Befasia e figurës : “ Syri i së dielës” Lida Lazaj / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Befasia e figurës

“ Syri i së dielës”  Lida Lazaj

 

zhuljeta-grabocka

Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Nuk është rastësi që krijuesit të kenë poetët e tyre të preferuar. Më shumë se dashamirësia e një lexuesi të thjeshtë, ata i lidh misioni poetik dhe mjeshtëria e përpunimit të fjalës. Fjala në tekstin poetik përpunohet në magjinë e krijimit. Mjeshtërit e fjalës poetike e ndërtojnë monumentin e vargut duke prekur fundit e thellësisë së shpirtit njerëzor. Natyrshëm na lind pyetja? Kush nuk e ka gjetur veten tek vargu ekzistencialist i F. Reshpjes?! Ai e lartëson njeriun në dhimbjen e bukur e stoicizmin e dashurisë për jetën si rrallë kush. Epoka për të cilën poetizoi mban vulën e artit të tij.

Një botë me të gjitha dritë – hijet derdhet në vargjet lirike të Eseninit e nuk ka lexues shqiptar të mos jetë afeksionuar me poezinë e tij. Poezia e stepave do të vazhdojë të na ngrohë shpirtin nga ati tek biri, të etur për dashuri e mirësi njerëzore. Vargjet eseniane flladiten sa brigjeve të detit Adriatik, aq dhe dëborave të alpeve shqiptare. E tillë është fuqia e artit, të bëjë bashkë njerëzit dhe epokat.

Lida Lazaj

Lida Lazaj ( Xhamo)

Lida Lazaj ( Xhamo) e hap vëllimin e saj të fundit me poezinë “ Dimëroj me miq”dhe janë pikërisht këta dy poetë me të cilët ajo mendon se do të ndajë “vetminë e madhe”. Duket sikur poetja prezanton atë vetmi krijuese të proçesit poetik, që lejon komunikimin me ta, me simbolet emblematike të artit poetik të traditës. Ajo e rimerr një pjesë të titullit të poezisë së Migjenit “ Ne të bijt’ e shekullit të internetit” për ecur e sigurt në rrugën, që do të hapë vargu i saj.

Vëllimi ”Syri i së dielës ” 2013, është vëllimi i katërt. Në harkun kohor 2006 – 2013, ajo i është prezantuar lexuesit me vëllimet: “Me zërin tënd” 2006, “Rruga për nesër” 2007, “ Gishti i dheut të dhembushur” 2008.

Udhëtimi poetik i Lidës tashmë i ka prekur zemrat e dashamirësve të poezisë. Ata gjejnë aty një pjesë të shpirtit të tyre. Ajo ka zërin e saj origjinal të femrës, gruas dhe poetes. Zërin e poetes përherë në kërkim të vërtetave artistike dhe realizimit të misionit për të bërë art me fjalën poetike. Art, që tingëllon i freskët dhe me një origjinalitet të spikatur.

Poezia si afeksion konstatues.

Poezia e Lida Lazajt strukturohet në një poezi të ndjerë përgjithësisht me varg të pa matur, të lirë e monokolon e

në disa raste krijon edhe lejtmotive të goditura. Ato realizojnë njësi e unitete të pavarura poetike, por që i bashkon befasia e poetizimi të një leksiku, që krijojnë përshkrime të njëpasnjëshme imazhesh brenda së njëjtës poezi. Ajo kujdeset të ruajë sensin e masës e ka një vetë përmbajtjen që neutralizon dhënien e mesazhit të drejtpërdrejtë e moralizues. Imazhi i saj metaforik I poezisë është shumëplanësh e befasues, shpirtëzues e estetik. Lexuesi dialogon drejtpërdrejt me botën e koduar që krijohet brenda saj.

“Ah, kjo pranvera” /Hyrjet e daljet i kam koduar…/Por, se si pranvera m’u ul në zemër/ më pushtoi qënien skaj më skaj”.

Ky këndvështrim e çliron vargun, dhe narracioni bëhet më koherent. Poezia mbushet me rritëm dhe muzikalitet:

“Unë mrekulluar polem e pjalm / doja pranverë me ty ta ndaj….”

Apo

“Në vendbanimin e ëndrrave të mia/ një mësonjtore dhe një shitore/ rrekem të mbajnë me dinjitet të njëjtin emër/ që premton dritë.

10153272_714463478637040_4469514791246017920_n

Syri i së dielës

Pranëvënia e koncepteve, qëndrimeve, shijeve të njeriut bashkëkohor krijojnë kontrase të fuqishme e thellim në mendimin ndjesor brenda një përjetimi surealit, që është i shpeshtë në vëllim… “Era pas veshit më pëshpërit: “Është lëmyshk moçali”/ Me kokën në duar kërkoj shitoren dhe mësonjtore…mbasi ka përjetuar më parë …“Humbas nëpër terr/ përpara më del një lëndinë bari/ ../ që ekspozon vetëm një zemër”

Edhe tek Lida, siç ndodh rëndom sot në poezinë lirike postromantike shqiptare, natyra, ngjyrat e lëvizjet e saj janë telajoja, sfondi ku me dorë të sigurt ajo derdh gjithë gjallërinë e shpirtit e të jetës dhe guximit të lirisë krijuese.

“Nën dritën e vetëtimës/ pashë një pyll tjetër/ ku flladet i binin violinës e tingëllonte klorofili/ U ngrinda me erën/ -Pse s’më mbolle në atë përrallë!”

“ I dua shumë (profesorët) por kafja më shijon mes miqve poet/ që kanë në xhep/ vetëm një monedhë të ndryshkur,/ një metaforë dhe një planet”

Sinteza është një tjetër veçori strukturore e atyre poezive ku mungon një fabul konkrete, por tërësi e detajeve përbëjnë një nëntekst të goditur për të zbërthyer ide e gjetje interesante.

”Në se gjendem/ si gjeth i vjeshtës në gojën e erës / ose me një dhëmb të uritur ngulur në mish/ faji nuk është/ as i erës/ as ujkut /”

Apo: “do t’i mjekoj plagët me muzg/ do të lahem me plagët e së dielës ” “Sytë e së dielës”

Në tematika të fuqishme e universiale si ndjenjat e mallit dhe dashuria e patretur për nënën, kujtimi i vëllait, prindërimi e mbi të gjitha ndjenjat mëmësore ajo i sjell përtej elementit biografik e thekson elementin social, mendësinë e problematikën aktuale:

“Pikën e lotit ma piu dielli/ kokëulur, fëmijë i bindur kuptova:/ me lot nuk qiraset mëngjesi/ futa një gisht mes brinjëvet,/ rrënojat, që ishin zemër dikur/ I selita sërisht si një shtëpizë,/ me dritare kanat- hapur/ kthyer nga dielli, që të mbledh rreze,/ për të shtruar rrugët e fëmijve..”

Apo

“Gjysma nga shtëpia thërret gjysmën tjetër/ “një mal me rroba për të hekurosur ”/ “u dogj reçeli I manaferrës”/ Fiks, kur qyteti derdhet në freskun mbrëmësor të verës/ gratë shtëpijake i rrufit syri magjik i derës/”

Në këtë hulli ajo na drejtohet në numurin shumës duke na bërë pjesë të përjetimit me urtësinë e modestinë e saj qytetare:

” T’i mësojmë dëshirat/ se ky qiell i plurosur, me vrima/ që vjell orgazma edhe gaz karbonik…/ me një klik/ porositen zogj ekzotik stampuar në të linjta/ ishte dikur, hapsirë shpirtrash e kor cicërimash”…” Porosi për foshnje të thinjura”

Përditshmëria dhe thelbi njerëzor bëhet ditari poetik i saj. Poetika i nënshtrohet gjetjeve për t’i qëndruar besnike vizionit të saj për të bukurën, të thjeshtën, e madhështoren por hera herës, jo rrallë bie në narracione epike, pa sjellë verbin e duhur e të gjallë poetik. Megjithatë nuk mungojnë gjetjet qëmtuese e të kujdesshme:

“dhe as që e dija/ se një puthje më pak- një hap më larg”

“nuk mbillet pylli në saksi”

”Bota harron, bën tualete e del shëtitje/ dhe vë mes brinjëve te mia/ zemrën e saj plot ankthe” “ si thneglat i shtypim të heshturit, e për shpirtrat e pafajshëm ndezim qirinj!”

“ Mbi një pupël reje, Virxhinia Wolf/ duke kërkuar ende “një dhomë përvete”/ druan se poshtë petaleve/ ka ende çakall vrasës/”

Poezia e misionit çlirues

Tematika e poezive të saj përcaktohet nga tërësia e ndjesive në raport me veten dhe botën. Ajo që përcakton kredon e saj poetike është metamorfoza e dhimbjes universiale në pamundësinë e daljes prej “jermit” ku qënia njerëzore po lëngon. Në poezinë e saj shpirtërorja e vetmisë, e egos, e tjetërimit janë pragbeteja e pajtimit për të shembur mëritë, mëdyshjet, çmenduritë, rrënojat e së kaluarës . Në kohën e pa kohë “sot jam dielli, që dëboi natën” shprehet në një varg poetja e ndërgjeshme në forcën e fjalës së saj poetike. Ajo është një grua e lirë e ulur tek bar kafeja ”Porta e diellit” e dyzuar dhe mes punëve të shtëpisë, ku realizohet si një grua e thjeshtë në kohë të papërshtatshme për fluturim. Ajo ngjan si një dallëndyshe në qiej të kryqëzuar nga skifterë të zinj.

”do të mbushem me të djelë/ do shkoj te pendesa/ gjethet e borzilokut,/ t’i puth një nga një/ t’u përshpëris fjalët e pathëna” “Sytë e së djelës”

“Zemër moj,/ bëhu bujtinë e mendjes../ e vidhja sytë…/ ka letër, fjalë, nota, pluhur, baltë, gur e daltë../ që presin dritë prej dritës tënde / të bëhen art!”

“Jam unë që vdes në mbrëmje/ rilind në mëngjes/ si fije e hollë bari/ prej erërash dhe acari/ si tel violine/ ku strehohen dashuri e këngë vaji”

Në planetin poetik grua, poetja ndihet si një mbretëreshe e adhuruar Elisabetë, si një Penelopë e patjetërsuar pritjeje, si një buzëqeshje enigmatike Monalize. Lida, poete, rrezaton guximin e ndrojtur të Motra Tones, shqiptares në pritje të stinëve të ngrohta për të na thënë: “S’është i vërtetë dielli i dimrit… i marrë hua!”

Tiranë, më 2.2.2017

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s