Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

PËRTEJ XHAMAVE TË ERRËTA RINGJALLEN SHIKIMET

Pranë një tryeze të rrumbullakët
Një lule e venitur në vazo
Dhe mes fjalëve të shthurura
Mbinë një tjetër fjalë

Druri vrastar shikon errësirën
Te urat e qytetit
Nuk prajnë të lehurat
Lehin edhe shtyllat elektrike

S’pushojnë as mjaullimat
E maceve të zeza
Dy herë ma preu rrugën në hije
Dhe herën e tretë çdo gjë u zhduk me erën

Nuk di më se kur do të kthehem këtu
Këto dritare të verbëta
Nuk mbajnë më syza dielli
Përtej xhamave të errëta ringjallen shikimet

Nuk di pse por sot lindi në mua
Një urrejtje
Aq e madhe sa që përfundimisht
Më varrosi në brendinë time.

 

FLE NGA NJË THIKË E FSHEHUR

Sa qenkan lakuriqe sonte
Këta imazhe
Këto pamje nudo të shpirtit
E paskan zhveshur deri në asht

Syri im i djathtë
Qenka verbuar tej mase
Nuk është në gjendje ta shoh syrin e majtë
Kurse duart dridhen si teli i kitarës

Shikoj kah e nesërmja
E përhumbur ku dallohet
Një ditë e boshatisur deri në thelb
Vetëm dallëndyshet mbetën në qytet

Mbrëmë befasisht fluturuan
Edhe zogjtë e fundit prej letre
Asnjë njeri s’mbeti pranë faltoreve
Ky trishtim i trembi drurët halor

Nuk besoj më asnjëherë
Në arsyen e njeriut
Nën secilën fjalë
Fle nga një thikë e fshehur.

 

NGA NJË TRËNDAFIL I KUQ

Sa pak zë paska kjo kitare
Po i ngjan natës së verbër
Asnjë qen endacakë
Nuk është duke lehur sonte

Bora e bardhë pjalmon trishtim
Çfarë të bëjë
Me duart e ngrira të erës
Kush i përqafoi drurët në kopsht

Dimri sivjet nuk qenka ai i vjetri
Po frynë një fërfëllizë e zezë
Kur dënesin nënat
Stuhia ngrin lotin në sy

Por nuk do të zmbrapsemi
Askush s’do të kaloj mbi varrin tim
Nga një trëndafil i kuq
Buron forca e së nesërmes.

 

PEMËT E ZHVESHUARA

Sa herë të papunët
Ulen në platformën e varfërisë
Orë e çast dëgjohen
Britmat e shirave të verdha
Dëgjohen
Piskamat e drurëve nëpër kopshte

Në lagjen tonë të kalldrëmtë
Vetëm nallat e grave
Këndojnë një serenatë të vjetër
Këndojnë si qyqet nëpër çati
Një lloj elegjie tani më të rishfaqur

Kur zbresin shtrezet e bardha
Te varret e qytetit
Parakalojnë kryqet e thyera
Parakalojnë
Njerëzit me pashnik të bardhë

Më pastaj e gjithë kjo dhembje
Merr ngjyrën e murrme të ditës
Pemët e zhveshura
Fshihen pas gardheve
Dita në metastazë ulërinë
Me një zë të trishtë si dhembja.

 

DO ECIM DERI TE VARRI I JONË

Në kohën kur plakemi
Ndjejmë se si trishtohen stinët
Nga duart tona
Pikojnë të gjitha ato kujtime
Që i patëm shti në rruzare

Ditët na duken disi të shkurta
Kurse netët
Si rrugëqorre
Por të gjata e të pambarimta

Sa herë që i pyesim
Mendimet tona
Në vetvete kuptojmë
Se koka e jonë e trullosur
I ngjanë kovës së urinimit

Gjithmonë e kam ditur
Se një ditë në të ardhmen
Do u përngjajmë elefantëve
Ne një ditë do shkojmë
Deri te varri i jonë
Nëse vdesim
Fare mirë

Por nëse s’vdesim
Kush do ta ngulë kryqin
Tesinorët e vjedhur të atdheut.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s