Poezi nga Eva Kacanja

 

Poezi nga Eva Kacanja
 
 
Pa ty
 
Bota nuk gjallon,ajri është i ftohur,
Loton mallit syri,buzës afshi ndizet,
Në tik-tak të kohës zemra rreh e lodhur,
Pa ty jam flutura që rreth pritjes digjet….
 
Pa ty jam drita që mungesës shuhet,
Pa ty jam kripa që uji e tret,
Pa ty jam fjala që heshtjes nuk thuhet,
Plaga që dhemb në të frymës fletë.
 
Pa ty jam errësira që vetmia fal,
Teqe e braktisur,me kandila fikur
Me ty jam Dielli që buzëqesh mbi mal,
Hëna e plotë përqark qiellit ndritur.
 
 
 
Në të zbehtë……
 
Në të zbehtë të hënës shihemi ne dy,
Lotët treten heshtur, mbyten brenda gojës,
kur nga kopsht i largët ti ma bën me sy,
pikon kupë e qiellit sikur mjalti hojës.
 
Kur n’kristal të hënës malli i gdhend shkronjat,
E gris vellon nata vetëm për ne dy,
flokët ndezin yjet sikur xixëllonjat.
pores çel parfumi që e njeh veç ti…
 
 
 
Ora e keqe
 
N’lug të dhimbjes ecën ora e deshpërimit,
në mish te vet nginjet,gjer në kockë gërryhet,
nuk mundet të ikë prej frikës e dyshimit,
prej një egoizmi që gëlltit dhe yjet.
 
N’humbje të mendjes mpihem,në të errëtin hon,
kur mendoj si ne po humbim dashurinë,
kur kujtoj at’frymë që jetën ma shton,
“Të dua aq shumë sa m’ngatërrohen gishtrinjtë…”
 
 
 
E humbëm dhe këtë natë…
 
E humbëm dhe këtë natë,
duke u dashur verbërisht në errësirën tonë,
habitur heshtim në të hidhurin fat,
pështyma mbyt brengën që shpirtin mundon.
 
E humbëm dhe këtë natë,
duke u urryer në dashuri të pafund,
duke ndjerë mallin si dy pemë nën flakë,
gjer atje në rrënjë ku dhimbja të tund.
 
E humbëm dhe këtë natë,
dashur e urryer në marrëzi të dy,
terr i pritjes fillin përtej vdekjes zgjat,
të iki nuk mundem,të vij s’je aty!
 
 
 
Bota në një lis
 
Të dhemb?
Më dhemb!
Korbi,
cukit lëvoren e fortë të lisit dhe qesh.
Të dhemb?
Më dhemb!
Më thellë sqepi bashkë me kthetra,
lisi nuk bën oh!.
Një mijë larva lëvrijnë neveritshëm,
Një mijë kandrra kukurisin në brendësi,
venë e vijnë grabitqarët uritshëm,
bota shqyen mushkërite e tij.
Dhe korbi gjithmonë aty,
pamëshirshëm ngul me fort.
Të dhemb Lis?
Më dhemb Korb!
Kënga e paraziteve e cmend lisin,
kënga e larvave e qelb lisin,
kenga e grabitqarëve e çburrëron lisin.
Lisi erdhi nga një lëndë e vogel,
një zog e harroi pa ngrënë,
dheu e futi në gji,
dielli i dha krahë,
uji qëndresë në një mijë.
Një mijë vite bota në lis,
Perëndia bekoi dhimbjen e tij!
 
 
 
Andante
 
Pranvera vonoi sivjet ,
Gjymtyrët e mia si pemë të etura për lule fryhen,
Gonxhe dot nuk celin.
Në kopshtin tim ca letra cokollatash,
Si flutura jetëshkurtra fërfërijnë.
Zemra e ftohtë
nën ritmin e gurit,
Në udhëkryq folesh te arnuara zogjte kane mbetur,
Fole te shqyera si flamujt e pritjes.
Një dorë e lehtë në ëndërr përkëdhel flokët e mi,
Por asgjë nuk ndiej,
Asgjë dhimbjen time s’e prek,
Jam natyrë e vdekur
Nuk jap as marr jetë.
Pranvera mungon,
Po ashtu dhe Ti,
Ti dashuri,
që zemrën ngre peshë,
Ti që të vdekurin ngjall
e të gjallin vdes,
Ti që në vetmi më shtyp si një buburrec,
Ti që më pështjellon,
e me kthen magjinë,
Diktatore e heshtur
ngjizur në cmendinë.
Ti mungon!
Kur pranvera s’vjen,
Nuk vjen edhe ti.
Në kopësht ndryshkur pemët,
Pritja heshtur rri.
 
 
 
Diej…….
 
Kur Zoti vjen e më ulet në shpirt.
Nata shtegton,zbardh e lumja dritë
 
Fëmijët buzëqeshin malit jam bekuar.
Kur puthin engjëjt,dita nis urtuar.
 
Në krahët e tyre ëndrrat i përkund
Jam brinja Adamit e të thyhem s’mund!
 
 
Nokturn
 
A mundet njeriu ta dojë kështu njeriun,
të thahet të digjet si toka për shiun,
të çelet n’errësirë, të mbyllet në dritë
kur bota harrohet në t’ mirë e të ligë?!
Kur hapi ngatërrohet rrugës pa krye,
njeriu njeriun ta dojë a mundet,
vullnetshëm t’braktisë ligj e arsye,
e n’besë të tij si fëmi të përkundet?!
Kur busulla nuk njeh jugun as veriun,
kur dhimbja të mpin e t’shtyn n’humbëtirë,
a mundet njeriu ta dojë kështu njeriun
në botën e t’pistëve të ndjehet i dlirë?!
Kur në krah të ëngjëjve natës e fsheh lotin,
e veten pyes ashtu si dhe Zotin,
kaq thellë edhe pastër si t’dua unë ty,
a mundet njeriu ta dojë një njeri?!
 
 
 
Bie borë
 
Bie borë këtë natë
sa bukur bie borë!
Dridhet zëri yt si lulë-kemborë,
E nis me tregon ashtu si di vetë,
Se malli ty t’i ka hesht’këto net,
Se i ke numëruar sonte bëhen tetë,
Se shpirti t’dhemb kur mendon për mua,
Oh sa gjëra thua,
sa bukur i thua!
Në këtë natë të ftohtë
pyet a kam zjarr?
A jam vesh ngrohtë,
si shoqet a jam mbath?!
E unë besoj,
bëj sikur besoj!
Për të madhin Zot kurrë s’kam qenë më mirë!
E ndërkohë në zemër ngrica po hap varr,
Dhimbja palimpsest,
mjeshtërisht syrit fshirë.
 
Ti Janar i bardhë tokës si qefin,
Rrobën e engjëllit sonte paske grisur,
Flokut të tradhëtuar besë e yje ngrinë,
Kult’i dashurisë përgjithmonë braktisur…
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s