RAIMONDA MOISIU, ME DISA YLBERE, NË “QIELLIN” TONË LETRAR… / Nga: Prof.Murat Gecaj; publicist e studiues

RAIMONDA MOISIU, ME DISA YLBERE, NË “QIELLIN” TONË LETRAR…

Nga: Prof.Murat Gecaj

        publicist e studiues

 

raimonda

1.

Raimonda Moisiu, me origjinë nga Korça, është poete, shkrimtare, publiciste dhe veprimtare e njohur, në Bashkësinë Shqiptare të Nju Jorkut, në SHBA. Ajo kryen aty edhe detyrën shoqërore, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Tashmë, lexuesit e interesuar janë të njohur me disa botime të saj, të cilët shquhen jo vetëm për vlerat letrare e publicistike, por dhe për ato atdhetare, pra për dashurinë e respektin për vendlindjen, për Shqipërinë.

Po të hapësh skedarin e Bibliotekës Kombatare, në kryeqytetin tonë, por dhe po të kërkosh në librari e biblioteka, do të gjesh disa botime me vlera të disaanshme, që mbajnë emrin e autores Raimonda Moisiu. Pr të shumtë janë dhe titujt e librave, që ajo ua ka dhuruar me dashamirësi, për bibliotekat familjare: të afërmve, kolegve e miqëve dhe lexuesve të tjerë.

Duke kërkuar ndjesë, nëqoftëse nuk është e hedhur në skenadrë ndonjë nga librat e saj,(shkrimi shoqërohet me ballinat e librave të Raimonda Moisiut), po i përmendim ata, sipas viteve të botimit:

1.“Jeta mes dy dashurive”(publicistikë, tregime e proza tjera), Tiranë, 2006;

2.”Dashuria nuk ka emër”(poezi), Tiranë, 2007;

3.”Pafajësia e Evës”(roman),Tiranë, 2009;

4.”Sikur s’më ke puthur kurrë!”(poezi), Tiranë, 2009;

5.”Letrat shqip, këtej e përtej Atllantikut (Intervista), Tiranë, 2010;

6.”Maska e intelektit”(Esse, shkrime publicistike), Tiranë, 2011;

7.”Lulëkuqja e egër”(poezi), Tiranë, 2011;

8.”Gjëmimi i moshave”(tregime), 2011.

Gjithashtu, Raimonda është bashkautore, në disa libra të tjerë.

r-1

Ballinat e librave, me autore Raimonda Moisiun…

Këto ditë, na ka tërhequr vëmendjen edhe botimi i një shkrimi të Raimonda Moisiut, në nderim e kujtim të shkrimtarit tonë të madh, Dritëro Agolli, i cili është publikuar, në shtyp dhe në faqe të ndryshme të Internetit.

E urojmë dhe e përgëzojmë këtë kolege dhe mike bashkatdhetare, për të gjitha botimet e saj, si dhe për veprimtaritë e palodhura, që zhvillon në Amerikë, por dhe kur kthehet në  vendlindje, në Atdhe.

Me këtë rast, po ribotojmë një shkrim të pak viteve më parë, i cili flet, shkurtimisht, për tre libra të Raimonda Moisiut.

Tiranë, 10 shkurt 2017

2.

“Pak ditë më parë, ishte në Tiranë, në Korçë…Por, si papritmas, ajo iku dhe u duk, se “u zhduk”!?…Por, vetëm sa kapërceu Oqeanin Atllantik, pra jo shumë larg apo jo? (ha,ha) Se donte të ishte nën qiellin e kaltër të një pjese tjetër të madhe të botës. Ndërsa, la pas siluetën e saj buzagase, la në vendlindje e në Atdhe, dashamirësinë e sinqeritetin e vetë. Po na la edhe diçka tjetër. Dikush, mund të pyesë: “Pa, na thuaj, çfarë la më tjetër, në Tiranë, Monda jonë?” Atë dhuratë e morën disa veta, kolegë të saj. Por atë e kam edhe unë. Ja, me që ndonjëri është më tepër kureshtar, po e them që në krye: Janë tre libra të rinj, janë tre ylbërë, në“qiellin” e krijimeve të pasura dhe të bukura të Raimonda Moisiut.

Që lexuesi i këtyre radhëve të krijojë një përfytyrim sa më të plotë, është mire, që ato të paraqiten me anën e shkrimeve të veçanta. Pra, të tregohet përmbajtja, të jepen pasazhe e nuanca të freskëta të tyre.Të flitet edhe për përmbajtjen, gjuhën e figurat e përdorura, për skalitejn e frazës e të vargut.Të ndalemi në vlerat atdhetare, edukative, artistike, shoqërore etj. Mirëpo, a e dini se unë, kësaj here, nuk e bëj dot këtë gjë? Prandaj,vetëm sa po i përmendi titujt e këtyre librave të rinj dhe po them, shkurt, diçka për to.

Po ia nisi me radhë, me tre libra, njëri më i arrirë se tjetri dhe me emra të zgjedhur.

1.Libri i parë

Autorja ose botuesi, i kanë zgjedhur këta vargje, që i kanë venë në kopertinën e fundit:

…Dikush  po na përgjon,

si puthemi ne të dy

dhe shkruan pa na thënë:

Asgjë mua, asgjë ty!

Dikush përgjon, si puthet,

një vajzë me një djalë…

Vajza, ardhur nga Hëna;

Djali, nga Parajsa ka dalë…

Është libri i tretë i kësaj autoreje, në poezi, pas atyre: “Dashuria ka një emër” dhe “Sikur s’më ke puthur kurrë”, bashkë me katër libra të tjerë, ku është bashkautore. Për ato, Monda ka marrë çmim të pare, në “Netët Ballkanike” dhe çmim të pare, nga redaksia e Gazetës “Nositi”.

Në përmbledhjen e re, në  190 faqe, janë publikuar 42 poezi shqip, 15 anglisht, 5 italisht e 2 greqisht. Në mbyllje janë vendosur vlerësimet e krijimeve në poezi, të R.Moisiut, nga: Fatmir Terziu, Pëllumb Gorica, Vangjush Ziko e Arqile Gjata.

2.Libri i dytë

Duke provuar gjininë e tregimit, përsëri R.Moisiu ka në epiqendër dashurinë, këtë ndjenjë të bukur dhe të përhershme njerëzore. Në ballë të tyre prinë tregimi, aq i njohur për ne, ”Kali i Princeshës”. Pastaj vijnë, me radhë, tregime interesante: “Gjëmimi i moshave”, “Fustani i bardhë”, “Sytë e Anës”, “Nepsi i epshit”, “Puthja e fundit”, “Dashuria e Evrehesë”, “Ekstazë mbi Oqean” , “E virgjër, në tjetër botën e saj”, “Përdhunimi” e të tjerë. Disi “fshehur”, mes titujve të tregimeve, është dhe skica aq e frymëzuar, shkruar me dhimbje për humbjen e mbesës së Mondës,”Luajmë bashkë, Greisa!”. Por janë dhe shkrimet rreth krijimeve e botimeve të Fatmir Terziut, Mëhill  Velajt, Petraq Zotos, Ivzi Çipurit, Irena Gjonit, Remzi Bashës, Artan Mullajt e Monika Cepës.

Libri mbyllet me shënimin e Jorgo Telos për poemën e R.Moisiut “Në aeroportin e vetëm të Atdheut” dhe me një intervistë të Fatime Kullit, përmes të cilës zbulojmë anë të ndyshme të jetës dhe personalitetit artistik e krijues të Raimonda Moisiut.

3.Libri i tretë

Në librin e tretë, janë botuar mjaft ese dhe shkrime publicistikë. Se të gjithë ne e njohim R.Moisiun, për shkrimet e saj të zhdërvjellta, me gjuhë të pasur, me prekje në “telat e zemrës” së personazheve të saj etj. Janë 33 shkrime të tillë, në një libër me  180 faqe. Aty flitet edhe për ngjarje e krijues të njohur shqiptarë, në Amerikë. Të tillë janë: Fan Noli, Vlash Fili, Kostaq Duka, Mëhill Velaj, Riza Lahi e Roland Gjoza e Kozeta Zavalani.

Na tërheqin vëmendjen dhe shkrimet e frymëzuara të saj, gjatë vizitave në Atdhe, si për “parlamentarët e Fterrës”,  për “Netët poetike korçare”, për kantautorin korçar Nonda Kajno dhe artisten Jorgjeta Lalzi, që “e lë Korçën pa gjumë”. Por, syrit dhe penës të kësaj publicisteje të talentuar nuk i kanë shpëtuar as nënat e gratë shqiptare, disa nga të cilat u martirizuan nga shteti monist në Shqipëri, ndër të cilat ishte dhe Musine Kokalari. Në reportazhet e autores preken dhe çështje të ndryshme shoqërore etj.

Në përfundim të këtij libri janë shkrimi i Erget Cenollit, për publicistikën e R.Moisiut dhe i Justin Stock (anglisht).

…Në mbyllje të këtyre shënimeve, për tre libra të Raimonda Moisiut (sepse ajo ka dhe mjaft të tjerë), koleges e mikes sonë të mirë, por dhe shkrimtares dhe poetes së njohur, po shënoj dhe një “sekret” të saj. Ajo, së shpejti, do të publikojë në Tiranë dhe librin me mjaft intervista të shkrimtarëve, poetëve e publicistëve, me titullin domethënës “Letrat shqipe, këtej & përtej Atllantikut”. Sigurisht, atë e pres me kënaqësi të veçantë, pasi aty është dhe një intervistë, që ajo më mori, pak kohë më parë. Por Monda ka shënuar në faqen e kopertinës së fundit dhe titullin e një romani, “Pafajësia e Evës”.

Pra, le të presim, që t’i kemi sa më parë në dorë dhe këto krijime të bukura të saj. Ndërsa, në  përgjithësi, e urojmë dhe e përgëzojmë atë, si për këta libra e tërë krijimtarinë e saj dhe dëshirojmë që Raimonda Moisiu të vijojë pa u ndalur në udhën e krijimit, duke mbetur e pakapshme, në “qiellin” letrar shqiptar!”

(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Për ju krijuese…”, faqe 149-151, Tiranë, 2015)

Flogerta Krypi

Flogerta Krypi     Kam lindur ekzaktësisht 204 vjet pas revolucionit francez në orën 11 pa pesë, në të njëjtën kohë kur ka filluar revolucioni. Liri, barazi, vllazëri, kjo ishte motoja që shoqëroi një ndër lëvizjet më të mëdha që … Continue reading

Zamira Agalliu

Zamira Agalliu     Zamira Agalliu ka lindur në qytetin e Vlorës. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme studioi për Shkenca Humane 3+2 paketa e Bolonjës, master profesional në Edukim. Fillimisht do punonte në arsim si mësuese, më vonë në … Continue reading

Poems by SWANSH

Poems by SWANSH   A Poet’s Inner Child A walk down my journey so far Thoughts embracing unknown lands Some obscure lanes of old memories Some strange coincidences of Déjà vu Sometimes crisscrossing expressions Sometimes debilitating the focuses Like a … Continue reading

Flet Kryetarja e Shoqatës Kulturore-Atdhetare Shqiptare “12 qershori” në Austri, Rolanda Limani / Bisedoi : Albert Z. ZHOLI

  Flet Kryetarja e Shoqatës Kulturore-Atdhetare Shqiptare “12 qershori”  në Austri, Rolanda Limani – Motua dhe qëllimi i shoqatës tonë është ruajtja e indetitetit kombëtar,  mos asimilimi i gjuhës shqipe dhe mos humbjes së traditave apo zakoneve – Shoqata “12 … Continue reading

EDHE I VDEKUR ARMIKU HAVZI NELA I MBAN SYTË NGA JUGOSLLAVIA (fragmente nga libri im në proces për Havzi Nelën) / Nga Rexhep SHAHU

EDHE I VDEKUR ARMIKU HAVZI NELA I MBAN SYTË NGA JUGOSLLAVIA

(fragmente nga libri im në proces për Havzi Nelën)

 

Rexhep shahu

Nga Rexhep  SHAHU

Natën e 10 gushtit 1998 e varën Havzi Nelën në dalje të Kukësit, pranë sheshit të axhensisë së udhëtarëve, në vendin më të populluar me njerëz.

Të nesërmen në mëngjes shokët e partisë e të pushtetit të Kukësit shkojnë ta shohin armikun e varur. Nuk pipëtinte asgjë rrotull. Qetësi.

Pëshpëritje nuk dëgjohen aty rotull. Ndoshta dy Drinat, i Bardhi e i Ziu, fëshfërijnë.

E shihni, edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia, tha njëri nga shokët e partisë, si për ta bindë veten e tij dhe të tjerët se është bërë mirë që partia e vari këtë armik të popullit.

Këtë fjalë e mori era dhe ma ruajti mua gjithmonë. E dëgjoi ndonjë zog i trishtuar këtë fjalë dhe edhe zogu iku larg, sa më larg armikut dhe shokut të partisë.

Havzi Nela i varur në litar, me këmishë të zbërthyer e me bark jashtë, nuk e dëgjonte dot shokun e udhëheqjes së partisë. Havziun që lëkundej në litar era e kishte sjellë nga kishte dashtë ajo.

Era, ajo e liga erë që frynte fllad, fllad gushti, fllad natë gushti, ia kishte kthye fytyrën nga Kosova, të cilën shoku i udhëheqjes së partisë e quante Jugosllavi. Se shoku i udhëheqjes së partisë nuk e dinte as donte ta dinte as ta pranonte as ta ndjente Kosovën, e cila ishte e huaj për shokët e udhëheqjes së partisë, ishte Jugosllavi për shokët e partisë. Havziu nuk i përgjigjej dot e ti thoshte se era më ka lëkundë dhe më ka kthye nga Kosova dhe ndoshta kjo është piktura a skulptura më e bukur e Havzi Nelës që era e zoti kishte bërë atë mëngjes, duke e kthye të varurin me fytyrë nga Kosova.

Aq afër armikut të varur sa iu afruan shokët e partisë e të pushtetit nuk i ishte afruar askush Havziut pos policëve që e kishin varë.

Nuk guxonte askush të afrohej.

As të fliste ndonjë fjalë. Jo t’i fliste Havziut, por as zogjve nuk u drejtoi askush asnjë fjalë atë ditë që u gjet i varur Havzi Nela prej shtetit te sheshi pranë axhensisë së udhëtarëve në Kukës.

Askush nuk ia la vetit të thoshte ndonjë fjalë, siç ia la vetit ai shoku i partisë që tha se “edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia”. Pëshpëritje a pëshpërima pati, por pëshpërima periferike, siç raportonin njerzit e sigurimit të shtetit.

Aty pranë të varurit asnjë pëshpëritje, asnjë lutje, asnjë fjalë veç mallkimit në formë konstatimi të shokut të udhëheqjes që tha se edhe i vdekur armiku Havzi Nela i mbante sytë nga Jugosllavia.

Hetimi për Havzi Nelën që plagosi policin me pistoletë ndoshta është hetimi më i shpejtë e më i rrufeshmi që ka ndodhë ndonjëherë në historinë e hetimeve në dekadën e fundit të diktaturës komuniste.

Gojë më gojë e vesh më vesh ia përcillnin njëri – tjetrit punonjësit e Degës së Punëve të Brendëshme, të hetuesisë e prokurosisë, herë si përkrahje për mirë e herë si frikë apo si kundërshtim, thëniet e ndonjë hetuesi të Havziut, të cilët të ndodhur para presionit që ta hetonin urgjent çeshtjen, ishin shprehur pa kujdes duke thënë, çfarë ka bërë mor vëlla ky Havzi ziu, çfarë ka bërë mor jahu ky njeri që duan ta gjykojnë kaq shpejt. Ku e ka rrezikshmërinë aman Havziu në hekura…

Është skandaloze që po na nxitojnë kështu. Ka plagosë një polic mor vëlla. E çfarë ka që nxitohet kaq shumë, ai nuk po na shpërthen burgun, nuk po na ikën askund.

Havzi_Nela

Havzi Nela

VALIXHJA E MADHE E HAVZI NELËS MBUSHUR PLOT ME FLETORE.

A thua kush e i ka asgjesuar materialet në valixhen e madhe, tip kartoni, ngjyrë të errët të Havzi Nelës.

Atë valixhe që kishte patur me vete në Arrën. Ajo valixhe ka qenë plot me fletore, me fletore shkolle të shkruara, të mbushura plot me shkrime, me vjersha e me shkrime.

Asnjë libër nuk ka patur në atë valixhe, veç fletore shkollore të mbushura me shkrime.

Është asgjësuar si provë materiale, siç asgjesoheshin provat materiale me vendim gjykate.

Nuk besoj se ndokush ka vjedhë ndonjë fletore në valixhen e Havziut.

Kjo do të ishte vjedhje heroike.

Askush nuk ka shkuar të interesohet për Havziun gjatë ditëve të hetimit. Askush. Asnjëherë.

Ai ishte i braktisur prej të gjithëve dhe këtë braktisje ai e konsideronte si dënim prej të gjithëve, bërje palë e të gjithëve me partinë e shtetin që e kishin dënuar dhe po e dënonin me dënim kapital, me varje në litar.

Duke e ndjerë këtë braktisje, ai trimërohej dhe na sfidonte të gjithëve. Ai nuk kishte çfarë humbiste.

Ai u bë i huaji i të gjithëve, i papranuar nga askush. Sa as veten nuk e deshi më.

Havziu kishte ikë nga vendi i internimit, nga Arrni, me qëllimin e vetëm të shkonte ta takonte nënën.

Ai, e kishte ndjerë përbuzjen e braktisjen e të gjithëve kur doli nga burgu para se ta çonin në internim në Arrën.

Askush nuk pranoi ta merrte përsipër kujdesjen për të. As familja, as fshati, as zona, as kooperativa, as partia, as Këshilli. Vitet e gjata të burgut e kishin bërë të huaj në shtëpinë e tij, në fshatin e tij.

Rreth dy dekada duke e quajtë partia armik, të gjithë e shihnin si armik. Duke blerë gozhdë me rregullue çatinë e rënë e të rrënuar të shtëpisë, duke diskutuar për lëndën e çatisë së shtëpisë, për trarët, për keprat, për pallzinat e shtëpisë, e thërrasin dhe e çojnë në internim sepse askush nuk kishte pranuar të thoshte po, le të rrijë në fshat Havziu se do kujdesem unë për të.

Pas gjithë kësaj braktisje, mosbesimi, mungese dashurie, Havziu e kishte marrë vendimin e tij.

Donte t’i jepte fund jetës. Nuk ia vlente, nuk kishte arsye, nuk kishte motiv, nuk kishte pse të jetonte, nuk priste asnjë gjë të mirë, asnjë shpresë nga askush.

Kishte ikë nga vendi i internimit, duke e ditur se po bënte vepër penale, pasi ikja nga vendi i dënimit ishte vepër penale, kishte ikë të takonte nënën dhe me mendje të ikte nga kjo botë.

Kjo ishte arsyeja që kishte gjetë atë pistoletë. Me vra veten.

Por rrethanat diktuan që ai të qëllonte mbi policin i cili shkon në shtëpinë ku ishte strehuar Havziu për ta ndaluar e shoqëruar për në polici për veprën penale që kishte bërë, ikje nga vendi i internimit.

Havziu nuk kishte shkuar fshehtas te daja i tij, e kishin parë mjaft njerëz. Aty kaloi gjithë natën deri të nesërmën, pra shumë orë.

Policia pasi ishte njoftuar nga Arrni se ka ikë Havziu, vihet në kërkim të tij. Por në Kukës nuk ishte e vështirë të gjendeshe se ku je.

Një polic, apo i plotfuqishmi, mjaftonte për 30 fshatra për ta ditë edhe se sa kokrra fasule ka sejcila vorbë që zihej në çdo familje.

Aq më tepër nuk ishte e vështirë të gjendej Havzi Nela, i cili nuk kishte ikë nga Arrni ku vuante internimin për tu fshehë as për tu arratisë se po të donte e kishte bërë dhjetra herë.

Pra nuk kishte ikë për tu fshehë, kishte ikë për ta takue nënën. Dhe natyrisht që policia e shteti e dinin këtë gjë se Havziu nuk do të arratisej. Dhe do të kërkohej tek njerzit e tij të afërt ose tek shtëpia e tij në Kollovoz.

Po të donte me u arratisë Havziu nuk kishte nevojë me shkue as te daja as te nëna.

Po të donte me ikë edhe nga shtëpia e dajës, nuk kishte pritë mëngjesin, nuk kishte pritë me ardhë polici te shtëpia e dajës së tij, kishte ikë natën, ishte arratisë natën se ai e dinte dhe njihte vendin më mirë se polici.

U cilësua terror plagosja e policit prej Havzi Nelës. Po shteti që e vari me litar në publik, a bëri terror, a është terrorizëm shtetëror varja e Havzi Nelës.