Klara Buda në Francë, me “raki shqiptare” të Mitrush Kutelit – Intervistë me shkrimtaren dhe gazetaren e mirënjohur Klara Buda / Bisedoi: Raimonda MOISIU

 

Klara Buda në Francë, me “raki shqiptare” të Mitrush Kutelit

Intervistë me shkrimtaren dhe gazetaren e mirënjohur Klara Buda

 

raimonda

Bisedoi: Raimonda MOISIU

Shkrimtarja, gazetarja dhe esseist-ja, Klara Buda është një emër fort i njohur në botën shqiptare, e cila jeton dhe punon mes Parisit dhe New York-ut. Më një përvojë të konsoliduar e mbresëlënëse në menaxhimin e strukturave të mediave në Francë e SHBA-ës, deri edhe këshilltare në komunikim.

Klara Buda i jep rëndësi të veçantë lirisë së fjalës, së individit dhe lirisë të një shtypi të lirë. Krijimtaria letrare e saj si romanciere është e fokusuar në lirinë individuale dhe e të drejtave të njeriut, ndërsa shqetësimi i saj në gazetari është kultura e korrupsionit, me qëllimin e vetëm për ta denoncuar atë, promovon një gazetari në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik. Këtë lloj vizioni gazetaresk, znj. Buda e ka reflektuar në krijimin e mediave të pavarura si Beratinus TV dhe internet Gazeta KlaraBudaPost.

Me një karrierë brilante e mbresëlënëse të gazetarisë, si Kryeredaktore dhe Lektore në Radio Journalism për Radio France International, me qendër në Paris, në departamentin franko-shqiptar deri në mbylljen e këtij programacioni, në vitin 2010-ë. Gjithashtu shkrimtarja dhe gazetarja Klara Buda ka punuar për disa kohë për UNESCO-n dhe departamentin Transmetimeve britanike, Corporation BBC. Ajo ka menaxhuar trajnime të shumta në gazetari në vendet e Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në vitin 2012, ajo ishte këshilltare e jashtme, për Çështjet Ndërkombëtare dhe Mediat në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë.

Për kontributin e saj në vitin 2013, ajo u nderua me Çmimin e personalitetit «Frankofone të Vitit» nga “Organizata Internacionale e Frankofonisë” dhe MPJ të Shqipërisë. Në vitin 2015-ë ajo themeloi në Neë York, “Korporata e Diplomacisë Kulturës Shqiptare”, misioni i të cilës është të promovojë shtrirjen e kulturës shqiptare në Diasporë. Në të njëjtën kohë, ajo që ja motivon ditën znj. Buda është pasioni për letërsinë.

Krijimtaria letrare e saj si romanciere, gjithashtu është e fokusuar në lirinë individuale, Punimi i saj Universitar, biografia letrare e Mitrush Kutelit dhe përkthimi i rrëfenjës “Fshati im e pi Rakinë”, i mbrojtur frëngjisht në Ecole Pratique Des Hautes Etudes, Paris është përkthyer në shqip nga Adriana Koxha.

klara_buda

Përkthyesja Klara Buda, me “rakinë shqiptare” të Mitrush Kutelit, në 110-vjetorin e lindjes së tij, pikërisht në Francë, si punim dygjuhësh. Romani “Kloroform’, i botuar së fundmi, u vlerësua maksimalisht nga kritika e kohës.

Aktualisht, Znj Buda bashkëpunon me gazeta të ndryshme franceze dhe është kreu i TV & Film Production Studio, Beratinus, etj. Publicistika e Klara Budës është vlerësuar me Cmime kombëtare e ndërkombëtare, është vlerësuar gjithashtu edhe këtu në Amerikë. Në këtë intervistë shkrimtarja, gazetarja dhe esseist-ja Klara Buda, flet për jetën e saj mes Parisit dhe New York-ut, dhe për udhëtimin e saj të çmuar si krijuese; romanciere, gazetare, esseiste dhe përkthyese. Për më shumë ndiqni bisedën.

 

-Si u gjendët në krye të Studios së prodhimit (TV & Film Production) Beratinus?

Projekti im i krijimit të Studios Beratinus ishte më tepër fryt i një rastësie se sa një plan. Projekt im fitoi konkursin e Radio Francë Internacional dhe ju akordua “Prime de Creation “, Çmimi i Krijimit prej 20.000 Euros, është granti më i madh që akordon ky institucion publik francez si RFI-ja. Në jetën time jam drejtuar nga parimi më mirë të dish, se sa të kesh dhe e vetmja fushë ku kam financuar është dija, nëpërmjet studimit, por edhe karrierës: vend pune të cilin e kam vlerësuar, për çka më ofron intelektualisht. Kështu që, shumë më quajtën të çmendur kur vendosa me dëshirën time të largohem nga Radio Franca, pas mbylljes së Redaksisë së Gjuhës Shqipe, ky me statusin e krye- redaktores, që do të thotë një rrogë të lartë, më e lartë se mesatarja e rrogave në Francë, kisha një të ardhur të jashtëzakonshme. Në gazetarinë Franceze nëse ngrihesh në nivelin e kryeredaktorit, nuk e humb më këtë nivel edhe nëse ndryshon shërbim dhe aq më tepër që personalisht pata kontratë të përjetshme. Por, ajo që për disa ishte çmenduri, për mua ishte një hap i rëndësishëm në karrierën time. Më duhet të pranoj se ishte akt i guximshëm, pasi Franca ka një sistem të mrekullueshëm të vlerësimit dhe trajtimit të gazetarëve, që nuk e gjen në Amerikë, ku hapa studion time. Pra fakti që kisha një rrogë të mirë nuk ishte i mjaftueshëm të qëndroja në RFI, siç bëri i gjithë ekipi i Redaksisë Shqipe, të cilin unë e drejtoja. Për mua faza e radios kishte përfunduar dhe desha të shoh horizonte të reja si kinematografia, prodhimi dokumentar dhe televiziv. Kinematografia ishte diçka që ka ardhur në mënyrë të natyrshme në karrierën time. Në fund të fundit gjithshka reduktohet në tregimin e një historie dhe sa më mirë të njohësh mediumet e ndryshme, aq më lehtë e qartë, do të mund ta tregosh këtë histori me stil dhe formë universale. Mbyllja e kontratës me RFI-në koinçidoi me pranimin e projektit të skenarit të romanit “Kloroform” nga John Truby Writing Studio dhe paralelisht një vit universitar në Creative Writing, master class në skenar filmi, USA. Pra, unë zgjodha të mos integroj shërbimin Francez të RFI-së, në shkëmbim të disa dhjetramijra euro shpërblim dhe financimin e një viti universitar në SHBA-ës. RFI –ja e financoi gjithçka në këtë vit universitar në SHBA, dhe i jam mirënjohëse Radio France Internationale, për trajtimin dinjitoz, që më ka bërë, nga emërimi në krye të ekipit shqiptar dhe finacimi i ëndrrës sime kinematografike.

-Me studion tuaj Beratinus, ju keni konceptuar, drejtuar dhe prodhuar TV Shoën; “Shqipëri të Dua! Cili është objekti i këtij show?

Përmes portreteve të spikatur dhe personazheve të suksesshëm në perëndim analizohet kompleksiteti i të qenit Shqiptar, evoluimi i riteve e zakoneve tradicionale shqiptare në këto vite tranzicioni. Në këtë kontakt të fuqishëm me botën perëndimore analizohen përmes diasporës së re e të vjetër, të qenit shqiptar, “Shqiptaria e mbartur në bagazhe” analizohet me dashuri e thjeshtësi, pa tabu dhe pompozitet, pa dramaticitet dhe duke e vënë theksin në anët më të mira, që na çojnë përpara si individë e komb, duke stigmatizuar ato që na tërheqin pas, apo na mbajnë të lidhur me të shkuarën.

Gjithçka bëhet me respekt dhe humor, bëhet shaka me veten, për të relativizuar cfarë është e dalë mode dhe çfarë është e re dhe moderne në të qenit Shqiptar, në Tiranë, Paris, Neë York, Romë, Athinë apo Alaska. Si e jetojnë ethnicitetin kombe të tjerë migrante, a i reziston më fort, apo me pak identiteti shqiptar asimilimit në përgjithësi, si evoluojnë pjesë të tij?

Çfarë është e veçantë në kulturën tonë, e cila në dallon nga kulturat e tjera europiane?

Për shembull: A është rastësi që Nënë Tereza është Shqiptare apo kultura jonë prodhon nëna të mrekullueshme, pasi femra shqiptare është para së gjithash nënë!

-Dhe kjo temë është pikërisht në bazë të projektit tuaj Nënat e Guximit!

Ky është një projekt që ka për qëllim në realizimin e dokumentarit Nënat e Guximit, në zhanrin dokumentar. Një grua shqiptare shpesh sakrifikon cdo gjë për fëmijët dhe familjen e saj dhe shpesh ajo është para së gjithash, Nënë.

-Ç’mund të na thoni si filloi karriera tuaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës? Çfarë mendoni se ju ka frymëzuar për t’u bërë krijuese?

Kam filluar të shkruaj që në moshë të re, Mbaja ditar dhe në të përveçse shënimeve, pikturoja dhe tek -tuk shkruaja edhe poezi. Një numër syresh janë botuar në gazetat letrare të Shtëpisë së Pionerit. Më vonë tematika e tyre nuk ka qenë e natyrës së botimit, pasi me shpesh kanë qenë poezi satirike, për ngjarje apo objekte. Më kujtohet se në familje më tërhiqnin vëmendjen shpesh, që të kisha kujdes se mos i lexoja jashtë. Më vonë kam shkruar tregime të shkurtër, por edhe në prozë ritmi poetik ka qenë i pranishëm deri vonë; hartimet e mia pëlqeheshin, më kujtohet se hartimin përfundimtar, atë të maturës e kam shkruar tërësisht në poesi. Sa do të dëshiroja dhe sa kurioze do të isha, të mund ta lexoja, atë tekst sot.

-Isadora Duncan shkruan: Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë, megjithëse arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithçka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju?

Është e vërtetë se arti kërkon përkushtim mendor, pasion dhe inteligjencë dhe se këto faktorë të domosdoshëm për të krijuar nuk varen aspak nga seksi. Jam i një mendimi; do ta nuancoja paksa, duke thënë se çdo individ mund të jetë një artist i vërtetë, nëse ka imagjinatë, pasion, përkushtim dhe inteligjencë. Madje mund të shkoj edhe me larg duke cituar romancierin anglez i Çmimit Nobel në Letërsi, William Golding, te “Lord of the Flies”: “Unë mendoj se gratë janë të çmendura tek pretendojnë se ato janë të barabarta me burrat, ato janë shumë më superiore dhe gjithmonë kanë qenë”

kloroform-klara-buda-300x300

Duke lexuar novelën tuaj e botuar vitin e kaluar “Kloroform” vërej se ju keni një aftësi të pabesueshme të stilit tuaj në prozë, që dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër autoret femra shqiptare e klasit të parë –sipas publicistit dhe essistit Sami Milloshi dhe kritikës letrare ndërkombëtare të kohës. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?

Konstantja në shkrimin tim është qëllimi për të transmetuar një ide, për të ndriçuar një dilemë sociale, për të stigmatizuar një fenomen që shqetëson. Kjo mendoj se është një konstate në shkrimin tim në përgjithësi. Nuk sajoj historira tërheqëse për t’u lexuar,– por përpiqem të transmetoj idetë duke i vënë ato në kontekstin e duhur. Historia apo ngjarja e romanit është një mjet për të tërhequr lexuesin që e ndihmon atë në kapjen e thelbit të ideve dhe temat që trajtoj.

-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj të romanit? Sfida që u përballet me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve, ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

Eksperienca personale pasuron njohjen, por imagjinata shkon gjithmonë shumë më larg se një eksperiencë personale, madje shumë më larg se eksperienca të lexuara. Mendoj se jo vetëm eksperienca personale, por edhe e gjithë letërsia e lexuar është në “bazën e të dhënave” të autorit në momentin e konceptimit të një krijimi të ri, sado i vogël qoftë ai. Nëse një autor bazohet vetëm në eksperiencën e tij personale, vepra e tij do të ishte shumë e varfër dhe pa interes. Por eksperienca personale, personaliteti dhe veçoritë e një individualiteti krijues janë një lloj filtri, ku kalon gjithë “ari” i lexuar dhe jeta e jetuar. Jo më kot André Malraux shkruan: “ Biografia e një artisti është biografia e artit të tij ”, kjo shprehje është e dykahëshme.

-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

Romani mendoj është gjinia më e plotë për komoditetin e shprehjes; ai të lejon të shprehësh gjithçka pa asnjë kufizim, në të gjitha nivelet e mundshme; tregimi të kufizon në gjatësi dhe personazhe. Letërsia është një nga mënyrat më të fuqishme dhe të sofistikuara të transmetimit e dijes njerëzore, ajo jo vetëm që e tejkalon gazetarinë, madje ajo është më e sofistikuar se filozofia. Romani është një gjini pasi të lejon të kesh një gamë të gjerë lexuesish. Por një gjini që e pëlqej, është edhe rrëfenja në vetën e parë, apo rrëfenja shkurt, e lëvruar me art, oh sa me art prej Kutelit, babait të prozës së shkurtër shqipe. Romanit “Kloform” i erdhi koha të përkthehet në anglisht, nga eksperienca e di që gjërat nuk duhen sforcuar, por duhen bërë në kohë.

-Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?

Nuk e di nëse mund të klasifikohem si shkrimtare feministe, pasi letërsia ime nuk është një letërsi e angazhuar që i shërben kauzës feministe. Personalisht jam për barazinë e sekseve, kundër patriarkalizmit; por korrentet feministe sot i tejkalojnë këto, kryesisht në Amerikë, mendoj se i tejkalojnë ato europiane, saqë sot në Amerikë, po bëhet e vështirë të jesh burrë. Ndërsa si kohë, -po,-ajo i përket periudhës postkomuniste. Kemi të bëjmë me një letërsi e prodhuar jashtë kufijve të Shqipërisë dhe megjithë statusin tim të veçantë: të një gazetari, që e ka kaluar pothuaj gjysmën e karrierës duke trajtuar realitetin shqiptar. Unë nuk frymoj në Shqipëri prej gati 26 vite, por megjithëse nuk ndeshem me vështirësitë e ekzistencës aty, por në Paris e New York, nuk jam e huaj për realitetin e përditshëm në vendin tim, pasi ndjek nga afër revolucionin e tij. Mendoj se një temë e rëndësishme për mua është liria e individit dhe dimensionet e saj. Në mënyrë më të veçantë: rrugëtimi i vështirë drejt lirisë, i adultëve të rritur në diktaturë. Çlirimi i tyre nga e kaluara, në kuptimin e plotë të fjalës, duke e parë këtë ecje drejt lirisë personale si një akt vetjak të rëndësishëm. Një akt që është rezultat i një pune personale, që nuk mund të jetë i vetvetishëm. Me rënien e totalitarizmit, që tek ne rimonte edhe me taraf edhe me gënjeshtër, nuk ndodh si me magji edhe vetçlirimi i njerëzve të rritur e edukuar në të nga mënyra totalitare e të menduarit, praktikat jetësore totalitare. Qënia totalitare nuk vdes lehtë! Ndërkohë zgjedhjet personale janë ato të cilat ndikojnë, që njeriu të evoluojë drejt një lirie më të madhe, apo të burgoset akoma më shumë. Liria është një nocion relativ dhe liria personale, shpesh imponon edhe sakrifica. Nuk është e lehtë t’i shpëtosh joshjeve të rrugëve të lehta, të cilat janë shpesh komprometuese dhe vjedhëse, apo varmihëse lirie. Çdo akt kompromisi që bëjmë në jetën tonë, na e zvogëlon çdo herë nga pak lirinë, na i zvogëlon gradet e saj. Inspirim për mua janë individë e liderë, të cilët kanë jetuar dhe i kanë kushtuar jetën idealeve të lirisë së individit, të barazisë dhe dinjitetit njerëzor.

-Çfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?

Realiteti nuk është një materje që më intereson në vetvete, për ta paraqitur apo transformuar artistikisht. Letërsia ime ka një kahje tjetër, ajo është vendi ku tentohet të kuptohet, të analizohet e të shpjegohet rrugëtimi i individëve drejt rritjes, emancipimit, zhvillmi i tyre në përgjithësi. Në romanin Kloroform, në qendër është liria e individit dhe dhunimi i saj, ose me saktë përdhunimi i saj, sepse fjala dhunim nuk është aq e fortë sa duhet për të shprehur dhunën kundër lirisë së individit që ka ndodhur në Shqipërinë totalitare.

Përsëri te proza tuaj. Teksa i lexon të japin përshtypjen e “ngjarjeve” reale, apo duhet t’i vlerësojmë për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substancat humaniste në përputhje me interpretimin tradicional historik, të jetës, midis modernes, artit dhe filozofisë?

Nëse ngjarjet iu tingëllojnë reale, ky është kompliment shumë i madh. Ngjarjet janë tërësisht të trilluara, në kuptimin se ato që përshkruhen në roman nuk i kanë ndodhur një njeriu të veçantë, por të gjithë shqiptarëve bashkë. Simbolika është gjithmonë e pranishme, pasi mua më pëlqen të luaj me të, dhe simbolet kanë fuqi të konsiderueshme, loja me to i jep tekstit disa nivele leximi, nga ai emocional e deri tek ai psikologjik.

-A ka diçka nga jeta reale në librat tuaj? Cfarë lloj kërkimi keni bërë për to? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?

Ngjarjet që përshkruaj janë totalisht imagjinarë, (fiction), përmes tyre tentoj t’i afrohem dhe të bëj të prekshme dhunën, që sistemi ushtronte mbi individin. Kam studiuar çdo vepër të botuar mbi terrorin dhe dhunën e totalitarizmit shqiptar këto 25 vjet. Por, persekutimi i individit në regjimin totalitar është një eksperiencë që fatkeqësisht, (dhe fatmirësisht për formimin dhe analizën time), e kam jetuar së pari përmes njerëzve të famijes, por edhe timin personal. Im atë, një mjek poligot e humanist është dënuar si teknokrat në vitin 1967-ë dhe është internuar me ceremoni. Disa vite më parë nëna ime, ishte larguar nga gjimnazi dhe ishte dërguar mësuese në fshat, për veshje ekstravagante. Gjyshi nga nëna është shpronësuar dhe ka bërë burg për agjitacion e prapagandë. Im vëlla është përjashtuar nga Universiteti me akuzën për grisje të veprave të klasikëve. Unë përfundova gjimnazin me notën absolute “dhjetë”, dhe m’u refuzua e drejta e studimeve universitare dhe në vend që të shkoja në Universitet, kam punuar në ndërmarrjen e bonifikimit në Hoxharë, derisa falë një njeriu human Aleks Buda, u çova në universitet. Një shembull që asgjë nuk duhet marrë kurrë bardhë e zi – se edhe brenda atij sistemi të dhunshëm ka pasur njerëz që të gjendur për një arsye a për një tjetër në ingranazhet e tij- bënin ç’ishte në fuqinë e tyre për të zvogëluar mizorinë e sistemit.

 

1521318_467308406712973_866403962_n

-Znj. Buda, ju keni një karrierë gati 25-vjeçare gjithashtu në publicistikë, në gjuhën shqipe, angleze dhe frënge. Kam lexuar me interes të veçantë editorialët tuaj studimore, esse, trajtesa, analiza, opinione, e publikime të tjera në fushën e publicistikës. Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?

Jam rritur në një familje qytetare, që bënte pjesë në opozitën historike të regjimit, ku gjërat emërtoheshin me emrin e tyre. Im atë ishte një mjek i apasionuar pas profesionit të tij, ai lexonte në mënyrë të vazhdueshme vepra të specializuara dhe periodike të mjekësisë, kryesisht italiane. Nëna mësuese letërsie dhe historie në shkollë të mesme. Im atë kishte studiuar në seminarin ortodoks të Tiranës, dhe më pas në liceun francez të Korçës dhe ishte diplomuar për mjekësi në Sofje, Bullgari. Rridhte nga një familje e vjetër orthodokse dhe kishte kryer gjithë shkollimin e mundshëm fetar. Ishte i vetmi shqiptar që kishte formimin në teologji për t’u bërë Peshkop i Shqipërisë, në kohën kur u zgjodh Janullatosi, pas përmbysjes së totalitarizmit. Në atë kohë ka qenë anëtar i këshillit të Kishës orthodokse, por u largua, pasi nuk përputhej gjithmonë në mendim. Në vitin 1997, të dy prindërit e mi, emigruan në Francë. Ati im ishte një intelektual poligot e liberal, por mbi të gjitha, ishte njeri shumë i ndershëm. Nëna ime ka qenë shumë strikte. Integriteti ishte një nga vlerat kryesore, që kam marrë në familje. Si gazetare jam formuar në Francë, një vend ku ka rregulla të përcaktuara qartë. Konflikti i interesit mund të çojë në humbjen e kartës së shtypit dhe të ushtrimit të profesionit, por mbi të gjitha është diçka që moralisht është shumë e dënueshme, humbja e reputacionit në fusha si media është shpesh e pa-kthyeshme. Gazetarë dordolecë që shërbejnë sa majtas sa djathtas, nuk kanë jetëgjatësi profesionale, ata detyrohen ta lenë gazetarinë dhe të merren me gjë tjetër. Implikimi, në më të voglën ngjarje të paqartë mund të kushtojë shtrenjtë. Etika e gazetarit profesionist ka shtuar pjesë të tjera në personalitetin tim. Por mendoj se këndvështrimi im, shpesh i ndryshëm nga mendimi dominant, është cilësi e lidhur me një evolucion personal të të menduarit, që lidhet me shumë me një analizë të ndryshme nga të tjerët, se sa ka të bëjë me integritetin. Por është integriteti ai, që bën të thuash mendimin tënd edhe kur kjo është jashtë interesit tënd. “Liria dhe e vërteta janë dy binarët që bëjnë gazetarin, të kryejë misionin e tij të shenjtë të informimit. Çdo akt kompromisi që bën në jetën e tij, ia zvogëlon atij çdo herë nga pak lirinë e domosdoshme për mbrojtur të vërtetën. Por kurajua për ta thënë këtë të vërtetë, kur kjo përbën rrezik, është ajo që ndan gazetarët e mëdhenj nga të vegjlit. Ndan ata që ja kanë kushtuar jetën misionit nobël të gazetarit dhe atyre që livadhisin sa andej e këtej në këtë profesion: kanë zëvendësuar seksin me të shkruarin.

-Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arrini ju ta realizoni këtë në prozën tuaj?

Kjo është një pyetje shumë e veçantë dhe vjen nga njohja juaj si autore që lëvroni sikurse letërsinë edhe publicistikën. Vetëm një njohës i mirë i të dyjave mund ta bëjë këtë pyetje. Mendoj se letërsia dhe publicistika janë dy kahje të ndryshme në gjuhë. Ndërsa letërsia e mirë e zhvillon dhe e përpunon frazën, e bën atë të dykuptimtë, mes dy kuptimeve, apo shkon më tutje dhe e bën shumëdimensionale, gjuha publicistike ecën në kah të kundërt, ajo tenton drejt thjeshtësimit, në favor të qartësisë. Nëse ambiguiteti, dykuptimësia në fiksion është vlerë, në publicistikë ai është dobësi. Publicisti dhe autori i fiksionit shpesh duhet të “xhonglojë” mes këtyre dy kahjeve. Janë dy ushtrime krejt të ndryshme. Ndërkohë profesioni i gazetarit është i pa zëvendësueshëm për të pasuruar fiksionin. Askush më mirë se një gazetar profesionist nuk e rrok aq shpejt aktualitetin, instikti i gazetarit që fitohet nga praktika e profesionit është përparësi kundrejt autorëve të fiksionit.

-Znj. Buda, ju jeni edhe përkthyese, dhe keni përkthyer disa libra, kryesisht në shqip e gjuhën frënge. Çfarë ju ka shtyrë t’i përktheni ato? Cilët janë autorët dhe titujt e tyre? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e tyre?

Duke punuar në një redaksi shqipe në perëndim, përkthimi është një ushtrim i përditshëm dhe më është bërë shprehi, apo rutinë. Ndryshe qëndron puna me përkthimin letrar. Këtë e kam ushtruar në kuadrin e studimeve Universitare në Histori Arti, në Francë. Gjatë programit kemi punuar për përkthimin e kanunit të Lek Dukagjinit në frëngjisht, që e ka përkthyer drejtuesi i tezës sime mbi Kutelin, latinisti dhe albanologu i mirënjohur Christian Gut. Në këtë kuadër për të bërë të mundur studimin e Mitrush Kutelit, m’u desh të përktheja rrëfenjën “Fshati im e pi Rakinë”. Ekzistonte një përkthim shumë i dobët në frëngjisht i novelës Vjeshta e Xheladin Beut, nga Luan Gjergji, një pseudonim, dhe që i kishte mbyllur “derën” e përkthimit të veprës së Kutelit në Francë. Duke pasur parasysh këtë përkthim Ecole Pratique Des Hautes Etudes, e hodhi poshtë, si jo interesant studimin e veprës së Kutelit. Por unë nuk u tërhoqa, këmbëngula se përkthimi ishte shumë i dobët dhe e cënonte vlerën e veprës, kështu që propozova të përkthej një novelë tjetër të Kutelit. Ata pranuan dhe përmes stilit të kësaj rrëfenje e binda komisionin, që të pranonte studimin e Kutelit në një Universitet francez. Kjo rrëfenjë madje edhe është dramatizuar dhe është vënë në skenë në Normandi të Francës, një zonë ku prodhohen pijet calvados, që është një lloj rakie molle. Tema e studimit është: Biografia Letrare Mitrush Kutelit dhe përkthimi i rrëfenjës “Fshati im e pi Rakinë”. Në këtë punim Universitar mbi Mitrush Kutelin jam drejtuar nga Profesor Christian Gut, një albanolog i njohur anëtar i akademisë së Shkencave të Kosovës dhe prof. Remzi Përnaska, ka qenë një nga oponentët. Punimi është përkthyer në shqip dhe tashmë doli edhe në frëngjisht, në sesionin dimëror letrar francez, është një rrëfenjë tipike për procedenë e veçantë të Kutelit, atë të stilit të tij oral (ligjërues) dhe ngjashmërinë me Baladën, sipas konceptit të ethnografeve gjermanë. Por sa herë që kam tentuar të merrem me ndonjë përkthim, është gjithmonë shkrimi letrar, që ka thithur gjithë energjinë, pasionin dhe interesin tim. Ndjehem më e plotësuar tek shkruaj, se sa kur përkthej.

-A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

Po kam shkruar disa skenarë. “Nënat e Guximit”, është një prej tyre, si dhe skenarin e romanit “Kloroform” për të cilin kam punuar gjatë një viti universitar në “creative writing” në Amerikë. Kam në dorë skenarin mbi jetën e gjyshit tim në Amerikë, kthimin në Shqipëri, shpronësimin nga regjimi totalitar dhe dënimin me burg për agjitacion dhe prapagandë. Skenari është një shkrim i pasuruar me elementët teknikë të xhirimit dhe të planeve filmike. Në prozën time ka shumë imazh dhe është e lehtë, që me tekstet e mija të bëhen skenarë filmash. Shkrimi i skenarëve ka qenë një ushrim pasurues për stilin tim në prozë. Madje, pas punës së thelluar të shkrimit të skenarit të romanit “Kloroform”, vetë romani, është bërë më i ajrosur dhe më pak hermetik. Skenari i filmit është një shkrim që imponon thjeshtësim të gjuhës, pasi personazhet e filmit flasin në aksion dhe detyrimisht shkurt e konkretisht. Respektimi i këtyre elementëve kur shkruan roman, ndihmon për zgjerimin e gamës së lexuesve, por jo detyrimisht e rrit cilësinë e prozës.

-Dhe kjo temë është pikërisht në bazë të projektit tuaj Nënat e Guximit..? Ju gjithashtu keni themeluar Shoqatën Albanian Cultural Diplomacy që e lançoi këtë projekt., ç’mund të na thoni për këtë?

Ky është një projekt që ka për qëllim në realizimin e dokumentarit-Nënat e Guximit. Gruaja shqiptare shpesh sakrifikon çdo gjë për fëmijët dhe familjen e saj

Nuk është rastësi që Nënë Tereza ishte shqiptare, sakrifica e nënave shqiptare është produkt i kulturës shqiptare dhe traditës në tërësi. Nënat e mrekullueshme, “Prodhimi”, më i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore.

-Në punën tuaj si përkthyese, a e ka nxitur përkthimi i tyre ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin tuaj të të shkruarit?

Përkthimi është një ushtrim i mirë për disa arsye. Duke përkthyer një vepër ju i bëni asaj një lexim shumë të thelluar dhe mësoni nga struktura e saj, shumë më tepër se sa një lexim, qoftë edhe ma laps në dorë. Përkthimi të pasuron shumë, jo vetëm në gjuhën të huaj, sepse nevoja e përkthimit të bën të kërkosh fjalë e shprehje, që nuk i njeh, por nga ana tjetër meqë gjuhë të ndryshme nuk janë njëlloj të pasura për fusha të ndryshme semantike atëhere përkthimi të ndihmon të pasurosh atë gjuhë, që është më e varfër në një fushë të caktuar. Në këtë optikë përkthimi e ndihmon krijuesin duke i ofruar atij një kuptim më të mirë të veprave që ka përkthyer, gjë që ndihmon edhe strukturimin apo pasurimin e veprave të tij të mirëfillta. Kemi përkthimin “Polivalente”, apo ndryshe, përkthimi i destinuar për radio dramatizim. Kam përkthyer dhe përshtatur në shqip një seri 60-ë emisionesh, të mësimit të frëngjishtes për shqiptarët: “L’affaire du coffret” ( Çështja e Sëndukut), histori me gjueti thesari në botën franceze magjepëse, të pasur dhe realiste, e cila është perlë për çdo vizitor të huaj në Francë dhe përballet me leksikun urban dhe frëngjishten kulturore. Gjithashtu, personalisht kam qenë përgjegjëse për Kastingun dhe radio dramatizimin e këtij ciklit. Theatri është një nga pasionet e mija. Ky pasion së bashku me atë të radios dhe mundësinë e bashkëpunimit për radiodramatizimin e kurseve të frëngjishtes, në ciklin « L’affaire du coffret”, me mbështetjen dhe bashkëpunimin me aktorin e mrekullueshëm Arben Bajraktaraj dhe Cecilia Plasari.

-Znj.Buda ju jeni në Bordin e Pen America/Free Expression Literature me qendër New York. Si e shihni kontributin tuaj në të?

PEN America është shoqata prestigjioze e shkrimtarëve amerikanë, ajo është e përkushtuar në Free Expression në letërsi dhe gazetari. Qëllimi i saj është të promovojë dhe të mbështesë lirinë e shprehjes si dhe të mbështesë kolegët që ndeshin vështirësi në ushtrimin e profesioni të tyre në vende ku kufizohet liria e shprehjes në mënyrë të hapur apo të fshehur. Kontributin tim në lirinë e shprehjes në letërsi dhe gazetari e konsideroj si një detyrë qytetare. Po ashtu e quaj edhe mbështetjen e kolegëve të persekutuar në vendin e tyre, për shprehjen hapur të mendimeve në shkrimet e tyre.

– Me sa di unë si një dashamirëse e artit tuaj krijues, kini realizuar dokumentarë, skenarë që kanë patur jehonë në Paris dhe New York, por dhe mjaft të vlerësuar nga kritika botërore. Çfarë ju ka tërhequr dhe si kini arritur t’i realizoni ato”?

Reportazhi radiofonik ka qenë pjesa kryesore e punës sime gjatë gjithë kartierës si gazetare në Radio France Internacional. Së fundi kam punuar në një cikël reportazhe televizivë, me autorë të cilët përpiqem t’iu rrëmbej pjesën e pashkruar të veprave të tyre. Çdo autor ka një dimension të cilin nuk e gjen në veprën letrare, dhe dokumentari në formë interviste tenton pikërisht të zbulojë këtë anë të pa thënë të këtyre autorëve.

– Çfarë mendoni për statusin aktual të kritikës. A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

Unë mendoj se totalitarizmi në letrat shqipe nuk është përmbysur! Dhe se në letrat shqipe ka shkrimtarë të mrekullueshëm, por ata që të rriten në përmasa botërore, duhet të çlirohen nga frika, të heqin servilizmin si mënyrë ekzistence dhe të distancohen nga “princat e letrave shqipe” dhe të pushojnë së qëni ende servilë e adhurues të tyre, të heqin dorë nga përkatësia klanike dhe t’i kushtohen tërësisht lexuesit.

-Çfarë ju pëlqen e çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj të përditshme?

Më pëlqen pjesa e krijimit, por kam dëshirë të delegoj çdo punë tjetër, kur kjo është e mundur.

-Në ditët e sotme tradita e realiteti “përzien” me vlerat fetare. Si romanciere dhe publiciste, pra si autore femër, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera?

Pranimi i diferencës dhe i tjetrit si i barabartë me ty, është pjesa e mirë e marrëdhënieve njerëzore, mospranimi i tjetrit dhe i kulturës së tij ose konsiderimi i kulturës së tjetrit si kulturë inferiore krijon konfuzin dhe madje tension e konflikt në marrëdhëniet njerëzore. Unë mendoj se nuk ka një kulturë. Kultura perëndimore është një kulturë e vlefshme, por jo superiore. Të gjithë kulturat kanë vlerën e tyre.

-Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit klaneve hipokritëve dhe inferioritetit maskilist?

Shoqëria shqiptare ka ende tipare të theksuara maskiliste. Sigurisht që jo vetëm femrat por edhe meshkujt e emancipuar nuk ndjehen mirë në këtë lloj mjedisi. Madje edhe në rrethet intelektuale kjo është shpesh e pranishme, nuk ka një kulturë të barazisë të sekseve. Nuk ka një barazi që të mësohet në shkollë, nuk ka ende një barazi të sekseve në familje, nuk ka një letërsi që ta promovojë këtë barazi të sekseve; femra shihet ende si objekt. Nuk ka një respekt të femrës si partnerë në punë, në bisznes. Një femër duhet të ketë një burrë, një të dashur, duhet të ketë një prezencë mashkullore, që të merret seriozisht. Ka vetëm një stereotip të vlerësuar: femra e martuar dhe mundësisht nënë. Çdo femër përfundon herët a vonë në këtë stereotip, në martesë qoftë edhe të stisur në fund të rinisë sepse është shumë e vështirë t’i dalësh kundër modelit dominant të pranuar unanimisht nga të gjithë. Nuk aprovohesh, nuk “votohesh”, po qe se je një beqar apo beqare e vonuar. Duhet të kesh domosdo familje, vlera e individit në vetvete nuk mjafton.

Si shkrimtare e publiciste, cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe demokracinë në vendin tonë?

Demokracia është një sistem që ka gradë dhe këto gradë varen nga niveli i mesatares së popullsisë. Nga vetë fjala pa dashur të zgjatem në etimiologji, demokracia vjen nga Demos – popull dhe cratos – pushtet. Duke u nisur nga kjo është evidente se pushteti që populli ushtron, ndryshon dhe varet nga niveli i ndërgjegjes së popullit në fjalë. Me kujtohen zgjedhjet e lira të pasluftes në Afganistan. Një shoqatë franceze jo qeveritare kishte zgjedhur të punonte për tu shpjeguar demokracinë popullatave, në disa zona analfabete përmes pikturave. Kjo bëri shumë bujë atëherë dhe aksioni i tyre u quajt shumë i sukseshëm, pasi nxiti një numër njerëzish të shkojnë dhe të votojnë. Por nga akti i votimit, në zgjedhjen e përfaqësuesit adekuat, dhe në ushtrimin e kontrollit mbi këtë të zgjedhur, është një det i tërë. Po qe se do të ishte kaq e thjeshtë, atëhere do të ishte e mundur, të themi që gjithë informacioni i viteve lumierë në Francë mund të deshifrohej, përmes pikturave dhe skicave. Ka një ndryshim thelbësor në mes një popullsie që ka studjuar në shkollë Volterin, Dideronë, Tocquville në perceptimin e demokracisë dhe të një popullsie të cilëve u është shpjeguar demokracia me piktura apo skica, pra si pasojë ka një demokraci franceze dhe një afgane, ndryshimi në mes tyre është ndryshimi mes niveleve të popullsive të tyre. Mendoj se nuk mund të ketë vetëm një demokraci standarte. Në mënyrë proporcionale me letrimin, ndërgjegjësimin e popullsisë pason edhe grada e zhvillimit dhe e aplikimit të demokracisë. Demokracia shqiptare është e re, ajo ka një rrugë të gjatë përpara. Atë po e minojnë përditë e më shumë politikanët e papërgjegjshëm e të korruptuar. Mungesa e demokracisë brenda partive kryesore është treguesi i parë për nivelin e demokracisë shqiptare. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008-ë e kanë theksuar mentalitetin klanik në drejtimin e partive dhe kanë penguar demokratizimin brenda partive dhe në përgjithësi në gjithë vendin. Ndërsa për pushtetin, për partitë politike, mendoj se ne kemi politikanë të papërgjegjshëm dhe partitë politike janë klane që qeverisen me rregullat arkaike të klanit dhe jo me statusin e partisë. Është evidente që në shkallë të gjerë mendohet, pranohet se postet janë mënyra për të siguaruar të ardhuar personale, të grupit e të klanit. Nuk ka një ndërgjegjësim se populli është sovrani, dhe se çdo i zgjedhur duhet t’i shërbejë publikut.Nga ana tjetër dhe më kryesorja, niveli i politikës; tregues i kulturës së përgjithëshme të popullit. Është llogjikë e thjeshtë nëse ka politikanë që gënjejnë, persona publikë që gënjejnë; teorikisht ky është përfaqësim i përhapjes së këtij vesi në popullsi, që do të thotë nëse politikanët gënjejnë, detyrimisht edhe shqiptari i thjeshtë, po ashtu. Pra kemi përkthimin e gabuar të demokracisë proporcionale në stilin partiak Shqiptar. Nëse guxon të flasësh për këto të quajnë naiv; madje, shkohet më larg, dhe në brendësi të partive shkohet deri aty sa në bazë të numrit të votave nuk llogaritet vetëm numri i deputetëve, që hyjnë në parlament, por edhe sa vende pune proporcionalisht në administratë do të fitohen. Kjo është kulmi! Perceptimi më absurd i demokracisë që kam dëgjuar ndonjëherë; Kulti i Individit. Qënia totalitare nuk vdes lehtë. Kjo duket rëndom në shoqërinë shqiptare. Pothuajse tvetë liderët partiakë riprodhojnë skema totalitare që i kanë parë në jetën e tyre në familje apo në eksperiencën e tyre në shoqëri, kulti i individit është praktikë e zbatuar rëndom. Mjafton të shikoni sitet internet të ministrive, nuk ka ekipe që përmenden, nuk ka foto të takimeve të ekipeve-por vetëm titullari; Vjedhja Albanian Style!

-Pse shkruan Klara Buda…?

– Të shkruarit është një pjesë e rëndësishme e ekzistencës sime dhe një nevojë vitale ekuilibri. Unë e kam pasur të domosdoshme të hedh në letër mendimet që në kohë shumë të hershme dhe kam zhvilluar një formë personale të të menduarit apo të analizës së problemeve, që më duhet të zgjidh e që mbështetet tek analizimi i tyre përmes shkrimit. Ky i fundit shërben për të vënë rregull në kokën time dhe është e vetmja formë që kam gjetur për të frenuar shpejtësinë e mendimit, por dhe ruminimin mendor ( sjelljen nëpër mend të një problemi të shtruar për zgjidhje). Të shkruarit është për mua një parcelë lirie, që më ndihmon të krijoj një botë sipas këndvështrimit tim. Kam ushtruar pra të shkruarin analitik gjatë gjithë jetës sime adulte dhe stë shkruarit letrar erdhi si nevojë për të komunikuar në një nivel më të lartë, sipërore, mundësi të cilën ta jep vetëm letërsia. Por ka ardhur edhe si përgjigje personale ndaj individëve, që kanë ndihmuar me sjelljet e tyre në skicimin apo krijimin e personazhet e mij.Sa herë që ndodhem përpara një sjellje jo humane, intrigë, keqësie, e ngushëlloj vetëm se ky rast me dha një personazh apo një histori për të shkruar. Unë kam një shprehje personale, të cilën ia them vetes me zë të ulët, sa herë që ndodhem në një debat / diskutim të pamundur: “Përgjigja është letërsi”, pra kam nevojë për një ekstragim të çështjes a problemit në fjalë përmes letërsisë, është një formë personale ekzistence.

– Jetoni mes Amerikës dhe Parisit, çfarë iu lidh me Tiranën?

Dhimbja deri në asht për vendin tim. Dëshira për të ndihmuar në progresin e shoqërisë shqiptare, në emancipimin e shoqërisë, në edukimin e brezit të ri. Në krijimin e një shtrese të intelektualëve publikë jashtë klaneve dhe partive politike. Në shëndetësimin e mediave që janë ende partiake, klanike dhe disa herë të kapura. Në zhvillimin e shtypit të lirë në shërbim të publikut i cili është sporadik dhe pa mbështetje. Edhe vetë kam themeluar Klara Buda Post, gazetë etike. Është e pa-imagjinueshme mënyrat që përdoren për të sabotuar aksionin e shtypit të lirë e të pavarur, këtë e kam provuar me shembuj personalë!

-A ka ndonjë ngjarje në jetën tuaj së cilës ia sheh gjurmët edhe sot?

Ngjarjet, të cilat e skalisin një karakter në jetë, janë të shumta, por do të veçoja një, e cila ka ndikuar jashtëzakonisht fort në karakterin tim dhe ka bërë që të respektoj çdo njeri pavarësisht nga pozicioni në të cilin ai ndodhet në një moment të caktuar dhe të mos e gjykoj apo paragjykoj. Pas përfundimit të shkollës së mesme, nuk m’u dha e drejta e studimit, megjithëse për nga rezultatet e meritoja plotësisht atë. Së pari ka qenë drama e parë në jetën time, një studente me të gjitha dhjeta në çdo lëndë dhe për 4 vjet rresht, e propozuar për medalje ari, ishte një goditje. Kam punuar një vit në ndërmarrjen e bonifikimit të Fierit, si punëtore në mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit të kënetës së Hoxharës. Aty kam punuar me ish të burgosur politikë, që e kishin kaluar jetën në burg dhe në punë krahu. Unë në jetën time 17 vjeçare kisha qenë shembullore dhe nuk kisha bërë asgjë për të mërituar punën e detyruar pa pagesë. Ritmi i atij viti pune, zgjimi në orën 4 të mëngjesit dhe kthimi vonë në darkë, ka ndryshuar rrënjësisht konceptimin tim për punën dhe njerëzit. Atë vit nuk kam lexuar më pak se në cdo moment të jetës sime. Lodhja fizike ishte e tillë që nuk kisha më energji për asgjë tjetër. Kjo më mësoi, se pavarësisht nga dëshirat, kushtet në një moment të caktuar janë vendimtare, për qenien e individit dhe se në segmente të ndryshme të jetës, kjo është pak a shumë e vërtetë për gjithkënd. Para se të shkoja atje, bota jashtë dijes nuk ekzistonte për mua, dhe një njëri i palexuar ishte për mua një “krriç” që meritonte përbuzje. Porse atë vit të vështirë unë u ktheva vetë, në një “kërriç”. Nuk kisha kohë të lexoja as gazetën, sepse vija e vdekur prej pune. Mësova se ka edhe vlera të tjera që e bëjnë një qenie të mençur dhe se jeta është një eksperiencë që në mos e zëvendëson librin, e shoqëron fare pranë atë. Se kushtet në të cilat ka kaluar një jetë janë predominuese, dhe se njerëzit nuk mund t’i paragjykojmë se sa dinë. Se ka më shumë vlerë dikush që, atë pak që di, e ka të shoqëruar me nder dhe integritet, se sa dikush që e ka kaluar gjithë jetën duke lexuar dhe duke u informuar dhe ka një nivel të kënaqshëm intelektual por jo moral, në kushtet se ka bërë gjithë kompromiset apo shkeljet e mundshme për të arritur tek ai nivel.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s