PIKTURA / Poezi nga Iliaz Bobaj

Iliaz Bobaj

Poezi nga Iliaz Bobaj

 

PIKTURA

Atë e vizatoi si të gjallë një piktor,
me gishta të gjatë si penele pikture,
aty mes ngjyrash bukurinë ia gatoi
dhe e hodhi në beze të qeshur si lule.

Mbi shtatin e gdhendur si një shtatore,
mbante një fustan si krahë pilivese,
në faqe kish hapur dy gropëza të vogla,
krejt identike, si dy hoje blete.

Piktori mbi të e mbante vështrimin,
të butë, të praruar si hëna mbi zabel,
veç diçka u tha dy zogjve nën bluzë
dhe gushën ia ledhatoi gjatë me penel.

Ca rrudhëza rrobash ia preknin trupin,
si valëzat kur puthen me bregun në heshtje,
me siguri diçka i thoshnin në vesh,
përderisa ajo përherë buzëqeshte.

Unë flatroja në qiellin e syve të saj,
por tek yjet e tyre nuk mbërrita kurrë,
edhe pse kohën ia bëja dhuratë
dhe rrija si hutaq me orë mbi pikturë.

Një ditë atë e rrëmbeu ikja,
nuk di se ku humbi, si gjethja në vjeshtë,
erdhi koha, m’u thinj edhe pritja,
i lodhur prej fjalës, mësova të hesht.

Unë mbajta pikturën me vajzën e brishtë,
atë të bezes, siç ishte atëherë,
për atë që iku, s’di gjë natyrisht,
di vetëm që ajo u shndërrua në erë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s