Poezi nga Vasil Çuklla

Vasil cuklla

Poezi nga Vasil Çuklla

 

E dashur

U plakëm, e dashura ime, u plakëm!
Rinia… mbylli dyert, na la jashtë.
Me sytë e tu vazhdoj tani, shikoj agimet
Pres netët fjetur, në të kumtrit kashtë
O këngëjetë mbetur kujtesës mes harimesh!

U plakëm, e dashura ime, u mpakëm!
Ju ndërruan bravën dyerve, na lanë jashtë
Tani, mësuar jam të pres, gjithë perëndimet
Të kapur duarsh dhe përherë bashkë
Mbasi frymojmë nga ç’mbeti, veç gëzimet!

U plakëm, e dashura ime, u plakëm!
Iso e lashtë më kumbon veshëve një zë
Më fton të kthehem pas, Përjetësisë
Shndëruar – si shumë thonë, në “asgjë”
Dhe si “asgjë” të endem, pluhur gjithësisë…

U plakëm, e dashura ime, u zbardhëm!
Nën peshë thinjash, mbetur jashtë gjithshkaje
Haruar e mohuar nga të gjallët vdekur…
Mes falsitetesh jete, si rudiment shakaje
Me zërin e pa zë e buzëqeshjen mekur.

Në iksha një ditë, ja ku të premtoj
Endrrës do të vij e ëndrrash të përkundsha
Nuk e dua lotin të njomë sytë e tu…
Me frymë do të t’a terr dhe në mundsha
Krah teje do të jem, kur s’do të jem këtu!

 

?!………..

Pyet jeta vdekjen: vallë përse
njerëzit më duan mua, ndërsa ty të urrejnë?!
I përgjigjet vdekja: Sepse
je gënjeshtër-bukur dhe dëfrejnë.
Ndërsa unë jam, e vërtetë e trishtë,
pra më ndje!
Se e vërteta s’pranon kurrë “thelë, mbi bisht!”

 

Jetë, së prapthi

E ëndërroj jetën, së prapthi
sikur, askush, s’e ka ëndërruar
mendim flatëror, e ikur vrapthi
astar xhakete, i vjetëruar,
që duhet kthyer, se i shkoi vakti!

Jetën e nis, nga vdekja çartur…
(Besomëni, nuk ka hiç rëndësi,
në është ditë-re, me qiell mbarsur
në është nat-hënë, me qiell gri.)
Vdekje s’ka më, prej vdekjes vi!

Mandej, mendoj se jam – X – vjeç,
një plak makut, si kalë gërdallë
dëbuar sapo, nga “azil pleqsh”
se s’jam më plak, vërtet s’jam djalë
Dhe ndihem mirë, tek vij vërdallë!

Mandej e di, do punoj cazë…
Nja dyzet vjet, ndoshta më tepër
Sa shkoj e bëhem më i ri
E kam lënë pas, moshën e vjetër
Dhe pak dhe futem në të ri!

Mandej mbaroj shkollën e lartë
Të mesmen shkollë, më pas fillore.
Çanta me librat, gërmat në kartë
Majpena, lapsa, blloqe, fletore
I hyj ngadalë, moshës foshnjore!

Më pas piskama, idhnakët lotë
Pelena veshur, mbaj biberonë…
Në bark të nënës, nëntë muj plot
Bobo sa qejf, gjithshka pluskon
Dhe sosem epsh, që drithëron!

 

Ti mundesh

Grimcohu zemra ime, ti mundesh!
Miliona copash, miliona njerëzve shpërndahu!
Rruzull-diell çdo grimcë. Tani mund të shkundesh
Copëtohu zemra ime dhe çahu
Ndarë grimcash, tanimë, mund të gjendesh,
zemrash ligur, plaguar, tmerruar dhe trandur,
që fati mizor, ah fati,
mundësoj marrërinë dhe i vrau…
Grimcohu pra, zemra ime, se mundesh!

Çdo copëz e jotja, një i vogël diell!
Çdo copëz e jotja, një shpresë!
Çdo copëz e jotja… një qiell
Çdo copëz e jotja, avdes
Çdo copëz e jotja, tingull, mërmërimë,
gëluar nazik nga një fyell.
Çdo copëz e jotja, mëngjes
larë vesës e terrur dhe të fundmen brymë.
Ulur pupëlt zemrës që të mbesë
falur lehtaz më të ëmblën puthje, për frymë
Çdo copëz e jotja, njeri-ëngjëllit ftesë
për ditë dritëlara, që patjetër do të vijnë.
Grimcohu zemra ime, s’kam kohë që të vdes!

 

Silence…

Mos fryj erë e marrë! Heshtjen mos e shtyj!
M’a ler heshtjen, të kapem, të mbahem!
Haruar më ler, në daç më pështyj…
Mes heshtjes haruar, nuk qahem!
Mos fryj erë e marrë! Heshtjen mos e shtyj!
Tingullheshtjen më ler të dëgjoj
Tingullheshtjes, të krridhem, të lahem.
Se zërin m’a vodhën e s’kam më ç’të tregoj
Falma heshtjen, të kapem, të mbahem.
Për heshtinë heshtuar, të mund të këndoj!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s