vallen e mallkimit
Stërpiknin me ujë xhenaze, çdo shtat dashurie

Kafshonin dhe buzët, që donin të thoshin, të dua
Nga koka në kokë, e prisnin flokun, si nishan
I lidhnin nyje, për gurët syjeshile, nëpër çdo prua
Ktheheshin përsëri, tek kullat, me def e tupan
Rrugët me lulëkeqëza, nëpër skaje, duke i pikëlua

Thoshin për ne, me tersin e tyre, ju, do të keni një fe
Se djallet e dynjasë, i keni mbi kokë, si pararojë
T’u mbrojnë nga lindja e re, që u premton, liri e atdhe.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s