Në “Ditën e Mësuesit”: FESTË E BUKUR, ME KËNGË E VALLE, NË SHKOLLËN 9-VJEÇARE “SHERIF DERVISHI” TË KRUJËS… / Nga: Prof.Murat Gecaj; publicist e studiues

 

Në “Ditën e Mësuesit”:

FESTË E BUKUR, ME KËNGË E VALLE, NË SHKOLLËN 9-VJEÇARE “SHERIF DERVISHI” TË KRUJËS…

Nga: Prof.Murat Gecaj

         publicist e studiues

 

Nga e majta:V.Kona,Z.Dervishi e M.Gecaj (Budull-Krujë,7 Mars 2017)

1.

Paraditën e 7 Marsit  2017, gjatë udhës për në shkollën 9-vjeçare “Sherif Dervishi”, në Budull të rrethit Krujë, unë e miku im Viron Kona, ishim në shoqërinë e tre vetave, që lidhen shumë ngusht, me historikun dhe jetën e saj. I pari, ishte prof. Zyhdi Dervishi, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe biri i mësuesit veteran, emrin e  nderuar të  të cilit mbasn kjo vatër diturie, kulture e përparimi. Dy të tjetët, ishin Kristavgji Noti e Sali Hamzaj, që kishin shërbyer disa vite, mësues e dejtues në atë shkollë. Kënaqësi për ne ishte, kur në një ndalesë të shkurtër, pimë kafe bashkë me drejtorin e shkollës 9-vjeçare “Rexhë Deliu” të asaj zone, Shyqyri Jangozi. Edhe aty, gjetëm rastin që të sillnim në kujtesë kohën e punës sonë, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Në katin e parë të shkollës “Sh.Dervishi” na pritën me ngrohtësi: drejtoresha, Fatmira Sinani, mësues të sotëm dhe mësues  veteranë, të cilët  kishin shërbyer aty dhe kishin ardhur për të marrë pjesë në festën e bukur të 7 Marsit, që përkon me 65-vjetorin e hapjes së këtij institucioni arsimor. Pastaj, për në saallën e shfaqjeve na shoqëroi mësuesja e ciklit të ulët, Albana Sukthi-Sina dhe, më tej, Valbona Muça-Sinani.Aty nuk vonoi dhe nisi festa, në praninë e shumë mësuesve, nxënësve e prindërve. Ndërsa, ne të ftuarit nga kryeqyteti e ndjenim vetën “si në shtëpinë tone”, veçanërisht Vironi. Sepse ky kishte qenë dhe më parë aty dhe, në një rast, duke shoqëruar katër shkrimtarë nga Suedia mike: Sokol Demakun e Hamit Gurgurin dhe Briitta Stenbrg e Anna Mattsson. Prandaj kishte sjellë me vete kopje të librit të ri, me autorë S.Demakun e vetë atë, “Poleni Viking-Impresione”. Ishin dhuratë për bibliotekën e shkollës, sepse aty flitet me dashuri edhe për vizitën e takimet, që kishin bërë në kolektivin mësues-nxënës të saj.

Festa u shoqërua edhe me valle të bukura popullore, nga nxënësit e shkollës…

2.

Veprimtarinë festive e çeli nxënësi i shkathët Eledio Sinani. Ai i përshëndeti e i falënderoi të gjithë të ftuarit pjesëmarrës dhe mësuesit e nxënësit e sotëm, bashkë me prindërit e tyre. Pastaj, ish-nxënësi dhe mësuesi veteran i kësaj shkolle, Ali Denjeli foli shkurtimisht për udhën e bukur dhe të mbushur me arritje, të kolektivave të mësuesve e nxënësve, të mëparshëm dhe këtij të sotmit. Ai përmendi, me nderim të veçantë, mësuesin e parë, që përhapi dritë e dituri në atë zonë  të Prezës, të paharruarin Sherif Dervishi dhe bashkëpunëtorin e tij, një vit më vonë, Haxhi Imami.. Gjithashtu, tregoi me emër, rreth 90 mësues dhe 15 drejtues  të përkushtuar, që nga drejtori i parë,  Xhemali Bakalli, të cilët nuk kursyen energjitë e tyre mendore as fizikë, për të bërë që bijtë e bijat e asaj zone të edukoheshin e të merrnin edukatë, dituri e kulturë, duke u bërë pastaj sa  më të aftë, në fusha të ndryshme të jetës. Që nga dita e hapjes dhe deri më sot, nga dyert  e kësaj shkolle kanë kaluar 2.550 nxënës, nga të cilët 150 I kanë përfunduar studimet e larta, në profesione të ndryshme.

Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie, mbresëlënëse e të paharruar, ishin edhe përshëndetjet: nga drejtoresha e shkollës, Fatmira Sinani, nga shkrimtari e publicisti Viron Kona e prof.Zyhdi Dervishi. Gjithashtu, pasi dhurova kopjet e tre librave të mi, (njëri nga ata kushtuar prof.Bedri Dedjes-Akademik),për bibliotekën e shollës 9-vjeçare“Sh.Dervishi”, me detyrën e sekretarit të përgjithshëm, u solla mësuesve e nxënësve dhe prindërve urimet më të mira të kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.

Emocione të veçanta përjetuan, jo vetëm disa mësues të pranishëm, që kishin shërbyer mësues ose drejtues në këtë shkollë, por gjithë ne të tjerët, kur drejtroresha F.Sinani u dorëzoi atyre “Mirënjohje”, me përkushtimin e duhur. Secili nga ata, në fjalën që mori, shprehu kënaqësinë e vetë, për këtë vlerësim të merituar, që u bëhet nga drejtoria e shkollës. Ja, emrat e tyre: Xhemali Bakalli, Sali Hamzaj, Kristavgji Noti, Kiço Qendro, Zeqine Daci, Vlash Doda, Gegë Shota,Gjergj Vila, Simon Bushi, Beqir Daci, Ali Muka, Ali Denjeli, Viola Mazi,Margarita Gjoka,Aida Paparisto,Merita Meka,Thëllëza Kulli,Vesel Gjoni, Mustafa Mullaj,Shaban Gërdeci,Hamdi Mullaj, Qazim Seferi e Lekë Tahiri! Respekt e mirënjohje, për punën e palodhur të këtyre mësuesve dhe gjithë të tjerëve, që shërbyen në shkollën e fshatit Budull, në rrethin e Krujës!

3.

Pastaj, salla shpërtheu në duartrokitje, kur një nxënëse, me rrobat karakteristike të krahinës, kërceu hijshëm vallen e Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Ajo  u pasua nga shumë djem e vajza, të cilët interpretuar disa valle të tjera, me veshje shumëngjyrëshe popullore. Po kështu, ata kënduan dhe recituan bukur: për Shqipërinë tonë, për gjuhën amtare e mësuesit dhe nënat e dashura, për mësuesin e parë Sherif Dervishi etj. Meritojnë përgëzime për këtë koncert mësuesja Lirie  Alushi, me të cilën bashkëpunuan dhe disa kolege të saj.

…U larguam nga shkolla 9-vjeçare “Sherif Dervishi” e Krujës dhe u ndamë përzemërisht, me drejtuesit e mësuesit, nxënësit e prindërit mikpritës, të “ngarkuar” me emocione dhe përshtypje të bukura, duke i përgëzuar dhe falënderuar ata. Sepse, të gjithë së bashku, përjetuam një gëzim tjetër, atë të  festës sonë të përvishme-“Dita e Arsimit Kombëtar Shqiptar”.

Tiranë, 7 Mars 2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s